Çështja Gucati dhe Haradinaj: Aktgjykimi i apelit shpallet më 2 shkurt
17 janar 2023
| 10:34
Paneli i Gjykatës së Apelit e caktoi shpalljen e aktgjykimit të apelit në çështjen Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për datën 2 shkurt 2023, në ora 14:00, njoftojnë Dhomat e Specializuara.
Më 18 maj 2022 është shpallur aktgjykimi ndaj tyre, ku trupi gjykues i shpalli fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Ata u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim, dhe me gjobë prej 100 eurosh për secilin. Ndërkaq, u liruan nga përgjegjësia penale për hakmarrje.