Çështja e bashkimit kombëtar, Konjufca i ndërhyn deputetit të PDK-së: Kujdes me shprehjet
Kryeparlamentari Glauk Konjufca ia ka tërhequr vërejtjen deputetit të PDK-së, Fadil Nura, i cili e ka quajtur marrëzi deklaratën e kryeministrit Albin Kurti se bashkimin kombëtar aktualisht e ndalon Kushtetuta.
Nura që në fillim të fjalës së tij në Kuvend lidhur me 100-ditëshin e qeverisë ka thënë se është marrëzi që Kurti e ka pranuar pas 15 vitesh se bashkimi kombëtar nuk është i mundur tani.
“Është e papranueshme deri në marrëzi të kakarisjesh për 15 vite me radhë mbi bashkimin kombëtar dhe për një ditë të bukur nën petkun e pushtetit, pikërisht në shënim të Besëlidhjes së Lezhës, paturpësisht ta pranosh se e ke gënjyer popullin për 15 vite radhazi”, ka thënë Nura.
Këtu ka ndërhyrë Konjufca, i cili i ka kërkuar Nurës të ketë kujdes me shprehjet.
“Kujdes me shprehjet e papërshtatshme, z. deputet”, ka thënë Konjufca.
Nura, ndërkohë ka vazhduar me fjalimin e tij. “…ky është mashtrimi i parë i Qeverisë Kurti 2”, ka thënë deputeti i PDK-së.