Çështja e “Trepçës” të premten pritet të marrë epilog
Bordi mbikëqyrës i ndërmarrjes “Trepça”, i kryesuar nga Ardian Syla dhe kryetari i Sindikatës së kësaj ndërmarrje, Shyqiri Sadiku, janë pajtuar për draftstatutin e “Trepçës” i cili tani pritet të procedohet në Kuvendin e Kosovës.
Bordi mbikëqyrës i ndërmarrjes “Trepça”, i kryesuar nga Ardian Syla dhe kryetari i Sindikatës së kësaj ndërmarrje, Shyqiri Sadiku, janë pajtuar për draftstatutin e “Trepçës” në mbledhjen e së mërkurës, e cila është mbajtur në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.
Ndërkaq komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ka kthyer prapa projekt-statutin e “Trepçës” pas vërejtjeve që kanë dhënë deputetët e këtij komisioni në mbledhjen e së hënës.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se në mbledhjen e mbajtur të mërkurën të gjitha palët janë pajtuar për draftstatutin e “Trepçës”.
Sipas tij, shumë shpejt pritet t’i jepet epilog kësaj çështje. “Draftstatuti i ‘Trepçës’ të premten do të dorëzohet në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, mandej komisioni e trajton atë. Dhe, siç e dini, hyn në agjendë që të përfundojë në janar”, ka deklaruar Lluka.
Edhe kryesuesi i Bordit të “Trepçës”, Ardian Syla, për gazetën “Epoka e re” ka thënë se janë pajtuar njëzëri me sindikatën dhe grupet punese që më në fund të procedohet draftstatuti i “Trepçës”. Ai ka shprehur optimizëm se brenda janarit do të miratohet në Kuvend ky draftstatut.
“Në draftstatut u pajtuam të përfshihen vendburimet, përveç zonave të interesit që ishin të përfshira edhe në mbledhjen e fundit të Komisionit për Zhvillim Ekonomik. Në këtë mbledhje u pajtuam që në parim çdo gjë që kanë propozuar grupet punese që janë formuar me vendim të kryeministrit Haradinaj që inkorporohen në statut, përveç çështjeve sociale që ka hyrë një nen në statut që rregullohet me një ligj të veçantë, kurse edhe njësitë e tjera janë përfshirë ashtu siç ka rekomanduar grupi punues”, ka thënë Syla.
Mospajtimet në mes të bordit dhe Sindikatës së “Trepçës” kanë ekzistuar që nga korriku i vitit të kaluar për shkak të kërkesës nga sindikata që çështjet sociale të përfshihen në draftstatut dhe insistimit të bordit se çështjet sociale duhet të zgjidhen me ligj të veçantë.
Sadiku: Të ketë unitet për ‘Trepçën’
Për arritjen e pajtimit për draftstatutin e “Trepçës” ka folur edhe kryetari i Sindikatës, Shyqyri Sadiku, i cili ka apeluar që të ketë unitet në Kuvendin e Kosovës në mënyrë që kjo çështje të marrë epilog.
“Jemi pajtuar që të gjitha kërkesat tona që kemi pasur të inkorporohen në draftstatut, përveç çështjeve sociale që pritet të zgjidhen me Ligj të veçantë dhe për të cilat brenda tre muajve na ka premtuar ministri Lluka se do të gjejnë zgjidhje. Shfrytëzoj rastin të bëj thirrje te deputetët e Kuvendit të Kosovës që të kenë unitet dhe ta kalojmë këtë çështje”, u shpreh Sadiku.
Albulena S. MAVRAJ/ Epoka e re/