Çështja “Mayorga”, akuzat ndaj Ronaldos në një fazë të re
Çështja Mayorga – Cristiano Ronaldo është pasuruar me zhvillime të reja. Avokati i vajzës, që akuzon sulmuesin e Juventusit për përdhunim në vitin 2009 në Las Vegas, Lesli Mark Stovall, ka mbërritur tashmë në Londër, për të zhvilluar një takim me Jasmine Lennard, një nga ish të dashurat e futbollistit, me këtë të fundit që kishte deklaruar se zotëronte prova kompromentuese për Ronaldon.
Takimi u konfirmua nga një prej anëtarëve të zyrës ligjore “Stovall&Associates”, por nuk u dhanë detaje në lidhje me temën e diskutimit. Ditë më parë, Jasmine Lennard, ish-konkurrente e “Big Brother”-it në Britani, e përkufizoi Cristiano Ronaldon si një “djalë mamaje milioner, metroseksual, psikopat e me një personalitet bipolar”.
Ajo shtoi në deklaratën e saj se ishte gati që ta ndihmonte Kathryn Mayorgën në betejën ligjore me Ronaldon për përdhunim, duke përmendur edhe ekzistencën e provave kundër tij. Avokati i Mayorgës, Stovall, iu përgjigj menjëherë këtij apeli për ta nisur betejën në gjykatë, në mënyrë që ta anulojë akordin e firmosur në atë kohë nga klientja e tij dhe futbollisti portugez për mospublikimin e ngjarjes dhe për të vijuar me goditjet e tij ndaj luzitanit.