Çështjen e veteranëve të UÇK-së nuk mund ta zgjidhë drejtësia
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka bërë me dije se çështjen e numrit të veteranëve të UÇK-së nuk mund ta zgjidhin organet e drejtësisë.
Ai ka thënë se për zgjidhjen e këtij problemi duhet të shikohet që të gjendet një rrugë jashtë organeve të drejtësisë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Haliti, i cili është një ndër themeluesit e UÇK-së, ka treguar se komandantët e zonave dhe ata të brigadave kanë të dhëna për numrin e luftëtarëve të lirisë.
“Unë kam prirje t’i besoj drejtësisë, por mendoj se drejtësia apo prokuroria në Kosovë nuk mund ta zgjidhë këtë problem. Prokuroria duhet të përballet me secilin individ që mund të akuzohet për abuzim. Nëse dyshohen 19 mijë persona atëherë duhet të merren në pyetje 19 mijë veta”, ka thënë Haliti.
Ai nuk ka treguar për ndonjë ide konkrete se si mund të zgjidhet ky problem derisa ka kritikuar Ligjin për veteranët e UÇK-së.
“Nuk kam ndonjë ide konkrete për këtë çështje. Por, do të thosha se e mira e së mirës është që të gjendet një rrugë. Nuk kam ndonjë formulë konkrete se si mund të zgjidhet, sepse sikur të kisha ndonjë formulë do ta thosha. Unë atëherë kam dalë kundër mënyrës së përcaktimit të rregullave në ligj për të qenë veteran dikush. Mendoj se gabimet janë bërë në hapat e parë kur është miratuar ligji për kategoritë e luftës, pastaj të tjerat vijnë njëra pas tjetrës”, është shprehur ai.
Haliti ka kritikuar edhe propagandën e cila po bëhet ndaj veteranëve të UÇK-së. Ai ka sqaruar se nëse ka pasur abuzime me lista, përgjegjësia është individuale dhe askush nuk bën t’i fyejë veteranët.
“Mua më brengos fakti se është ngritur një propagandë, një tymnajë ndaj veteranëve, të cilën nuk e meritojnë ata. Përgjegjësia nëse ka pasur abuzime me këtë çështje, duhet të jetë individuale. Pra, përgjegjësia nuk mund të jetë grupore”, është shprehur Haliti.
Ai nuk ka dashur të flasë se sa ka qenë numri real i veteranëve të UÇK-së. “Nuk kam pasur asnjëherë evidencë të numrit të luftëtarëve, sepse unë nuk e kam pasur këtë detyrë. Prandaj nuk mund të them nëse kanë qenë 60 mijë, 10 mijë, 12 mijë apo 20 mijë siç po flitet. Shifrat janë të ndryshme, por mendoj se askush nuk po ia qëllon”, ka thënë nënkryetari i Kuvendit të Kosovës.
“Epoka e re”: Z. Haliti, në Kosovë është hapur debati për numrin e veteranëve të UÇK-së. Cili është qëndrimi juaj për këtë çështje?
Haliti: Tani është hapur një debat postfestum, sepse debati për miratimin e Ligjit për veteranët e UÇK-së ka qenë i hapur në parlament dhe atëherë ka qenë koha të parashihet gjithçka në ligj. Pra, që të parashihen masat konkrete vepruese kundër të gjithë atyre që abuzojnë me këtë çështje.
Së pari, mua më brengos fakti se është ngritur një propagandë, një tymnajë ndaj veteranëve, të cilën nuk e meritojnë. Përgjegjësia nëse ka pasur abuzime me këtë çështje duhet të jetë individuale dhe nuk mund të jetë grupore. Së dyti, sa i përket përgjegjësisë politike, do të thosha se nëse ka pasur marrëveshje për t’ua plotësuar egon strukturave të ndryshme politike në bazë të funksionimit që kanë pasur partitë politike ose koalicionet në faza të caktuara, atëherë përgjegjësia politike është e atyre që kanë bërë marrëveshje. Së treti, ekziston një mendim apo debat jomedial, por njeriu në jetën e përditshme mund të hasë shumë lehtë në individë të cilët tregojnë se njerëzit kanë paguar nga 3 mijë, 4 mijë, 5 mijë, 8 mijë apo 10 mijë euro për të marrë statusin e veteranit të UÇK-së. Kjo për mua është tepër shqetësuese, sepse për ta marrë dikush statusin e veteranit pa qenë në luftë apo pa qenë i lidhur me UÇK-në nuk është në rregull. Nuk do të thotë se veteran duhet të jetë vetëm një njëri që e ka mbajtur pushkën në dorë. Askush nuk mund ta mbaj pushkën në luftë nëse nuk ka logjistikë, nëse nuk ka mbështetje politike, nëse nuk ka diplomaci që e mbështet dhe nëse nuk ka financim. Pra, të gjitha këto janë të lidhura njëra me tjetrën dhe asnjëra pa tjetrën nuk mund të funksionojnë. Mendoj se për luftëtarët e lirisë, komandantët e zonave, komandantët e brigadave kanë të dhënat e tyre të mjaftueshme që tregojnë se kush ka qenë e kush nuk ka qenë në luftë. Kjo çështje mund të sqarohet. Për mua problemi kryesor është ligji dhe mënyra se si është miratuar ligji, i cili nuk e penalizon askënd. Në ligj nuk shkruan se nëse dikush abuzon mund të dënohet. Prandaj ne duhet që hap pas hapi të gjykojmë me gjakftohtësi dhe ta rregullojmë këtë çështje, sepse nuk mund të fshihen të gjithë ata që vërtet kanë kontribuar për lirinë e vendit.
“Epoka e re”: Ndonëse nuk ka shifër të saktë se sa individë kanë përfituar statusin e veteranit të UÇK-së, mirëpo në opinion përmenden shifra se këtë status e kanë fituar rreth 60 mijë persona. Sipas jush, është i fryrë ky numër?
Haliti: Nuk kam pasur asnjëherë evidencë të numrit të luftëtarëve, sepse unë nuk e kam pasur këtë detyrë. Prandaj nuk mund të them nëse kanë qenë 60 mijë veteranë, 10 mijë, 12 mijë apo 20 mijë siç po flitet. Shifrat janë të ndryshme, por mendoj se askush nuk po ia qëllon. Ajo që është shqetësuese, dhe që këtë shqetësim e kanë ngritur edhe mekanizmat ndërkombëtarë si FMN-ja dhe Ministria e Financave, është se ky trend i politikës në Kosovë, që të gjithë të bëhen veteranë të arsimit, veteranë të luftës, veteranë të kësaj apo të saj çështje, dhe që të gjithë të paguhen, do ta falimentojë shtetin. Kosova nuk e ka buxhetin e ShBA-së apo të Gjermanisë. Ky është një problem me të cilin Kosova do të ballafaqohet dhe buxheti i shtetit do të tkurret dhe do të ketë problem të funksionimit të shtetit.
“Epoka e re”: Me këtë çështje tani ka filluar të merret drejtësia. Kemi një draftakuzë, e cila thotë se rreth 19 mijë veteranë të UÇK-së këtë status e kanë fituar kundërligjshëm. A mund ta zgjidhë këtë çështje drejtësia?
Haliti: Unë kam prirje t’i besoj drejtësisë, por mendoj se drejtësia apo prokuroria në Kosovë nuk mund ta zgjidhë këtë problem. Prokuroria duhet të përballet me secilin individ që mund të akuzohet për abuzim. Nëse dyshohen 19 mijë persona, atëherë duhet të merren në pyetje 19 mijë veta. Nëse duam ta nxjerrin një ligj tjetër është krejt tjetër gjë. Besoj se drejtësia duhet të shohë se si të zgjidhet problemi. Unë, t’ju them të drejtën, nuk besoj se prokuroria mund ta zgjidhë këtë problem.
“Epoka e re”: Atëherë si do të zgjidhet ky problem. Keni ndonjë ide?
Haliti: Nuk kam ndonjë ide konkrete për këtë çështje, por do të thosha se e mira së mirës është të gjendet një rrugë. Nuk kam ndonjë formulë konkrete se si mund të zgjidhet, sepse sikur të kisha ndonjë formulë do ta thosha. Unë kam dalë kundër mënyrës së përcaktimit të rregullave në ligj për të qenë veteran dikush. Mendoj se gabimet janë bërë në hapat e parë kur është miratuar ligji për kategoritë e luftës, pastaj të tjerat vijnë njëra pas tjetrës.
“Epoka e re”: Kjo çështje ka marrë përmasa më të mëdha kur prokurori special, Elez Blakaj, i cili e ka përpiluar draftakuzën, ka dhënë dorëheqje me arsyetimin se ka qenë i kërcënuar. Pastaj kjo ka zgjuar reagimin e shoqërisë. Si e keni parë këtë veprim të tij?
Haliti: Përzierja e Qeverisë në çështjet e drejtësisë gjithmonë krijon reagime, sepse reagimet vijnë prej atyre që e dinë se Qeveria nuk mund të përzihet në çështjet e drejtësisë. Pra, Qeveria duhet ta bëjë punën e vet dhe drejtësia të veten. Nuk e di se çfarë kërcënimesh ka pasur ish-prokurori, përveç atyre që kam lexuar diçka në medie. Mendoj se nuk është mirë të përzihemi tek organet e drejtësisë, ashtu siç nuk është mirë që drejtësia, gjyqësia dhe prokurori ta konsiderojnë veten të varur nga Qeveria. Në demokraci pushtetet janë të ndara. Ne kemi Ministrinë e Drejtësisë, por kjo nuk do të thotë se kjo ministri është mbi organet e drejtësisë. Pra, pushteti gjyqësor është i pavarur dhe duhet ta kryejë punën e vet. Ajo që me shqetëson është se shumë herë këto organe, ndoshta për arsye të ndryshme, nuk e kryejnë detyrën e vet.
“Epoka e re”: Së fundmi në profilin tuaj në “Facebook” keni postuar një poezi të Fan Nolit, e cila nga shumëkush është interpretuar si një mesazh drejtuar ish-komandantëve të UÇK-së?
Haliti: Unë e kam nxjerrë në “Facebook” atë vetëm se më ka pëlqyer si poezi. Mendoj njësoj, ashtu siç shkruan në atë poezi, dhe kështu duhet të veprojmë të gjithë. Në qoftë se dikush është gjysmë, siç e thotë Noli, atëherë është mirë që ose të punojë dhe të bëhet i tërë ose të lëshojë rrugë.
“Epoka e re”: Pra ka qenë mesazh për të gjithë shoqërinë?
Haliti: Ka qenë mesazh për secilin. Unë mund të them se ajo poezi është mesazh për mësuesin, për gazetarin, për deputetin, për ministrin, për prokurorinë, për veteranin, për pastruesin, për kryetarin e komunës dhe për asamblistin. Pra, është mesazh për të gjithë. Nëse kemi një profesion, atëherë duhet ta kryejmë detyrën që e kemi.