Çfarë fitoi Zelensky nga vizita në Uashington?
Volodymyr Zelensky, president i Ukrainës fitoi një udhëtim në një avion të Qeverisë amerikane, një mirëseardhje në tapetin e kuq në Shtëpinë e Bardhë dhe dhjetëra duartrokitje nga anëtarët e Kongresit – plus gati dy miliardë dollarë armatim të ri- duke përfshirë një sistem të mbrojtjes ajrore Patriot, të cilin Qeveria e Ukrainës shpreson ta përdorë për të mbrojtur rrjetin e saj të dëmtuar të energjisë nga breshëritë e raketave ruse.
Por, a e mori presidenti ukrainas atë që donte vërtetë nga vizita e tij?
Zelensky u prit në Uashington me ngazëllim edhe para se të fliste në një sesion të përbashkët të Kongresit amerikan.
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, bëri gjithçka për të mirëpritur liderin ukrainas, duke përfshirë autorizimin e një avioni të forcave ajrore të SHBA-së – një avion qeveritar që përdoret zakonisht për sekretarët e kabinetit dhe personalitete të tjera – për ta sjellë atë nga Polonia në Uashington.
Për disa vëzhgues, imazhet ngjallën paralele me një vizitë 81 vjet më parë, kur kryeministri britanik, Winston Churchill, bëri një vizitë të kohës së luftës në kryeqytetin e SHBA-së dhe mori një “pritje të zhurmshme” nga Kongresi dhe presidenti i atëhershëm, Franklin Roosevelt.
Me pushtimin rus të Ukrainës që ka hyrë në muajin e tij të 11-të, duke u futur në një dimër të vështirë, pyetja tani është nëse Zelensky e mori atë që kërkonte: një angazhim afatgjatë amerikan për ndihmë dhe armatim për luftën e largët në Ukrainë, përkundër skepticizmit të vazhdueshëm të SHBA-së.
“Zelensky po përpiqet të forcojë marrëdhëniet me mbështetësin e tij kryesor për atë që ai tani e pranon se do të jetë një luftë e gjatë”, tha Mark Cancian, një analist ushtarak në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.
“Kjo nuk ka të bëjë me një muaj ose dy. Kjo ka të bëjë me vitin e ardhshëm”, tha ai. “Ai dëshiron të çimentojë marrëdhëniet”.
Është e paqartë nëse Biden pajtohet me Zelenskyn në kërkesën e Kievit për të larguar forcat ruse nga i gjithë territori ukrainas, përfshirë Krimenë, tha Orysia Lutsevych, drejtore e Forumit të Ukrainës në Chatham House, një organizatë kërkimore me qendër në Londër.
Nëse Biden do të arrijë në atë pozicion varet se “me sa shkathtësi” forcat e armatosura ukrainase do të përdorin kapacitetet e kufizuara ushtarake që kanë, tha ajo.
“Zelensky përpiqet të bindë udhëheqësinë amerikane se Ukraina mund ta fitojë këtë luftë”, tha ajo. “Ne do të shohim se çfarë lloj ndihme do të ofrohet si pjesë e paketës së re prej 45 miliardë dollarësh kur të miratohet”.
“Megjithatë, Kievit iu dha një mundësi madhështore për të argumentuar kërkesën e vet”, tha ajo.
Mbështetja amerikane për Ukrainën me të vërtetë po zvogëlohet, megjithëse shumica vazhdojnë të mbështesin furnizimin e Kievit me armatim, pranimin e refugjatëve ukrainas dhe vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë.
Më pak amerikanë mbështesin një angazhim të hapur krahasuar me vetëm katër muaj më parë, dhe një numër në rritje duan që Shtetet e Bashkuara të bëjnë më shumë për t’i bërë presion Kievit për të hyrë në bisedimet e paqes.
Ukraina nuk ishte fare në qendër të zgjedhjeve për Kongres të SHBA-së, muajin e kaluar.
Megjithatë, republikanët do të kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve në janar dhe një numër i vogël ligjvënësish janë zotuar për një shqyrtim të thuktë për ndihmën që do t’i dërgohet Ukrainës.
Në përgjithësi, megjithatë, përpjekja vazhdon nga republikanët dhe demokratët për shumicë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat.
Kjo shpjegon mesazhin pragmatik që Zelensky u përpoq të përçonte në fjalimin e tij 22-minutësh nga podiumi në Kongres.
“Paratë tuaja nuk janë bamirësi”, u tha ai ligjvënësve, duke folur në anglisht. “Është një investim në sigurinë dhe demokracinë globale që ne e trajtojmë në mënyrën më të përgjegjshme”.
Për sa i përket rezultateve të prekshme, Zelensky përfundoi me 2 miliardë dollarë armatime dhe pajisje të reja, duke përfshirë sistemin raketor Patriot.
Por, tani për tani, ai doli duarbosh për kërkesa të tjera: avionë luftarakë F-16, tanke M1 Abrams ose raketa ATACMS me rreze më të gjatë – një reflektim i kujdesit të Bidenit kundër një përshkallëzimi të mëtejshëm.
Nga ana tjetër, Zelensky shmangu gjithashtu çdo shtytje publike nga Biden ose zyrtarë të tjerë të zgjedhur për kompromise në bisedimet e paqes, diçka që disa komandantë ukrainas, të trimëruar nga sukseset në fushën e betejës, urrejnë ta marrin në konsideratë derisa Rusia ka pushtuar 20 për qind të territorit të Ukrainës.
Megjithatë, ai u përpoq t’i sinjalizonte Kongresit se administrata e tij nuk ishte plotësisht kundër paqes.
“Ne kemi nevojë për paqe, po”, tha ai në fjalimin e tij. “Ukraina ka ofruar tashmë propozime, të cilat sapo i diskutova me presidentin Biden, formulën tonë të paqes, 10 pikat që duhet të zbatohen për sigurinë tonë të përbashkët, të garantuar për dekadat e ardhshme dhe samitin që mund të mbahet”.
Udhëtime sekrete, lindje dhe perëndim
Një ditë para nisjes së udhëtimit të fshehtë për në Uashington, që është i pari udhëtim i tij jashtë Ukrainës që nga pushtimi në shkurt – Zelensky bëri një tjetër udhëtim, po aq të fshehtë: në Bahmut, në vijën e frontit, në qytetin e Donbasit që aktualisht është vendi i luftimeve më të ashpra në Ukrainë.
Atje, ai mbajti një fjalim të shpejtë me oficerët dhe trupat që përballeshin me sulme të pamëshirshme, kryesisht nga ushtarët e kompanisë famëkeqe mercenare ruse, Grupi Vagner.
Ai mori gjithashtu një flamur ukrainas të mbuluar me mesazhe me bojë të zezë të shkruara nga ushtarët, një flamur që më vonë ua prezantoi udhëheqësve të Kongresit.
“Ata më kërkuan që ta sjell këtë flamur te ju, në Kongresin e SHBA-së, tek anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe senatorët, vendimet e të cilëve mund të shpëtojnë miliona njerëz”, tha Zelensky në fjalët e tij të fundit para ligjvënësve amerikanë.
“Pra, le të merren këto vendime. Le të qëndrojë ky flamur me ju. Zonja dhe zotërinj, ky flamur është simbol i fitores sonë në këtë luftë”.
Vizita e Zelenskyt ishte “më shumë si një investim që do të sjellë rezultate në të ardhmen”, tha Mykola Byelyeskov, një studiues në Institutin Kombëtar për Studime Strategjike, një institut kërkimor i mbështetur nga Qeveria në Kiev.
“Kur bëni investime, nuk prisni dërgesa në të njëjtën ditë”, tha ai. “Trajtojeni vizitën e Zelenskyt në të njëjtën mënyrë. Është një lloj nxitjeje, efektet e të cilës do t’i shohim diku në të ardhmen”.
“Gjëja më e rëndësishme është se, këtu në Uashington, është presidenti i një vendi, i cili, pikërisht një vit më parë, i cili nuk parashihej se mund të përballonte një garë ushtri kundër ushtrisë,” tha ai. “Por, në fund, ajo [Ukraina] arriti të sfidojë vazhdimisht pritjet”.
“Çështja e rëndësishme [për udhëtimin e Zelenskyt] është se presidenti Biden duhet të kuptojë në mendësinë e tij se Ukraina është e aftë të fitojë këtë luftë dhe se humbja e Ukrainës [do të] nënkuptonte rreziqe shumë më të larta për SHBA-në sesa humbja e Rusisë”, tha Darya Kalenyuk, një aktivist kundër korrupsionit me bazë në Kiev, i cili takohet rregullisht me zyrtarë amerikanë.
John Herbst, ish-ambasador i SHBA-së në Ukrainë dhe një mbështetës prej kohësh i rritjes së mbështetjes për Kievin, i bëri jehonë argumenteve të Zelenskyt, duke thënë se ndihma për Ukrainën ishte një politikë “e zgjuar dhe ekonomike” për të rritur sigurinë e SHBA-së.
“Nuk është thjesht një dhuratë apo kryesisht një dhuratë për popullin ukrainas nga SHBA-ja. Kjo është mënyra e zgjuar për SHBA-në për të mbrojtur sigurinë dhe prosperitetin e saj. Një Putin që kërcënon Evropën është një Putin që rrezikon sigurinë amerikane dhe pasurinë amerikane”.
Në fjalimin e tij në Kongres, Zelensky e bëri qëllimin për të prekur zemrat e ligjvënësve, duke iu referuar momenteve simbolike në historinë e SHBA-së. Ai e krahasoi betejën për Bahmutin me Betejën e Saratogës gjatë Luftës Revolucionare Amerikane. Ai përmendi edhe Betejën Bulge, kundërsulmin nazist kundër forcave amerikane në dhjetor të vitit 1944.
Duke bërë këtë, ai foli drejtpërdrejt me amerikanët në disa mënyra, tha Elise Giuliano, një profesoreshë e shkencave politike në Institutin Harriman të Universitetit të Kolumbisë.
“Së pari, duke folur për ideale të larta që tërheqin amerikanët si kjo që është një luftë kundër tiranisë. Dhe një luftë kundër demokracisë”, tha ajo.
“Por, gjithashtu duke folur me amerikanët në terma vërtet konkretë duke thënë: ‘Kjo ka të bëjë me shtetet terroriste – Rusia dhe Irani – që bashkohen për të thyer kufijtë ndërkombëtarë. Por, bota jonë është një botë e ndërlidhur. Është e ndërvarur dhe askush nuk është i sigurt nga shtetet që veprojnë në këtë mënyrë. Mos mendoni se një oqean mund të ju mbrojë”.
“Pra, ai është një lloj apeli ndaj interesit tonë për të mbrojtur demokracinë, por edhe për sigurinë”, tha Giuliano.
Në shumë mënyra, udhëtimi i befasishëm i Zelenskyt në Shtetet e Bashkuara është në përputhje me mënyrën se si Ukraina ka zhvilluar luftën e saj kundër Rusisë, duke befasuar në mënyrë të përsëritur Perëndimin në aftësinë e saj për të tejkaluar, për të pushtuar, madje edhe për të manovruar ushtrinë më të madhe e më të fuqishme ruse.
Në prag të pushtimit të 24 shkurtit, pak persona në Perëndim prisnin që Ukraina të duronte për më shumë se dy ditë, por pritjet ishin se Kievi do të binte, Zelensky do të ikte dhe forcat ukrainase do të kapitullonin.
Në vend të kësaj, Ukraina e ka detyruar Rusinë të bëjë të paktën tri tërheqje të mëdha në fushën e betejës, suksese që u mundësuan nga armatimet perëndimore të kombinuara me zgjuarsinë dhe këmbënguljen ukrainase.
Pavarësisht temperaturave të ftohta dhe kushteve të mjerueshme të fushëbetejës, komandantët ukrainas kanë lënë të kuptohet se mund të ketë më shumë kundërofensiva, diçka që do të sfidonte më tej pritshmëritë perëndimore.
Ashtu si me dërgesat e mëparshme, vendimi për të furnizuar Kievin me sistemin e mbrojtjes ajrore Patriot, për të ndihmuar në pengimin e goditjeve ajrore ruse të infrastrukturës së Ukrainës, plus gati 2 miliardë dollarë armë – gjëra të tilla si municione për artilerinë precize me rreze të gjatë HIMARS e të tjera, besohet të jetë manifestim i pritshëm i politikës amerikane.
Ajo shoqërohet me një paketë ndihme më të madhe, prej 44 miliardë dollarësh për Ukrainën, e përfshirë në një faturë gjigante shpenzimesh vjetore që duhet të miratohet në mënyrë që Qeveria e SHBA-së të mbetet e hapur dhe funksionale.
Duke supozuar se paketa kalon përmes negociatave në Kongres, kjo do të nënkuptojë se ndihma e SHBA-së për Ukrainën që nga shkurti do të arrijë në më shumë se 100 miliardë dollarë./REL