Certifikohen pjesëtarët e FSK-së dhe Policisë së Kosovës

30 mars 2018 | 16:00

Në kazermën “Adem Jashari” të Forcës së Sigurisë së Kosovës të premten është  zhvilluar ceremonia e certifikimit të pjesëtarëve të FSK-së dhe Policisë së Kosovës.

Ky certifikim i përket ciklit të dytë të trajnimit dyjavor me temën, “Menaxhimi i traumës taktike (Ndihma e parë e avancuar)”.

Trajnimi është mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përkatësisht  Zyra për Mbështetje Civile Ushtarake ( CMSE ).

Trajnimi është zhvilluar nga instruktorët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

U certifikuan 20 pjesëmarrës në trajnimin në fjalë, 15 oficerë policie të njësisë kufitare dhe pesë pjesëtarë të FSK-së.

Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, i ka përgëzuar 15 pjesëtarët e policisë kufitare të Policisë së Kosovës, në mesin e të cilëve janë edhe tre pjesëtarë të komunitetit joshumicë dhe pjesëtarët e FSK-së të cilët përfunduan këtë trajnim dyjavor në lëmine e mjekësisë.

Ndërkaq ambasadori amerikan, Greg Delawie, fillimisht i uroi të gjithë pjesëtarët e certifikuar si dhe i përgëzoi organizatorët dhe instruktorët për angazhimin dhe kontributin në përfundimin me sukses të kursit.

“Ju gjatë dy javëve të shkuara keni arritur t’i mësoni shkathtësitë thelbësore për menaxhimin e traumave edhe pse shpresoj që kurrë të mos jeni në pozitë që do t’ju duhet t’i përdorni këto shkathtësi. Tani,  të gjithë dini si ta vlerësoni një pacient dhe ta trajtoni atë derisa të arrijë ndihma mjekësore. Ju jeni të përgatitur për të shpëtuar jetë’”, ka thënë ambasadori Delawie.

Në fund u ndanë certifikatat për të gjithë pjesëtarët që përfunduan trajnimin si dhe për instruktorët që zhvilluan trajnimin.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Blerim Isufaj, ka…