Çështja e mandatarit bën bashkë Thaçin dhe Kurtin

06 janar 2020 | 08:55

Tre muaj pas zgjedhjeve, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pritet ta marrë mandatin nga presidenti Hashim Thaçi për formimin e qeverisë së re pa marrëveshje politike me LDK-në.

Pas disa përpjekjeve, presidenti Thaçi dhe kreu i LV-së janë pajtuar që sot (e hënë) në orën 15:00 të takohen për t’u konsultuar zyrtarisht rreth mandatarit për formimin e qeverisë së re.

Takimi Thaçi – Kurti është pritur me interes të madh nga publiku jo pse do të prodhojë mandatarin e ri të qeverisë, por për shkak të përplasjeve të mëdha që këto dy figura kanë pasur prej pasluftës.

Deri më tani ata nuk kanë pasur asnjë takim formal mes vete.

Njohësit e rrethanave politike në vend kanë vlerësuar se takimi i parë Thaçi – Kurti do të ishte normal, por për shkak të raporteve të tyre po shihet si një ngjarje e madhe.

Analisti politik Imer Mushkolaj ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” se ky takim do të duhej të ishte vetëm procedurë kushtetuese.

“Një takim që do të duhej konsideruar normal, ndërmjet një presidenti të shtetit dhe një mandatari për kryeministër, për shkak të raporteve të acaruara po shihet si një ngjarje e madhe. Ndërkaq do të duhej të ishte veç një zhvillim kushtetues”, ka thënë ai.

Edhe analisti tjetër politik, Faton Abdullahu, ka thënë për “Epokën e re” se ky takim do të jetë lajm i madh sepse do të takohen dy figura që përfaqësojnë dallime të mëdha.

“Takimi i presidentit Thaçi dhe kandidatit të mundshëm për kryeministër, z. Kurti, është lajm i madh. Është kështu jo pse sot do ta prodhojë mandatarin e ri të qeverisë, por pse bëhet takimi ndërmjet dy figurave që përfaqësojnë dallime të mëdha dhe konfliktuoze jo vetëm politike. Është takim i rëndësishëm, mbase spektakël politik, nëse vështrohet nga prizmi i ngjarjeve të kaluara, por mund të jetë krejt i parëndësishëm, mbase i dështuar, nëse shihet nga perspektiva e krijimit të qeverisë”, ka thënë Abdullahu.

Pas mandatimit nga presidenti, sipas Kushtetutë së Kosovës, Kurti ka kohë që brenda 15 ditësh ta formojë qeverinë e re.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin  e sotëm të gazetës “Epoka e re”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Draftligji për pensionimin e parakohshëm të policëve ka përfunduar dhe…