Çfarë do të thotë alarmi i NATO-s për potencialin e destabilizimit gjatë periudhës zgjedhore në Kosovë?

19 janar 2025 | 13:28

Aleanca Veri – Atlantike ka ngritur vigjilencën dhe është në kontakt me Kosovën dhe Serbinë për të siguruar që Zgjedhjet Parlamentare që do të zhvillohen më 9 shkurt të mos çojnë deri te destabilizimi.

Kështu të paktën njoftoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë një debati që u zhvillua në Komisionin për Politikë të Jashtme dhe Mbrojtjes në Parlamentin Evropian në Bruksel.

Për Mentor Vrajollin, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), në Kosovë ka aktorë që kanë për synim destabilizimin e Kosovës, andaj beson ai në këtë rast tre akterë duhet të mbahen përgjegjës – Kosova, Serbia dhe KFOR-i.

“Kosova, për faktin që duhet t’i ngrit masat e sigurisë, e ne anën tjetër retorika zgjedhore duhet të mos jetë nxitëse, por e përmbajtur. Serbia për faktin që ajo është nxitësja kryesore e incidenteve në Kosovë dhe po ashtu i strehon disa qindra terrorist të përfshirë në Banjska. KFOR-i për faktin që NATO është duke insistuar që FSK të mos i dal në mbështetje Policisë së Kosovës në Veri te vendit, përkundër gjendjes emergjente”, thotë ai për “Albanian Post”.

Andaj, në vlerësimin e tij Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, duhet gjithsesi ta ngrit vigjilencën në Veri të Kosovës, me fokus të veçantë në kontrollin e vijës kufitare me Serbinë.

“Kufiri i Kosovës me Serbinë duhet të jetë i pakalueshëm për kalime ilegale për të garantuar që siguria ne Veri do të jete në suaza të normales. E një gjë e tillë është esenciale që të kemi zgjedhje të mira në këtë pjesë te vendit”, shton ai.

Ndërkohë për Ish-kryeinspektorin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Burim Ramadani, deklarata e Rutte-s sa është alarmuese, ka për synim edhe vetëdijesimin.

“Alarmuese për sektorin e sigurisë, që të mbajnë vigjilencën lart profesionalisht. Dhe, vetëdijësuese për të gjithë qytetarët që mos të jenë pre e asnjë lloj agjende përçarëse të jashtme apo të brendshme”, ka shkruar ai në platformën sociale në Facebook.

Ndryshe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) njoftoi se po e përforcon Njësinë Policore të Specializuar nëpërmjet dislokimit të përkohshëm të pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmërisë.

Forca nga Franca, Italia, Lituania dhe Portugalia u tha se do të punojnë krah Njësisë, të siguruar nga Policia e Polonisë për të përmbushur mandatin e Misionit në mbështetje të stabilitetit në mbarë Kosovën.

Në anën tjetër, më 15 janar Policia e Kosovës, e pakoordinuar me Prokurorinë Speciale zhvilloi një aksion ku u mbyllën komunat paralele serbe në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skenderaj si dhe posta e zyre tatimore ilegale.

Bashkimi Evropian deklaroi se mbyllja e strukturave që funksiononin ilegalisht nën sistemin serb, në mes të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare që janë caktuar për 9 shkurt, nuk është në përputhje me detyrimet e Kosovës ndaj BE-së, duke shtuar se problemi i strukturave paralele serbe duhet të zgjidhet në kornizën e dialogut të normalizimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një zëdhënës i ushtrisë ukrainase pretendoi se situata në Pokrovks…