Çështja e dinarit, Çitaku: Në vend se me aleatët, institucionet po koordinohen me Beogradin
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas konfirmimit se përfaqësues të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) do të marrin pjesë në takimin e nesërm në Bruksel, ku pritet të diskutohet për dinarin serb.
Në përgjigje për “Dukagjinin”, BQK-ja ka thënë se kohë më parë ka shprehur gatishmërinë për angazhim për t’u takuar edhe me Bankën Popullore të Serbisë (NBS).
Sipas Çitakut, “në vend se të koordinohen me aleatët për çështjen e përdorimit të valutave të huaja në Kosovë, tani institucionet tona paskan shprehur gatishmëri të koordinohen me Beogradin në Bruksel”.
“Gjenial jeni për besë. Sovranë dhe krenarë”, ka përfunduar me ironi ajo.
Bashkimi Evropian ka konfirmuar se të martën do të mbahet takimi në mes të Kosovës e Serbisë për të diskutuar “çështjen e dinarit”.
Zëdhënësja e BE-së, Nabila Massralli, ka thënë se Kosova dhe Serbia e kanë konfirmuar se do të dërgojnë përfaqësuesit e tyre për këtë takim.
Ajo, gjithashtu, ka thënë se takimi do të zhvillohet në “formatin e zakonshëm të dialogut”.