Çështja e targave, NATO: Nëse rrezikohet stabiliteti, KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë
Kanë mbetur edhe pak ditë deri në afatin e fundit për kthimin e targave me shkurtesat e qyteteve të Kosovës nga periudha e para luftës, në ato RKS, teksa 31 tetori ka gërshetuar vëmendjen e Amerikës e Bashkimit Evropian (BE) që kanë deklaruar se nuk duan përshkallëzim të situatës.
Një zyrtar i NATO-s për “Klankosova.tv” ka thënë se misioni i KFOR-it është duke mbikëqyrur situatën në vazhdimësi.
“KFOR-i mbetet vigjilent dhe i gatshëm të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti”, ka thënë zyrtari i KFOR-it.
I njëjti ka thënë se misioni i NATO-s që vepron në Kosovë vazhdon çdo ditë punën për të siguruar lëvizjen e lirë.
“Misioni i KFOR-it i NATO-s vazhdon çdo ditë për të siguruar që të gjitha komunitetet në Kosovë të jenë të sigurta dhe të afta të lëvizin lirshëm, sipas mandatit të saj të OKB-së bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999”, ka thënë ai.
Gjatë ditës së djeshme, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të përmbahen nga hapat përshkallëzues.