Çfarë duhet të dini për zgjedhjet për Parlamentin e ri Evropian?
Zgjedhjet për Parlamentin e ri Evropian do të mbahen në të gjitha 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian nga 6 deri më 9 qershor. Rreth 370 milionë qytetarë kanë të drejtë vote në gjithë bllokun, por jo të gjithë do të dalin në zgjedhje.
Sipas një sondazhi së fundmi, rreth 71 për qind e të anketuarve synojnë të votojnë dhe kjo do të ishte një shifër tejet e mirë. Në zgjedhjet e kaluara, më 2019, dalja në zgjedhje në gjithë BE-në ishte 50.7 për qind.
Kjo shifër vlerësohej si e mirë, sepse ishte hera e parë që numri ishte rritur prej se zgjedhjet e drejtpërdrejta për Parlament filluan të mbahen më 1979, duke i dhënë fund një trendi të rënies së vazhdueshme të përqindjes së daljes në zgjedhje.
Natyrisht, dalja në zgjedhje ndryshon shumë nga vendi në vend. Në Belgjikë dhe në Luksemburg, ku hedhja e votës është e detyrueshme, dalja në zgjedhje ishte gati 90 për qind para pesë vjetëve, ndërsa në Republikën e Çekisë ishte vetëm 28 për qind dhe në Sllovakinë fqinje vetëm 22 për qind.
Qytetarët e BE-së do t’i zgjedhin 720 anëtarë të Parlamentit nga të gjitha vendet anëtare, bazuar kryesisht në madhësinë e popullsisë së secilit vend. Pra, Gjermania do të dërgojë më së shumti ligjvënës në Bruksel/Strasburg – 96 eurodeputetë – ndërsa Qiproja, Luksemburgu dhe Malta nga 6 sosh secila.
Demokracia evropiane është paksa e çuditshme, dhe ndër çudirat e saj është se nuk e ka një “popull” evropian por 27 – që nënkupton se, derisa zgjedhjet quhet evropiane, në to garojnë partitë politike nacionale si, për shembull, social-demokratët në Gjermani (SPD), apo partia konservatore spanjolle Partido Popular (PP). Por, sapo eurodeputetët të emërohen nga listat nacionale, ata kanë prirje të bëhen pjesë e grupeve, apo familje politike trans-evropiane.
Në Parlamentin e mandatit 2019-2024 kishte shtatë grupe të tilla, të cilat duhet të përbëhen nga së paku 23 eurodeputetë nga të paktën shtatë vende të BE-së. Pritet që këto grupe të mbesin, por nuk mund të hidhet poshtë mundësia e krijimit të grupeve të reja. Lufta për eurodeputetë nga të gjitha anët ka filluar tashmë dhe vetëm sa do të rritet.
Grupi më i madh politik është ai i qendrës së djathtë, Partia e Popullit Evropian (EPP) – pjesë e së cilës janë CDU-ja gjermane dhe Platforma Civile polake (PO) – i ndjekur nga Socialistët dhe Demokratët (S&D) – që sjell së bashku partitë socialdemokrate të qendrës së majtë. Pastaj ka shumë grupe të tjera, duke nisur me Reneë, i cili mbledh partitë liberale dhe ato të qendrës, siç është Partia Renaissance e presidentit francez, Emmanuel Macron.
Pastaj është grupi i të Gjelbërve, ku bëjnë pjesë partitë e gjelbra dhe ato ekologjike, por edhe partitë pirate dhe separatistët katalanas. Grupi GUE/NGL grumbullon partitë komuniste dhe të ekstremit të majtë, ndërsa në anën tjetër të spektrit ideologjik janë Reformistët dhe Konservatorët Evropianë (ECR), të cilët vlerësohen nga disa si nacionalistë.
Një grup tjetër përbëhet nga partia çeke ODS, partia polake Ligj dhe Drejtësi (PiS), Demokratët Suedezë, Partia Finlandezët dhe partia e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, Vëllezërit e Italisë.
Dhe në fund është grupi Identiteti dhe Demokracia (ID), i cili ka anëtarë si partia e Marine Le Penit Lëvizja Nacionale, Partia e Lirisë e Austrisë (FPO) dhe Liga (Lega) e Matteo Salvinit. Ka edhe një numër partish pa grupe, të cilët shpesh ishin pjesë e ndonjërit prej grupeve, por u dëbuan dhe nuk kanë gjetur ende grup të ri. Ndër ta është partia Fidesz e Viktor Orbanit, e përjashtuar nga grupi EPP më 2021, apo Smeri i Robert Ficos, që u përjashtua nga S&D vitin e kaluar.
Politikat evropiane kanë të bëjnë me ndërtimin e koalicioneve, në fund të fundit. Sipas të gjitha gjasave, EPP-ja do të dalë e para përsëri, siç ka bërë në çdo palë zgjedhje për Parlament Evropian prej vitit 1999. Sondazhet sugjerojnë se ajo do t’i fitojë rreth 170 ulëse në Parlamentin e ri, që është më pak se para pesë vjetëve, dhe shumë më pak se në të kaluarën kur fitonte rregullisht nga 200 ulëse.
S&D-ja me gjasë do të përfundojë e dyta, sikur në të kaluarën, me rreth 140 ulëse, njëlloj si më 2019. Pesë grupet e tjera parashikohet të fitojnë nga 30 deri në 80 ulëse secili. Duket se Reneë dhe të Gjelbërit do të humbin ulëse, krahasuar me pesë vjet më parë, ndërsa ECR-ja do të fitojë më shumë. Por mund të ketë mbi 100 eurodeputetë që deri tani nuk janë pjesë e asnjë grupi, apo familjeje politike. Shumica e tyre do të jenë populistë, prandaj ka gjasa që të bëhen pjesë e ID-së apo ECR-së, apo të ndonjë grupi tjetër të djathtë që do të formohet.
Nëse llogarisim ulëset e projektuara për ID-në, ECR-në dhe deputetët pa grupe, të cilët me gjasë do të jenë djathtistë gjithashtu, dhe e shtojmë EPP-në e qendrës së djathtë, atëherë kemi 400 ulëse, pra një shumicë. Ama prisni. EPP-ja është, para së gjithash, shumë e zakonshme me një brez federalist në Parlamentin Evropian.
Është përfolur me vite për një supergrup euroskeptik, por deri tani nuk ka ndodhur asnjëherë, dhe nuk ka gjasa të ndodhë as tani. Pse? Është e pamundur ta zgjidhesh problemin e të qenët nacionalist në nivel evropian. Prandaj, shumë të ashtuquajtur populistë ndahen në dy grupe, ECR dhe ID, dhe mbase do ta krijojnë edhe të tretin. Ata mund të pajtohen se Brukseli duhet të ketë më pak pushtet./REL/