Çfarë e bëri dhe çfarë e bën edhe sot Adem Jasharin krejt të veçantë në historinë e kombit tonë?
Bedri Islami
Lavdia u takon atyre që flijohen për vizione të mëdha (11)
Adem Jashari nuk është vetëm fotografia që njohim, vetëm thelbi i asaj që besojmë, nuk është vetëm streha nga e cila domosdo kanë shkuar të gjithë ata që donin të luftonin. Ai është shumë më tepër se kaq. Edhe shumë vite pas rënies së tij, mjaft njerëz që kishin pozicione drejtuese në strukturat e luftës, kur duan të dëshmojnë një qëndrim apo të kenë një mbështetje, krejt natyrshëm i drejtohen Adem Jasharit apo faktit se kanë qenë në lidhje me të, se kanë bujtur te Jasharët, se kanë pasur kontakte ose se u kanë ndihmuar atyre. Nganjëherë, mjerisht, edhe njerëz që krejt rastësisht janë njohur me to apo u kanë bërë konak, tashmë dëshmohen si njerëz të afërt dhe të besuar të tyre. Në fund të fundit, kjo është forca që ngjall emri i Jasharëve, sidomos i Ademit, Bacës Shaban dhe Hamzës dhe ne duhet ta pranojmë si të tillë. Jasharët, duan apo nuk duan, nuk do të mund t’i shmangen kurrë mbështetjes që kërkojnë të tjerët tek emri i tyre.
– Çfarë e bëri dhe çfarë e bën edhe sot Adem Jasharin krejt të veçantë në historinë e kombit tonë?
– Cila është rrjedha përmes së cilës ka ecur e vazhdon të ecë emri i tij?
– Ishte ai thjesht luftëtari, njeriu me pushkën hedhur krahëve, i hekurt dhe i ftohtë, i pafjalë dhe serioz, apo kishte shumë më tepër se kaq?
Personalisht nuk e kam takuar asnjëherë Adem Jasharin. Nuk futem në radhën e njerëzve që e kanë pasur një fat të tillë në jetën e tyre. E kam dëgjuar për herë të parë emrin e tij nga Fehmi Lladrovci dhe vëllai i tij, Ramizi, që më pas do të bëhej përfaqësuesi i Adem Jasharit në perëndim, në bazë të një letre, që Grupi i Drenicës i dërgoi organizatës në dhjetorin e vitit 1997. Letra ruhet ende në arkivin e organizatës. Fehmiu, kishte një respekt të jashtëzakonshëm për të dhe mendoj se Adem Jashari ishte i vetmi njeri para të cilit përkulej Fehmi Lladrovci. Më pas do të mësoja se edhe Adem Jashari, kur i kishin kërkuar të kishte një ndarje me Fehmiun, do të thoshte se “vetëm vdekja më ndan nga Fehmi Lladrovci”. Kjo ka qenë njohja ime e parë me të, përmes figurave që ishin të afërta me Adem Jasharin, por, thënë sinqerisht, nuk e kam menduar se po flisnim për njeriun që shpejt, shumë shpejt, do të bëhej figura mitike e shqiptarëve. Ishte koha kur ai sapo ishte dënuar me njëzet vite në mungesë, në gjyqin e njohur ndaj Grupit të Drenicës. Më pas e pashë fotografinë e tij dhe më bënë përshtypje sytë e tij, të cilët, kushdo që i sheh me vërejtje, e ndjen se kanë ngjashmëri të jashtëzakonshme me të shqiponjës.
Por unë kam pasur një fat tjetër të dyfishtë: kam njohur nga afër, si mik i tyre, familjen e jashtëzakonshme të Jasharëve, të cilët kanë hisen e tyre të papërsëritshme në luftën që është zhvilluar në Kosovë. Unë mund të them me bindje se, në se nuk do të kishte qenë mbështetja e tyre e hapur dhe angazhimi në strukturat e luftës, shumë gjëra nuk do të shkonin ashtu si do të rridhnin punët më tej. Në familjen e tyre, shumë herë, më ka takuar të shoh incizimet e ndryshme familjare, krejt të zakonshme, të shoh Ademin dhe Hamzën mes familjeve të tyre, të ndjek rrjedhën e jetës që ata kanë bërë, punët e hallet e përditshme, të dëgjoj se si e kanë konceptuar jetën dhe si kanë menduar për të ardhmen e Kosovës, duke folur krejt natyrshëm, i kam parë tek lozin me fëmijët në një ditë të zakonshme, si silleshin me prindërit, atë aktin e veçantë kur i merrnin mes duarve të tyre dorën e nënës plakë dhe e përkëdhelnin butësisht, hyrjen pa bujë e zhurmë në dhomën e miqve, deri në një ditë të zakonshme kur merreshin me punët e përditshme si do të ishte krasitja e pemëve apo çarja e drurëve në oborrin e shtëpisë.
Fati tjetër i imi lidhet me faktin se në vitet e luftës isha i zgjedhur drejtuesi kryesor i Lëvizjes Popullore të Kosovës, organizatë së cilës i kishte takuar edhe Adem Jashari që nga mesi i viteve ’80-të. Në arkivin e saj ndodheshin, ose m’u dhanë më pas, mjaft kaseta, në të cilat ishin të regjistruara porositë e Adem Jasharit, mendimet e tij, qëndrimin e tij për njerëz, ngjarje dhe pozicione të ndryshme, kam dëgjuar mendimin e tij, i cili, kishte po të njëjtën peshë dhe po të njëjtën forcë si edhe lufta e tij. Ndodheshin letra të tij, të cilat ruhen edhe sot si thesar i jashtëzakonshëm, dhe përmes tyre, ndonjëra edhe është bërë publike, mund të dallosh qartësisht se pas tij nuk është vetëm njeriu i luftës, por edhe i mendimit vizionar; nuk është vetëm luftëtari, por edhe prijësi, nuk është vetëm e tashmja, por edhe përvoja që kishte shkuar; nuk është vetëm Drenica, por edhe Kosova, nuk është vetëm Kosova, por edhe kufijtë më skajorë të Shqipërisë londineze.
Adem Jasharin unë nuk e kam parë kurrë thjeshtë e vetëm si luftëtar, si dalzotës i zakonshëm i Kosovës, por shumë më tepër se kaq.
Është koha të flasim më gjatë për mendimin e tij filozofik, për vizionin e tij të jashtëzakonshëm, për përmasat që kishte rrokur mendja e tij, për krijimin edhe një herë si në legjenda të treshes së njohur mitike; babai dhe vëllezërit; apo edhe më tej, Familja dhe Fisi, për të shkuar më gjerë, në krejt shqiptarinë.
– Cila ishte filozofia e Adem Jasharit?
– Cili ishte vizioni i tij?
– Çfarë bëri ai më shumë se gjithë të tjerët për të qenë njëkohësisht mit, legjendë dhe e vërteta e kombit tonë?
Përfytyrimi i Adem Jasharit thjesht e vetëm si një luftëtar, prijës apo edhe diçka më tepër asnjëherë nuk ka qenë i saktë. Sepse ka qenë i paplotë. Kjo është thelbësorja. Sepse ka qenë vetëm njëra anë e shfaqjes së tij, ajo më e dukshmja, më e përfytyrueshmja, më e kapshmja. Ajo për të cilën është edhe më e lehtë të flitet, por që jo gjithmonë është e gjithë e vërteta.
Adem Jasharin ne duhet të mësohemi ta shohim përtej këtij përfytyrimi, duhet të mësohemi ta shohim në ato përmasa që janë e vërteta e jetës së tij dhe e mendimit të tij politik, perceptimit të tij vizionar dhe e shfaqjes së tyre në kapërcyellin e shekullit të shkoi.
Shfaqja e tyre në vetvete ose një nga një ka disa ngjashmëri ose shumë ngjashmëri me shfaqje të tilla në lëvizjen tonë kombëtare, por kësaj radhe, për herë të parë ajo është një plotësi, është struktura komplekse e mendimit dhe e rezistencës, mbështetur në tiparet jo vetëm të kohës që përjetoi, jo vetëm të së shkuarës, por edhe në perceptimin e së ardhmes. Fakti që idetë që kishte mbartur Adem Jashari nuk u shuan së bashku me rënien e tij heroike, por, në të kundërtën u bënë tej mase dhe tej se zakonshmes më të fuqishme, dëshmojnë se, më shumë se gjithçka, ai kishte pasur ide që do të përgatitnin të ardhmen.
Nuk e di dhe besoj se mes tyre nuk do të jenë takuar asnjëherë Adem Jashari dhe vigani i mendimit liberator Ukshin Hoti, por jam i bindur se kanë dëgjuar për njëri tjetrin. Ukshin Hoti ishte njëri ndër figurat e njohura të jetës politike të Kosovës që në ngjarjet e njohura të vitit 1981, ndërsa Adem Jashari, përgjithësisht Jasharët duhet të ishin të njohur për Ukshin Hotin, qoftë për ngjarjet e 30 dhjetorit të vitit 1991, qoftë edhe nga fakti se Ukshin Hoti kishte lidhje me të njëjtat struktura ilegale ku ishte pjesë edhe Adem Jashari. Sidoqoftë kjo nuk është e rëndësishme. Thelbësore se të dy ata, njëri në fushën e filozofisë së shkruar dhe tjetri në fushën e filozofisë së jetësuar, hapën njëkohësisht një fushë të re përjetimi në politikën shqiptare të Kosovës.
– Cilat ishin disa nga momentet më themelore të mendimit politik të Adem Jasharit dhe të vizionit të tij?
– Në se shpejt e shpejt, shkurt e shkurt, do të thonim se ishte liria e Kosovës dhe bashkimi i kombit – kjo ishte një aspiratë shekullore, thuajse e të gjithë shqiptarëve në Kosovë. Për të arritur në këtë aspiratë duheshin përcaktuar qartësisht saktë rrugët që do të përshkruheshin, perspektivat që do përcaktoheshin, duhej bërë një gjë e cila , aq sa do të ishte pa kthim, aq edhe do të ishte mrekullisht e dëshiruar, të paktën nga ata që do të ishin në gjendje të bënin luftën.
Djemtë e Shaban Jasharit, pas jetesës më shumë se 300-vjeçare në Prekaz kishin krijuar lidhjet e tyre me tokën. Kjo ishte një lidhje e shumanshme, jo vetëm jetësore, e përditshme, por edhe në motivin e tyre të qëndresës. Hamzë Jashari do të thonte në njërën nga bisedat e tij të lira se “këtu kemi lindur, këtu do të jetojmë, këtu do të vdesim, përtej kësaj toke nuk kemi se ku të shkojmë”. Ishin fjalë profetike.
Dihet tashmë se në disa nga muajt e vitit 1991 Adem Jashari dhe disa nga bashkëluftëtarët e tij do të jenë në Shqipëri, në atë që do të quheshin ushtrime ushtarake. Është i njohur fakti se gjithçka ishte dekonspiruar, por kjo nuk është në temën e këtij shkrimi.
Si çdo gjë që lidhej me luftën, Ademi e kishte marrë gjithçka shumë seriozisht dhe do i thotë djemve të grupit të Drenicës se “Kush ia ka mësyrë kësaj rruge, duhet me e ditë mirë çka mundet me ndodhë dhe këtu nuk ka hajgare, ia kemi nisë kësaj pune dhe duhet t’i shkojmë deri në fund, pavarësisht se si do të shkojë ajo, me rreziqe apo pa to”.
Pas arrestimeve masive të grupeve të ndryshme që u stërvitën në Shqipëri, para shumë kujt u shtrua pyetja se çfarë duhej bërë. Ishin të shumtë ata që morën rrugën e mërgimit. Disa e humbën emrin e tyre, disa nuk e ditën as vetë se nga do të shkonin, të paktë ishin ata që vazhduan të mbeten në rrjedhat e luftës dhe, edhe më të paktë, ata që u kthyen.
Adem Jasharit, qeveria e asaj kohe, e quajtur e Bukoshit, i propozoi rrugën e mërgimit. Çfarë do të kishte ndodhur në se edhe ai, si jo pak të tjerë, do të kishte bërë të njëjtën gjë.. do të rrugëtonte dhe do të kthehej në një mërgimtar të zakonshëm. Ai edhe mund ta bënte këtë, askush nuk ishte zot i fatit dhe i jetës së tij.
Mirëpo Adem Jashari e kishte mendimin e tij të pjekur politik dhe ky është guri i parë themeltar i çdo qëndrese: për vend tonë duhet të luftojmë në vendin tonë. Nuk na bën mirë as buka e të huajit, as ngrohja e të huajit, as fjala e të huajit. Ai pra mund të rrinte, ta zëmë në Gjermani, mirëpo është nga gjërat e para që nuk i shkon ndër mend. Ndoshta mund edhe të ketë dëgjuar se një profesor i nderuar, ish i burgosuri politik Ukshin Hoti e kishte lënë Universitetin famëmadh të Harvardit për të bërë politikë në Krushën e Madhe, ndoshta edhe jo. Por ai bëri të njëjtën gjë, me të njëjtin mendim politik e filozofi politike të qëndresës: lufta duhet filluar nga vendlindja.
Mendimi i tij ishte pjekur me kohë – nuk ishin dashur vështirësi të mëdha për të pasur një mendim të tillë, aq më tepër në një fis ku ai kishte lindur dhe ku kishte formuar karakterin e tij.
Adem Jashari kthehet në Prekazin e Poshtëm.. Asgjë të veçantë nuk ka në këtë fshat bri Skenderajt. Katër lagje: Jasharaj, Kodra, Meha dhe Lushtaku. Tri lagjet e para janë krijuar prej tre vëllezërve: Jasharit, Kadriut dhe Mehës, prandaj edhe janë të një gjaku, ndërsa Lushtakët ishin të ardhur disi më vonë në Prekaz.
Megjithatë ky ishte dheu i tij, ai e dinte se nuk mund të shkonte diku tjetër dhe t’u thoshte të ngriheshin në luftë, në se nuk e kishte zgjidhur më parë një gjë të tillë në fshatin dhe në gjakun e tij. Atdheu fillon nga vetja – thonë dhe kjo, në rastin e Jasharëve dhe të Prekazit të Poshtëm, është më se e vërtetë. (Vijon)