Çfarë do të thotë të sanksionohesh nga ShBA-ja dhe kush janë të përfshirët nga Kosova në listë?
Dhjetëra zyrtarë të Ballkanit Perëndimor janë në listën e zezë amerikane. Dikush për korrupsion, dikush për destabilizim të shtetit, një tjetër për krim të organizuar. Si ndëshkohen këta zyrtarë nga SHBA-ja dhe a mund të hiqen nga lista?
Dhjetëra figura me ndikim të Ballkanit Perëndimor janë të përfshira në listën e zezë amerikane. Kohëve të fundit, ndër më të shënjestruarit janë politikanët e Bosnje-Hercegovinës, shtatë vetëm këtë vit.
Ditë më parë në listë janë shtuar anëtarja serbe e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, kryetari i Parlamentit të Republikës Sërpska, Nenad Stevandiq, kryeministri i këtij entiteti, Radovan Vishkoviq dhe ministri i Drejtësisë në Republikën Sërpska, Millosh Bukejlloviq.
I sanksionuar, edhe atë dyfish, nga autoritetet amerikane është presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik.
Sipas vendimit, ata po minojnë Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995, e cila u dha fund lufitimeve në Bosnje, si dhe procese të tjera demokratike.
Nga Serbia, këtë vit është shtuar në listë Aleksandar Vulin, drejtor i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit. Vulin është zyrtari më i lartë i Serbisë që është sanksionuar nga ShBA’ja prej kur Aleksandar Vuçiq është në krye të shtetit.
Departamenti amerikan i Thesarit ka thënë se Vulini është përfshirë në korrupsion dhe operacione narkotike ilegale, keqpërdorim të pozitës zyrtare, si dhe ka mbajtur lidhje me Rusinë.
Nga Maqedonia e Veriut, autoritetet amerikane kanë sanksionuar biznesmenin Jordan Orce Kamçev, për përfshirje në disa afera korruptive.
Kur shtohet dikush në listë të zezë?
Atëherë kur autoritetet amerikane vlerësojnë se figura me ndikim në një shtet janë përfshirë në afera korruptive, keqpërdorim të pozitës, trafikim droge, përfshirje në krim të organizuar, kur dikush e kërcënon stabilitetin e rajonit të Ballkanit apo përmes veprimeve të caktuara kërcënohet siguria kombëtare dhe politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara.
Si ndëshkohen të sanksionuarit?
U ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara, u ngrihen pronat që i kanë në Shtetet e Bashkuara, ose që janë në pronësi të shtetasve amerikanë dhe u ndalohet puna dhe kryerja e transaksioneve me shtetas amerikanë.
A mund të largohet dikush nga lista e zezë?
Po. Departamenti amerikan i Thesarit deklaron se qëllimi kryesor i sanksioneve nuk është ndëshkimi, por nxitja e ndryshimit pozitiv, prandaj edhe heq çdo vit qindra individë dhe subjekte nga lista.
Për t’u larguar nga lista, Departamentit amerikan të Thesarit, duhet nisur një kërkesë me të dhënat personale të personit të përfshirë në listë, kategorinë ku është përfshirë dhe një përshkrim të detajuar pse ai person duhet të largohet nga lista.
Për ta bërë këtë kërkesë, Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja thotë se nuk duhet angazhuar avokat.
Kush janë të përfshirët nga Kosova në këtë listë?
Më 2021, Departamenti amerikan i Thesarit i ka sanksionuar shtatë serbë nga Kosova për përfshirje në aktivitete të krimit të organizuar dhe korrupsionit: Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, Sërgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq, si dhe Radulle Steviq.
Zvonko Vesellinoviq është identifikuar si udhëheqës i grupit të krimit të organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.
Janë ende në listë të zezë: Azem Syla, Daut Haradinaj, Emrush Xhemajli, Fatmir Limaj, Rrustem Mustafa, Ramiz Lladrovci e Sami Lushtaku./REL