Certifikohen 15 pjesëtarë të FSK-së në fushën e shëndetit mendor
Në Ministrinë e Mbrojtjes të enjten u mbajt ceremonia e certifikimit të 15 pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët përfunduan trajnimin në fushën e shëndetit mendor.
Në ketë ceremoni kanë marrë pjesë ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, drejtori Departamentit të Mjekësisë, kolonel dr. Xhevdet Tahiraj, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, drejtori i Klinikës së Psikiatrisë, dr. Shaban Mecinaj si dhe ekipi profesional trajnues i klinikës përkatëse.
Në fjalën e tij, ministri Mehaj ka theksuar se krijimi i kapaciteteve të profesionistëve të FSK-së për trajtimin e shëndetit mendor, sipas praktikave të ushtrive të vendeve të NATO-s, ka qenë prioritet i tij me fillimin e punës si ministër i Mbrojtjes.
Gjithashtu, ai ka vlerësuar se për ushtarakun profesionist, sa e rëndësishme është përgatitja profesionale ushtarake dhe shëndeti fizik, po aq i rëndësishëm është edhe shëndeti mendor. “Ndër objektivat e mi, ndër të tjera, është zhvillimi dhe avancimi i politikave në funksion të kujdesit shëndetësor dhe mirëqenies së plotë dhe të përhershme të ushtarakëve tanë”, ka thënë ministri Mehaj.
Mehaj ka uruar pjesëtarët e trajnuar duke i udhëzuar që njohuritë e fituara t’i bartin te njësitë dhe kolegët e tyre gjatë shërbimit të përditshëm, stërvitje si dhe operacione brenda dhe jashtë vendit.
Në fjalimet e tyre edhe ministri Vitia, gjeneral Rama, drejtori Krasniqi dhe kolonel Tahiraj, kanë vlerësuar lartë idenë e ministrit Mehaj, të konkretizuar me sukses dhe shprehën pajtueshmërinë e plotë që bashkëpunimi i ndërsjellë, sikur edhe në fushat tjera, të vazhdojë edhe në të ardhmen.