Çfarë e shkaktoi rrëzimin e avionit në Toronto dhe si shpëtuan të gjithë pasagjerët

18 shkurt 2025 | 18:58

Pasagjerët të cilët ndodheshin në avionin që u rrëzua në Aeroportin Ndërkombëtar të Torontos, kanë shprehur habinë e tyre se si i shpëtuan aksidentit pa pasoja serioze.

Avioni, i cili u rrëzua të hënën për shkak të erërave të forta, rrëshqiti përgjatë pistës para se të përmbysej me kokë poshtë, duke sjellë frikë tek pasagjerët.

Siç shkruan BBC, disa prej 80 personave në bord përfunduan të varur me kokë poshtë, teksa ishin akoma të lidhur me sediljet e tyre.

Analistët e lidhin rënien e avionit me temperaturat e ulëta të dimrit, por nuk përjashtojnë mundësinë që ai të ketë goditur diçka.

Një prej pasagjerëve, Pete Carlson u shpreh për CBS se ishte një përplasje shumë e fortë.

Por si mbijetuan të gjithë pasagjerët nga ky incident?

“Ti mbijetosh kësaj përplasje është vërtetë për t’u mahnitur pasi trupi i avionit kishte mbetur i paprekur”, u shpreh një pasagjer i quajtur Ronan.

Teksa hetuesit punojnë për të kuptuar se si ka ndodhur ky incident, ekspertët tregojnë detaje që bënë të mundur sigurinë e udhëtarëve.

Profesori i sigurisë, Graham Braithwaite sqaroi se avionët janë të projektuar që në incidente të tilla, pasagjerët të pësojnë sa më pak dëmtime.

“Dizanji i shpinës së sediljes apo tavolinës në të cilën mbahen gjërat, lehtësojnë procesin për të mbijetuar dhe rripi i sigurimit është i rëndësishëm”, tha Braithwaite.

David Soucie, ekspert sigurie, shpjegoi për CNN: “Ulëset 16G që janë vendosur në avion shumë vite më parë, penguan ndarjen e sediljeve gjatë këtij aksidenti, duke sjellë shpëtimin e udhëtarëve. Një gjë tjetër që ndihmoi në shpëtimin e udhëtarëve ishte se bulonat e thyerjes ishin në krahë. Pasi avioni fillon të rrotullohet ashtu, nëse këto krahë nuk thyhen në gjysmë, atëherë shkaktojnë vdekje”.

Fatmirësisht nga ngjarja pati vetëm të lënduar, të cilët morën trajtim mjekësor në spitalet lokale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyrtarët të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe të Rusisë…