Çfarë bëjnë komunat paralele serbe në Kosovë?
Hyrja e kryetarëve shqiptarë në objektet komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, nuk i shoi institucionet paralele serbe atje, por vetëm nxiti transferimin e tyre në objekte të tjera.
Në këto tri komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës, institucionet e Kosovës dhe strukturat paralele të Serbisë funksiononin në të njëjtin objekt.
Madje, në disa raste, si në atë të Leposaviqit, i njëjti person shërbente si kryetar i dy institucioneve. Tani që Lulzim Hetemi është kryetar i Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq kryen punën e kryetarit të institucionit paralel serb prej një objekti tjetër. Por, kjo formulë nuk vlen për të gjitha komunat. Në sistemin e Kosovës, Mitrovica e Veriut dhe ajo e Jugut janë dy komuna të ndara, ndërsa sipas sistemit paralel serb, ekziston vetëm e ashtuquajtura komunë e Mitrovicës së Kosovës. Që të tria sot funksionojnë në objekte të ndryshme. Në disa rajone, kryesisht rurale, strukturat paralele funksionojnë nëpër shtëpi të marra me qira.
Çfarë janë strukturat paralele?
Ato janë institucione që funksionojnë në Kosovë që nga paslufta, me mbështetje financiare dhe me direktiva nga Qeveria e Serbisë, e cila nuk e njeh shtetësinë e Kosovës. Për Serbinë, ato janë “organe të përkohshme”. Për Kosovën janë struktura ilegale, në kundërshtim me Kushtetutën – prandaj ajo i ka mbyllur shtatë të tilla ditëve të fundit. Që nga viti 1999 në Kosovë funksionojnë afër 30 komuna paralele. Koka e tyre është Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Teksa zgjedhjet për këto komuna paralele nuk janë mbajtur prej vitit 2012, kryetarët e tyre i emëron ekzekutivi në Serbi.
Në kuadër të komunave, kryesisht në veri të Kosovës, ekzistojnë edhe dhjetëra ndërmarrje publike, kopshte për fëmijë, shkolla fillore e të mesme, universitete publike, klube sportive, biblioteka, qendra kulturore e të tjera.
Çfarë shërbimesh ofrojnë?
Një pjesë e strukturave paralele i kanë ueb-faqet e tyre, ose llogaritë në rrjete sociale. Disa faqe janë aktive – e Leposaviqit, e Zubin Potokut dhe e Mitrovicës – disa jo. Në terren, komunat me shumicë serbe në veri janë shumë më të zgjeruara. Ato vendosin edhe për ndërtimin e objekteve banesore për personat e zhvendosur, për çiftet e sapomartuara dhe për personat me kushte jo të mira ekonomike, si dhe rindërtimin e rrugëve dhe renovimin apo ndërtimin e institucioneve arsimore e shëndetësore. Këto komuna paralele kanë departamente për inspektim, për ekonomi dhe financa, dhe për mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore.
Ato i pajisin qytetarët në Kosovë me certifikata të lindjes e të vdekjes, me autorizime e me dokumente të ngjashme.
Cilat janë detyrat kryesore të tyre?
Të ofrojnë shërbime për qytetarët në Kosovë. Sipas presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, Serbia ka në Kosovë 31.831 persona të punësuar, 29.115 pensionistë dhe 31.586 shfrytëzues të ndihmës sociale, të cilët i paguan në dinarë serbë.
Pagat në fushën e arsimit dhe atë të shëndetësisë kalojnë përmes Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Sipas një projektstatuti të hartuar nga Perëndimi për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, institucionet serbe të shëndetësisë dhe të arsimit – që janë paralele dhe jo të paligjshme – janë paraparë të regjistrohen si institucione private.
Pagat dhe angazhimi
Në institucionet paralele të arsimit dhe të shëndetësisë, punonjësit marrin paga dukshëm më të mëdha, sepse shteti serb ndan për ta një shumë shtesë, përveç pagës. Për shembull, infermierët mund të marrin pagë deri në 1 200 euro, kurse mjekët deri në 3 000 euro, ndërkaq punonjësit e arsimit nga 900 euro deri në 1 300 euro. Sipas sistemit të Kosovës, mjeku i përgjithshëm e ka pagën 777 euro, ndërsa mësimdhënësi në shkollën e mesme 609 euro.
Për dallim prej strukturave paralele në veri, në zonat që kanë pak serbë, në jug të Ibrit – shembull në Kaçanik e Suharekë – pjesa më e madhe e punëtorëve nuk dihet as se çfarë bëjnë. Ligji për Financat e Pushtetit Lokal në Kosovë e lejon dërgimin e ndihmave financiare nga Serbia. Shteti serb i ka ndarë 139 milionë euro për serbët në Kosovë për vitin 2024 – rreth 11 milionë më shumë sesa më 2023. Disa ekspertë kanë dilema për këto shuma, duke thënë se investimet e Serbisë në Kosovë kanë qenë jotransparente ndër vite. /REL/