Çfarë bëri dje Sveçla kurrë nuk do të bënte Agim Veliu
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK-së), Isa Mustafa, ka treguar sot arsyen se pse në takimin për ndarje të ministrive me Albin Kurtin, shefi i Lëvizjes Vetëvendosje (LV-së), të parin dikaster e kishte zgjedhur MPB-në. Sipas tij, kishte dyshime se LV-ja do ta keqpërdorte këtë ministri për burgosje të kundërshtarëve, për sajime të dosjeve, për kërcënime, se do t’u hakmerret policëve dhe eprorëve të tyre që i mbronin institucionet atëherë kur LV-ja ushtronte dhunë. Ai ka shprehur bindjen se këtë çfarë ka bërë Sveçla dje nuk do ta bënte kurrë Agim Veliu.
“Të nderuar qytetarë, këtë nuk do ta bënte për jetë të jetëve, z. Agim Veliu, i cili u shkarkua arbitrarisht nga z. Kurti sikurse asnjë ministër tjetër i LDK-së.
Të kërcënojë një zëvendësministër në detyrë se do ta arrestojë deputetin, që ka legjitimitet të përfaqësimit të qytetarëve, është argument se ai është vënë mbi ligjin.
Deri më sot, qytetarët i ka arrestuar policia me kërkesë të prokurorit apo në flagrancë, por jo me diktate politike të ministrave dhe zëvendësministrave sepse, si të tillë, ata janë të emëruar politikë.
Policia drejtohet nga drejtori i policisë dhe vepron sipas Ligjit për Policinë, nuk drejtohet nga ministri dhe zëvendësministri, qofshin në detyrë apo jashtë detyre.
Unë pres që prokuroria ta trajtojë një sjellje të tillë, nëse jo, ta arsyetojë bazën ligjore të një kërcënimi të tillë puçist ndaj një deputeti”, ka shkruar Mustafa.