Çështje ditësh, zyrtarizimi i kandidaturave të LV-së për zgjedhjet lokale
Partitë politike në Kosovë po vazhdojnë të publikojnë emrat e kandidatëve për kryetar të komunave për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 17 tetor, përveç partisë në pushtet e cila ende nuk e ka bërë publik asnjë prej emrave me të cilët synon t’i hyjë garës.
Deputeti i Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se kjo lëvizje është ende në shqyrtim të kandidaturave.
Ai ka bërë me dije se publikimi i emrave për secilën komunë është çështje ditësh.
“Ne jemi në kuadër të procesit të zgjedhjeve të brendshme të kandidatëve për kryetar komunash, jemi në mes të këtij procesi, tashmë ato po shqyrtohen nga kryesia qendrore para se të kalojnë për t’u votuar nëpër këshillat e qendrave. Besoj se është çështje ditësh kur do të publikohen kandidaturat për secilën komunë. Natyrisht do të jenë kandidatë që do të mundësojnë fitoren e madhe të Vetëvendosjes edhe më 17 tetor”, ka thënë Rrustemi për “Kosovapress”.
Ndërsa Bekim Salihu nga Instituti GAP ka theksuar se deri më tani partitë do të duhej t’i kishin të qarta listat me kandidatë me të cilët synojnë t’i hyjnë garës për zgjedhjet lokale.
“Besoj se janë dy arsye pse partitë politike nuk i kanë nominuar në tërësi akoma disa kandidatë, ose kandidate për kryetar komunash. Arsyeja e parë është fakti se partitë politike bëjnë sondazhe dhe e masin opinionin publik se cili kandidat ose kandidate potenicale mund të ketë avantazh në terren dhe ndoshta janë duke i pritur rezultatet e fundit në këtë drejtim, dhe arsyeja e dytë e cila mund të jetë më e rëndësishme se kjo e para, ka të bëjë me moskoncensusin e brendshëm partiak se kush të udhëheq me garën nëpër komuna, pra partitë politike në disa raste në disa komuna kanë treguar ose kanë reflektuar mospajtime të brendshme lidhur me emrat potencial që përmenden për të qenë udhëheqës të garës për të marrë pozitën e kryetarit të komunës”, ka deklaruar Salihu.
Deri më tani në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kanë aplikuar vetëm tetë subjekte politike.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar se nga këto subjekte pesë janë iniciativa qytetare, një parti politike dhe dy kandidatë të pavarur.
“Është duke vazhduar periudha e aplikimit të subjekteve politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit si dhe për dorëzimin e listës me emrat e kandidatëve për kryetar komune apo për Kuvende Komunale. Kjo periudhë përfundon më 16 gusht. Deri më tani kemi pranuar 8 aplikime të subjekteve politike, prej tyre 5 iniciativa qytetare, 1 parti politike dhe 2 kandidatë të pavarur”, ka thënë Valmir Elezi.
Zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të mbahen më 17 tetor të këtij viti. Për këto zgjedhje do të mbahet fushatë zgjedhore 30 ditë./Kp/