Çështja e dinarit, Bislimi: Pala serbe nuk ishte e gatshme t’i jepte prioritet interesave të qytetarëve
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi lidhur me takimin në nivel kryenegociatorësh në Bruksel për çështjen e dinarit ka thënë se pala serbe nuk ishte e gatshme t’i jepte prioritet interesave të qytetarëve, shkruan Reporteri.net.
Propozimin e emisarit Lajçak, Bislimi ka thënë se e shohin konstruktiv dhe të duhur.
“Sot mbajtëm një takim të tretë, duke synuar arritjen e një marrëveshje të mundësojë transferimin e mbështetjes financiare të Serbisë duke respektuar plotësisht rregulloren e BQK-së. Pala serbe ende nuk ishte e gatshme t’i jepte prioritet interesave të qytetarëve. Ne e shohim propozimin e emisarit evropian si konstruktiv dhe një bazë të mirë”, ka shkruar Bislimi.
Today we held a 3rd mtg. aiming at reaching an agrmt. to enable transfers of financial support of Serbia while fully respecting CBK regulation. The Serbian side was still not willing to prioritize the interests of citizens. We see EUSR proposal as constructive & a good basis fwd. pic.twitter.com/3SOhaJBdjb
— Besnik Bislimi (@BislimiBesnik) April 4, 2024
Pas takimit, emisari evropian, Miroslav Lajçak ka shkruar në platformën “X” se kanë arritur të përafrojnë qëndrimet e propozimeve mes dy palëve.
“Arritëm të përafrojmë qëndrimet mes dy propozimeve të palëve. Planifikoj të vazhdoj diskutimet shumë shpejt bazuar në idetë e BE-së për kompromis”, shkroi ai në “X”.
Për takimin në Bruksel, edhe Qeveria e Kosovës doli me një komunikatë.
Pala kosovare, sipas komunikatës e ka cilësuar si konstruktiv propozimin e BE-së për gjetjen e një zgjidhje për dinarin, megjithatë Qeveria e Kosovës akuzon palën serbe për mungesë të bashkëpunimit duke kërkuar kohë shtesë dhe duke insistuar në licensimin e një etniteti ilegal, si “Postanska Banka”, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Ky ishte takimi i tretë në nivel të kryenegociatorëve për gjetjen e një zgjidhjeje për pranimin e mbështetjes financiare të Serbisë nga komuniteti serb në Kosovë. Propozimet tona për zgjidhje kanë qenë që nga fillimi brenda Rregullores së BQK-së dhe në pajtim me legjislacionin e Republikës së Kosovës e gjithashtu dhe propozimi i BE-së konsiderohet nga ana e jonë si propozim konstruktiv dhe në drejtimin e duhur.