Çështja e viktimave të dhunës seksuale të jetë pjesë e dialogut me Serbinë
Drejtësia për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës është e domosdoshme, kurse çështja e kësaj kategorie duhet të jetë temë e diskutimit në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Kështu është thënë në konferencën me temën “Drejtësia për të mbijetuarat e dhunës seksuale të ndërlidhur me konflikt. Sidat dhe rruga përpara” e iniciuar nga organizata jo qeveritare “UN Women”.
Këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Jahja Lluka, është shprehur se të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë mbeten prioritet për Qeverinë e Kosovës.
Ndërsa koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara, Ulrika Richardson, ka deklaruar se duke mos i sjell para drejtësisë kryesit e këtij krimi jo vetëm që do pengohet gëzimi i të drejtave për këtë kategori, por edhe është barrierë edhe për stabilitetit dhe paqes.
Richardson i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të forcojë mekanizmat që merren me këtë çështje.
Në anën tjetër, Edi Gusia, drejtoresh e përgjithshme e Agjencisë për Barazi Gjinore, ka kërkuar që çështja e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës të bëhet temë diskutimi në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, pasi sipas saj mungesa e kësaj teme në dialog rrezikon sigurinë civile në vend.
Më tutje, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se tani është koha që të sillen para drejtësisë kryesit e krimit ndaj viktimave të dhunës seksuale.
I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe zëvendësministri i Drejtësisë, Fadil Nura, i cili ka bërë me dije së është duke u themeluar Departamenti për drejtësi tranzicionale, i cili do të merret në mënyrë të veçantë me penalizmin e krimeve të dhunës seksuale.