Çështja e presidentit, Hoxhaj: PDK-ja nuk shantazhohet
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, duke iu referuar debatit të fundit në lidhje me çështjen e presidentit, ka thënë se kjo parti nuk shantazhohet nga askush.
Në këtë kontekst, Hoxhaj ka thënë se PDK-ja nuk do të lejojë që dikush ta merr peng shtetin e Kosovës.
“Republika jonë është mbi interesat politike dhe egot personale. Kushdo që kërkon votat e deputetëve të PDK-së në Kuvendin e Kosovës, duhet ta kuptojë njëherë e përgjithmonë, që në atë propozim e ka brenda edhe kandidatin e PDK-së!”, ka shkruar Hoxhaj në llogarinë e vet në “Facebook”, raporton “Epoka e re”.
Postimi i plotë i Hoxhajt:
Partia Demokratike e Kosovës nuk shantazhohet dhe as nuk do të lejojë që dikush ta marr peng shtetin e Kosovës. Jemi të gatshëm që të ulemi dhe të bisedojmë me çdo parti politike parlamentare që ta tejkalojmë̈ krizën institucionale në vend dhe ta zgjedhim një president dinjitoz që i shërben unitetit të brendshëm dhe thellon partneritetin me aleatët tonë. Por, PDK nuk do të bëhet palë e një procesi që do të prodhonte një president që thellon përçarjen e brendshme dhe e izolon Kosovën jashtë.
Republika jonë është mbi interesat politike dhe egot personale. Kushdo që kërkon votat e deputetëve të PDK-së në Kuvendin e Kosovës, duhet ta kuptojë njëherë e përgjithmonë, që në atë propozim e ka brenda edhe kandidatin e PDK-së!
Barrikadimi pas propozimeve individuale, ende pa filluar një diskutim politik ndërmjet partive parlamentare, është i dëmshëm dhe nuk e ndihmon tejkalimin e krizës por vetëm thellimin e saj.