Çfarë i frymëzon komentet antiamerikane në rrjete sociale në Kosovë?
“Ndaloni me deklarata budallaqe”, “po e përkrahni të keqen kundër së mirës”, “po talleni me ne”, “Qeveria nuk duhet t’ju pyesë kur dhe si të vendosë rend dhe ligj brenda territorit të saj”, “jeni mësuar të korruptoni politikanë, t’i manipuloni, me [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurtin nuk mundeni”…
Këto janë vetëm disa nga komentet, ku shfaqet fjalor fyes dhe denigrues, ndaj deklaratave të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë lidhur me veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri të vendit.
Ato vijnë pas një aksioni policor në veri të Kosovës më 5 gusht, kur autoritetet e vendit mbyllën nëntë degë të Postës së Serbisë.
Po atë ditë, Ambasada e ShBA-së në Kosovë, nëpërmjet një deklarate të publikuar edhe në llogarinë e saj në Facebook, ka shprehur “zhgënjimin e thellë të Qeverisë amerikane” lidhur me veprimet që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës, duke i cilësuar ato “të njëanshme dhe të pakoordinuara” me partnerët ndërkombëtarë.
Komente, me përmbajtje kundërshtuese të ngjashme, e kishin përcjellë edhe deklaratën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, më 2 gusht, i cili tha se vendet e QUINT-it (ShBA-ja, Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe) dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë në këtë kohë, gjë të cilën synon ta bëjë Qeveria e Kosovës.
Më herët atë ditë, kryeministri i Kosovës, në takimin me përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it, kishte këmbëngulur për hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë, duke thënë se “ajo është në shërbim të të gjithëve dhe nuk është kundër askujt”.
“Antiamerikanizëm” apo “e drejtë demokratike”?
Ish-diplomati kosovar, Lulzim Peci, aktualisht drejtor i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), thotë se komentet e tilla kundërshtuese dhe me përmbajtje fyese dhe denigruese, janë të frymëzuara nga qëndrimet dhe diskursi i partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se “fara e antiamerikanizmit” është futur në Kosovë.
“Ajo vazhdon të kultivohet edhe më tutje, jo për shkak të kundërshtive domosdo, por për shkak të fjalorit denigrues, i cili përdoret sidomos në rrjetet sociale”, thotë ai.
Por, Qeveria e Kosovës hedh poshtë pretendimet se me vendimet dhe qëndrimet e saj frymëzon komentet me përmbajtje denigruese të qytetarëve të caktuar apo mbështetësve të partisë në pushtet ndaj zyrtarëve amerikanë.
“Komunikimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës janë gjithmonë të matura dhe të argumentuara. I tillë, për shembull, ka qenë komunikimi sa i përket çështjes së urës mbi Ibër”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës për Radion Evropa e Lirë.
Tutje, Qeveria thotë se është e drejtë demokratike e qytetarëve “të kenë dhe të shprehin vështrimet e tyre mbi çështje që tashmë janë pjesë e diskutimeve publike, në hapësira virtuale apo forume tjera, natyrisht pa përdorur gjuhë fyese”.
(shkrimin e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë)