Çfarë fshehtësie gjaku ka…!

02 gusht 2024 | 22:28

Nga Musli Krasniqi

Verë 2008. Qendra studentore vlonjate ishte kthyer në skenë muzikore. Studentët e Universitetit “Ismail Qemali” u kishin lënë vendin valltarëve e këngëtarëve të vendeve të ndryshme të rajonit. Ato net fund-korriku e fillim-gushti në shtretërit modestë konviktorë bënin gjumë dhjetra të rinj e të reja nga Kosova, Maqedonia, Greqia dhe Turqia.

Një njohje e rastësishme me gazetaren, shkrimtaren dhe veprimtaren vlonjate, Lauretën, atëbotë e angazhuar në Bashkinë e Vlorës, derivuar nga profesioni i gazetarit rreth dy muaj më herët, na kishte mundësuar dy gazetarëve nga Prishtina pjesëmarrjen në Festivalin Folklorik Mesdhetar “Vlora 2008”.

Një tumirje pa hezitim e drejtorit artistik të Festivalit, Istrefit, bëri që së bashku me Bekimin të bëhemi pjesë e ekipit të Ansamblit “Lidhja e Prizrenit” nga Kosova, me qëllim të paraqitjes mediatike të performancës së ansamblit në festival, por edhe të festivalit në tërësi.

Për disa net rresht qytetarë vlonjatë, por edhe pushues të tjerë, kishin mundësinë të shijonin performanca artistike me motive kombëtare të grupeve prezantuese në skenat e ngritura.

Pas performancave zyrtare, kënga dhe vallja e grupeve pjesëmarrëse në festival, të vetorganizuar sipas dëshirës, vijonte deri në orët e mëngjesit në oborrin e qendrës studentore.

Nga ansambli grek që prezantonte në këtë festival, mbrëmjeve shkëputej një i ri me harmonikë. Disi vjedhurazi i bashkangjitej ansamblit nga Prizreni, duke përvetësuar me lehtësi meloditë e këngëve shqipe.

Ishte e habitshme aftësia e tij për të ingranuar në orkestrën e improvizuar prizrenase lojën e tij me harmonikë, me aq lehtësi dhe pa asnjë disonancë të vetme.

Tek ndiqte me përkushtim të jashtëzakonshëm ritmin shqip, një shkëlqim vezullues i përshkonte fytyrën. Ne po shikonim me habi se si çdo lëvizje trupore a e mimikës së djaloshit, shpërfaqte një ndjenjë të veçantë fluturese dhe emocion të pazakontë në ato orë ahengu, duke mos ndërprerë për asnjë moment lëvizjet e gishtave në tastet e veglës së tij muzikore. Ishte e pakuptueshme se si një grek linte grupin e tij muzikor dhe i bashkangjitej çdo natë, për orë të tëra, grupit të këngëtarëve e valltarëve nga Kosova.

Në natën e fundit kureshtjen tonë e shoi Laureta.

“Duhet të jetë shqiptar nga rrënjët. Gjaku e tërheq këtej…”.

Për një çast i gjithë kurioziteti ynë mori tjetër ngjyrë. Diçka midis dhembshurisë për fatin tragjik të mijëra shqiptarëve, të shpërngulur a të shkombëtarizuar dhunshëm nga shteti grek ndër dekada, njërin prej të cilëve me gjasë e kishim aty, para nesh, dhe bindjes se gjaku që i rridhte nëpër damarë, me tërë fuqinë magjike që bart, herë do kur do të dallgëzojë furishëm, shqiptarisht.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pritja dy mujore e minatorëve të “Stan Tërgut” për pagat,…