Certifikohen 56 noterë, Haxhiu premton konkurs të ri
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shpërndarë të premten certifikatat për 56 kandidatët të cilët e kanë kaluar provimin e noterisë.
Ajo ka thënë se ky proces ishte transparent krahasuar me atë të vitit 2019.
“Të nderuar kandidatë që keni dhënë provimin e noterisë, sot jemi pas një rrugëtimi të gjatë ka kohë shumë komuna kanë mbetur pa noterë, procesi 2019, ndërhyrje nga brenda e jashtë gjithandej”.
“Gjykata Kushtetuese kishte thënë se ai proces ka qenë i ligjshëm. Do donim që ai proces të anulohej në tërësi. Më duket e padrejtë ndaj jush sepse ju u jeni nënshtruar një procesi me akuza se ka qenë e vështirë”, ka thënë Haxhiu, duke kërkuar nga noterët që t’i shërbejnë sistemit të drejtësisë me nder.
“Shërbeni sistemit të drejtësisë me nder. Nga 437 kandidatë jeni ju vetëm ata diku 56 kjo sepse komisioni ka vendosur standarde të larta, andaj sot ndjehem krenare sepse ky proces ka qenë më meritor e transparentë ndonjëherë”, ka thënë ajo.
Më tutje, Haxhiu ka bërë me dije se së shpejti do hapen konkurse për noterë të rinj për vende tjera, mes tyre edhe në veriun e vendit.
Haxhiu ka thënë se është vet dëshmitarë e përpjekjeve të shumta për ndërhyrje.
Ministrja Haxhiu ka thënë se pavarësisht asaj çfarë është thënë, provimin e noterisë e kanë kaluar ata që e kanë merituar.
Ndërsa kryetarja e Komisionit për dhënien e provimit për noteri, Filloreta Lekiqi, ka uruar të gjithë që të kenë sa më shpejtë mundësinë që ta ushtrojnë këtë detyrë me nder dhe profesionalizëm.