Çfarë arsimi na duhet?

26 prill 2018 | 17:37

Prof. ass. dr. Ragip Gjoshi

Në këtë epokë të dijeve dhe epokë digjitale

Në ditët e sotme, kur para mësuesve shtrohen kërkesa të reja, atyre më tepër se një trajnim formal u nevojitet përpjekje për ta zbatuar një kurrikulë të re të edukimit. Andaj kjo ide dhe kjo situatë e re shpërfaqet rolin e universiteteve tona publike, të cilët me Ligjin e arsimit të lartë kanë të rezervuar të drejtën e përgatitjes së mësuesve të ri. Domethënë, gjendja aktuale shtron kërkesa të reja që përmes formave të reja të edukimit të ndërtojmë strategji dhe programe zhvillimi.

Kërkesat e kurrikulës bashkëkohore të bazuar në kompetenca, vënë në pah fatin se është tepër pak që mësuesit tanë të pajisen vetëm me diplomë dhe licencë për ushtrimin e profesionit të mësuesisë. Sfidat e reja të shoqërisë që tashmë e kemi pagëzuar si “shoqëri e dijes”, “erë globale”, “epokë digjitale” dhe përkufizime të tjera metaforike e figurative, para sistemit arsimor të Kosovës, para MAShT-it, agjencive të specializuara në fushën e formimit të vazhdueshëm të mësuesve, shtrojnë detyra e kërkesa të reja të shumta. Kosova dhe sistemi i saj i arsimit ndodhen përballë një reforme sistematike, e cila kërkohet të jetë efikase dhe e qëndrueshme.

Në mesin e kërkesave do të shquhej nxitja e debatit dhe përpjekjeve institucionale e ligjore për gjetjen e formave për zhvillimin profesional të mësuesve, sepse ata janë çelësi i suksesit të realizimit të këtij projekti kombëtar për t’i shndërruar dijet dhe jo veç diplomat ekuivalente me ato që fitohen në shtetet e BE-së. Agjentët e realizimit të këtij synimi duhet të jenë të shumtë. Sa më të shumëfishta strategjitë e mbështetjes, edhe buxheti shtetëror duhet të shumëfishohet më shumë.

Shkolla është dera e parë ku promovohen shumë vlera të demokracisë.

Shkolla është vendi ku nis filli i ndryshimeve politike, ekonomike, të drejtësisë, shëndetësisë, arsimit, por edhe cilësia e qeverisjes së vendit. Në këtë kohë të globalizmit, arsimimi dhe zhvillimi i vazhdueshëm profesional i mësuesve u referohet politikave, programeve, strategjive dhe procedurave të hartuara për t’i pajisur mësuesit me njohuri, shprehi, shkathtësi, qëndrime, sjellje, aftësi dhe kompetenca, që ata kanë nevojë për t’i kryer detyrat e tyre të rëndësishme në mënyrë efektive në klasë, në shkollë dhe në komunitetin e më gjerë.

Fuqia intelektuale e mësuesve kërkohet të shënojë një rritje të tipareve të erës globale…

Është koha e fundit që politikëbërësit e arsimit t’i ndërmarrin të gjitha veprimet që reflektohen te fuqia intelektuale e mësuesve. Kjo fuqi intelektuale kërkohet të njohë një rritje dhe të përshkohet nga tipare të erës globale që drejtpërdrejt pasqyrohet te zhvillimi bashkëkohor në arsim në këtë epokë të dijeve dhe në këtë epokë digjitale. Prandaj, krahas reformimit kurrikular, reformimit të metodologjisë së mësimdhënies dhe të teksteve mësimore e mjeteve mësimore, shtohet kërkesa parësore që këto reforma të jenë në bashkëveprim me reformat në arsimin e lartë. Në këtë pikë do të duhej të pajtohen të gjithë pjesëtarët e armatës së madhe që janë të përfshirë në gjithë zinxhirin e sistemit arsimor në të gjitha nivelet.

Besoj se është koha e fundit që universitetet, respektivisht Fakultetet e Edukimit, të punojnë shumë në planin e integruar të potencialit të tyre, por edhe të kërkuarit të ndihmesës dhe asistencës më të madhe të ekspertëve të jashtëm, që të përfshihen institucionalisht në skemën për zhvillimin profesional të mësuesve për gjatë gjithë jetës. Madje për këtë qëllim disa nga Fakultetet e Edukimit të universiteteve tona do të duhej të akreditojnë programe të veçanta për zhvillimin e mësuesve. Kjo përpjekje institucionale do të duhej të bëhej për shumë arsye.

Reforma duhet të thellohet e të zgjerohet për arsye se: a) sistemi arsimor në Republikën e Kosovës është në një etapë të re zhvillimit, në atë të sigurimit të cilësisë, ndërkohë që kjo hallkë përballet me sfida; b) se zhvillimet e brendshme dhe dinamika e interesave të tregut të punës dhe të nxënësve e studentëve, bazuar kushtet e kërkesave për integrim në kuadrin evropian të kualifikimit dhe zhvillimit të kompetencave të profesioneve, kane ecur shumë para; c) sepse sistemi arsimor po përballet me tendencën e zgjidhjeve pragmatike, duke devijuar shpesh përputhshmërinë e reformave me koherencën me realitetin e shkollës; d) sepse në kushtet e reformës në proces, ndryshimet kërkojnë sinkronizim të lëvizjeve nga lart dhe poshtë.

Reforma duhet të shtrihet fuqishëm, e për këtë arsye mund të konkludohet se është kërkesë imediate e kohës që universitetet publike të marrin përgjegjësi kombëtare për cilësinë e të nxënit dhe atë të mësuesve, duke bërë që mësuesit e dalë prej tyre të mos nëpërkëmben dhe të mos mbeten në dorën e OJQ-ve, të cilat, me gjithë “kapacitetet” që kanë, nuk mbajnë përgjegjësi për atë çfarë u ofrojnë mësuesve: Kur? Sa? Si? Për këto arsye dhe shumë të tjera, sistemi arsimor parauniversitar i Kosovës duhet t’u bëjë apel universiteteve për të marrë më shumë përgjegjësi dhe për të ofruar risi konceptuale mbi synimet e reformës për më shumë cilësi, për më shumë të mësuar për gjatë gjithë jetës, për më shumë kompetenca dhe performancë, për më shumë koherencë në kurrikulat, për më shumë gjithëpërfshirje dhe përdorim të teknologjive bashkëkohore në mësimdhënie, sidomos në hartimin e teksteve të reja mësimore që janë vonuar shumë. Hartimi dhe botimi i teksteve të reja është dashur të jetë i sinkronizuar me dinamikën e zbatimit të kurrikulës së re.

Duke ndaluar në situatën aktuale, vihet re se pesha për formimin e zhvillimit të vazhdueshëm profesional të mësuesve, për të cilët më shumë po shqetësohen disa OJQ, të cilat, financiarisht, janë bërë edhe më të fuqishme se vetë MAShT-i. Me gjithë lëvizjet pozitive të reformimit kurrikular dhe të zhvillimit profesional të mësuesve që po bëhet, duke u mbështetur edhe në dispozitat aktuale për formimin e zhvillimin e vazhdueshëm të mësuesve, duket se shpesh proceset e formimit të mësuesve po degradojnë dhe qëllimi dhe pikësynimi po rrudhet. Roli i trajnerëve për çështje shumë të mëdha kurrikulare po shoqërohet me dobësi dhe mangësi në formimin e tyre. Një çështje tjetër degraduese është edhe organizimi i trajnimeve formale sa për të figuruar në dosjet e mësuesve një dëshmi se ata kanë përmbushur një kërkesë ligjore. Pikërisht për shkak të këtyre dobësive dhe të tjerave që opinioni arsimor i ka të ditura, këto devijime e të meta mund t’i korrigjojnë veç universitetet tona publike. Universitetet tona kërkohet ta luajnë rolin e akreditimit të këtyre kapaciteteve dhe të vënë kontroll në rrugë shkencore e institucionale. Këta organizma duhet të konkurrojnë në universitete dhe të certifikohen zyrtarisht. Po ashtu, këto certifikata të jenë rezultat i kontrollit të cilësisë dhe jo vetëm i një pjesëmarrjeje të pasigurt dhe të kontrolluar.

Zhvillimi profesional i mësuesve nuk duhet lënë në dëshirën e individit, i cili kërkon dhe gjen lehtësira. Mësimdhënia për të maksimalizuar të nxënit, arritjet dhe cilësia e të nxënit është e garantuar në këtë udhë institucionale. Në këtë kontekst të ri, mësuesve, më tepër se një trajnim, iu nevojitet një kurrikulë e re edukimi, një tekst bashkëkohor, mjete mësimore bashkëkohore dhe teknologji e metodologji të reja mësimore. Është kohë e fundit qe të dalë në pah roli i universiteteve, veçanërisht i Fakulteteve të Edukimit, të cilët, përmes formave të reja të edukimit, duhet të ndërtojnë strategji dhe programe të zhvillimit të vazhdueshëm. Për arritjen e një mësimdhënie bashkëkohore e për të maksimalizuar të nxënit, universitetet duhen të jenë ndihmësit më të afërt të mësuesve, pasi aty është vendi i strategjive bashkëkohore të mësimdhënies.

Është koha për mësim dhe mësues bashkëkohorë

 MAShT-i dhe universitetet tona është koha e fundit t’i ndalojnë trendët e deritashëm pengues. Nëse shteti ka rezervuar të drejtën e formimit intelektual e profesional të mësimdhënësve, do të duhej patjetër që këtë të drejtë ta ruajë deri në fund. Pra, shteti duhet ta rezervojë edhe të drejtën e zhvillimit profesional të mësuesve. Për përfshirjen institucionale dhe me përgjegjësi të universiteteve në skemën e zhvillimit profesional të mësuesve, kërkohet të ristrukturohet zhvillimi profesional i mësuesve. Në kuadër të reformimit të arsimit të lartë, në arsimin universitar mendoj se duhet përfshirë edhe kjo çështje. Nga universitetet duhet të kërkohet që mësuesit të ofrohen pranë universiteteve për t’i freskuar dhe shtuar dijet e tyre shkencore, herë-herë të harruara, të vjetruara, apo të pamësuara mirë në kohën e jetës si studentë, pjesë të kurrikulave të reja të përfshira në përmbajtjen e kurrikulës universitare dhe të munguara në formimin e mësuesve.

Një projekt i përmasave kombëtare (që do të duhej t’u besohej Fakulteteve të Edukimit që janë ndër më të përgatiturat), për këtë qëllim, do të dimensionohej në disa nivele: 1. Projekte dhe module të detyrueshme ku të përfshihen çështje që lidhen me formimin e përgjithshëm shkencor dhe kurrikular të mësuesve për shtim dhe freskim dijesh dhe praktikash bashkëkohore. Përgjegjës për këtë nivel duhet të jenë këto universitete që paraprakisht për këtë destinim do të duhej të akreditoheshin; 2. Projekte dhe module të rëndësishme të cilat përfshijnë çështje që lidhen me tema të rëndësishme të organizimit të mësimdhënies, me risi didaktike që qarkullojnë në vazhdimësi. Ky nivel mund të kryhet nga universitetet, kryesisht programet e të cilave kanë kaluar në një vlerësim të fortë nga institucione të certifikuara; 3.

Projekte dhe module specifike, të cilat mund t’i zgjedhin mësuesit, sipas nevojave dhe interesave profesionale të tilla si: edukimi i fëmijëve me nevoja të veçanta, autikë etj. Skemat e trajnimit të mbështetura në modele të tilla si kllaster, kaskadë, apo mbi bazë shkolle, nevojiten dhe mund të përdoren kur kemi çështje të përbashkëta për të cilat duhet të marrin dijeni të gjithë mësuesit, përfshirë edhe mësimdhënësit në arsimin profesional.

Përkufizimi ligjor dhe përfshirja e mësuesve në skema të tilla me një projekt sistematik pa dyshim se reflekton edhe rezultatin. Përfshirja e universiteteve në fushën e formimit të vazhdueshëm të mësuesve duhet të kuptohet dhe zbatohet edhe për shumë arsye të tjera, si: Formimi i mësuesve sipas kërkesave bashkëkohore evropiane. Futja e qëndrueshme e universiteteve në sistemin e ofruesve të shërbimeve për mësuesit në detyrë, e kjo shumëfishon vlerat e profesionit të mësuesit. Universiteti ka fuqinë ta sjellë profesionalizimin për të kuptuar dhe për t’i trajtuar problemet e shkollës. Vlera e shtuar pritet në rritjen e cilësisë së punës së mësuesit. Futja e universiteteve në sistemin e përgatitjes së mësuesve diktohet nga domosdoshmëria e modernizimit të profesionit të mësuesisë. Përfshirja e universiteteve për më shumë kontribut lidhur me aftësimin e mësuesve, me detyrat e tyre dhe me detyrimet e shkollës, është domosdoshmëri edhe për faktin se vetë universitetet kanë nevojë të mësojnë dhe të freskohen dhe të mësojnë çfarë ndodh në shkollë.

Është shans i ri dhe kontribut për marrjen e rezultateve dhe cilësisë së dëshiruar sistemi arsimor (parauniversitar dhe universitar). Këto programe do të definonin se ç’duhet të bëjnë shkollat? Ky program do t’i definonte edhe nevojat e nxënësit apo kushtet e sistemit. Këto do të ishin prurjet parauniversitare. Por, kjo është një sfidë e madhe për mësuesit dhe nuk mund ta kapërcejnë lehtë. Shkollat dhe mësuesit kanë nevojë për universitetet dhe përfaqësuesit e ekonomisë të përpunojnë me individë të suksesshëm. Futja e universiteteve në përgatitjen dhe trajnimin e mësuesve do ta lehtësonte çështjen e balancës kurrikulare dhe do t’i bënte më të frytshme prurjet parauniversitare në botën e arsimit universitar ose të prodhimit. Formimi i vazhdueshëm i mësuesve nuk është investim për të ardhmen.

Universitetet duhet ta marrin rolin e liderit, edhe pse dinamika e jetës është imponuese, qe shkolla do të vijojë të tregojë ndjeshmëri. Universitetet duhen të jenë ndihmësit më të afërt të mësuesve, pasi kanë detyrë t’i njohin si strategjitë bashkëkohore të mësimdhënies, ashtu edhe informacionin më të fundit se si nxënë fëmijët. Ata mund të ndihmojnë shumë më shumë se të gjithë aktorët e tjerë në identifikimin e strategjive dhe të rrugëve të kryerjes së përgjegjësive profesionale në shkolla. Universiteti ofron zhvillim profesional të specializuar në bazë shkolle. Nevojat e mësuesve janë të ndryshme. Edhe pse mund të punojnë në të njëjtin vend, ato nuk ngjajnë me nevojat e kolegëve të së njëjtës shkollë. Përmes kësaj strukture ai është një ushqyes i natyrshëm për formimin e mësuesve sipas nevojave personale.

Programet për zhvillim profesional të këtyre njësive shkencore mbi bazë shkolle mund të orientohen nga departamentet universitare. Fare në fund, kam bindjen se roli i universiteteve duhet të jetë shumë i fortë në fushën e zhvillimit profesional të mësuesve, me synim rritjen e cilësisë së arsimit në tërësi.

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
 Është nënshkruar memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe…