Çfarë do të ndodhë me Specialen nëse rezoluta e Shqipërisë miratohet në Këshillin e Evropës?
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të mbajë sot një fjalim në Këshillin e Evropës, ku do të paraqes një Rezolutë të Shqipërisë kundër raportit të Dick Martyt.
Kuvendi i Shqipërisë në 12 gusht të këtij viti, i përcolli zyrtarisht Këshillit të Evropës rezolutën “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, miratuar unanimisht në Kuvendin e Shqipërisë më 21 korrik 2022.
Lidhur me këtë çështje “lajmi.net” ka kontaktuar avokatin Skënder Musa dhe njohësin e çështjeve juridike nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj.
Sipas avokatit Musa, nëse arrihet të shpallet i rrejshëm raporti i Dick Marty-t, atëherë do të hapen rrugët për t’u ndryshuar ligji për Dhomat e Specializuara.
“Nëse arrihet të shpallet i rrejshëm raporti i Dick Martyt, ndikimi është shumë i madh për shkak se pikërisht rezultatet kanë qenë shtylla kryesore për themelimin e Gjykatës Speciale në Hagë. Atëherë të gjitha rrugët ligjore të institucioneve të Kosovës do të çelen për me ndryshuar ligjin për Dhomat e Specializuara dhe me anulua atë ligj. Dhe me të njëjtat përgjegjësi e të njëjtat akuza me ngarkuar Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe departamentin special”, ka thënë Musa.
Po ashtu avokati Musa, veçanërisht ka përmendur premtimet e partive politike, e që thotë se para zgjedhjeve të gjitha kanë qenë kundër Gjykatës Speciale.
I pyetur nëse mendon se a do të miratohet kërkesa e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, avokati u shpreh optimist për faktin që sipas tij BE-ja e ka kuptuar se ai raport ishte i sponsorizuar nga Serbia dhe Rusia.
“Mendoj që mundet mu aprovuar kërkesa e Shqipërisë, ose Rezoluta e paraqitur nga deputetët shqiptarë për shkak se me vet aktakuzat që janë që janë paraqitur në Gjykatën Speciale dhe asnjë rast nuk është pjesë e raportit të Dick Marty-t dhe tashmë të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës e kanë kuptuar që raporti i Dick Marty-t ka qenë një raport i sponsorizuar nga Serbia dhe Rusia dhe si i tillë mendoj që do të aprovohet”, ka thënë Musa.
Ndërsa njohësi i çështjeve juridike, njëherësh drejtor në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj është shprehur se rezoluta e iniciuar nga Shqipëria, mund të këtë efekt në aspektin politik dhe diplomatik në kuptim të kontestimit të besueshmërisë së raportit të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme, por që në aspektin juridik nuk mund të prodhojë asnjë pasojë.
“Kosova ka themeluar dhe funksionalizuar Gjykatën Speciale, përmes amandamentimit të Kushtetutës, miratimit të ligjit të veçantë, si dhe lidhjes se marrëveshjeve bilaterale me Mbretërinë e Holandës, si rezultat i zotimit ndërkombëtar qe institucionet e republikës së Kosovës kanë marrë ndaj partnerëve strategjik ndërkombëtar. Andaj të gjitha këto nuk mund të zhbëhen apo shfuqizohen edhe nëse Rezoluta e propozuar nga Shqipëria miratohet”, ka thënë Miftaraj.
Ndryshe asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës i kërkohet të rishikojë Rezolutën 1782 (2011), ku do të shpallen të pabazuara pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe përsa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pritet që të mbajë fjalimin e paralajmëruar në orën 15:30.
Në kuadër të Gjykatës Speciale në Hagë vazhdojnë të gjykohen shumë prej ish-figurave publike të rëndësishme në vend. Nga ky proces gjyqësor vazhdojnë të mbahen ende në Hagë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, e disa të tjerë.
Për disa vite radhazi, ish-drejtuesit e UÇK-së po zvarriten nga një proces gjyqësor i ngritur në bazën e pretendimeve të raportit të Dick Marty-t, i cili po ashtu muaj më parë ka deklaruar se ka pasur një atentat për “vrasjen e tij”, e që dyshohet të jetë organizuar pikërisht nga serbët.
I njëjti vazhdon që ende të jetë nën sigurinë e mbrojtjes së afërt, për shkak të kinse rrezikut të kanosur nga këto kërcënime.