Çfarë i mungon Europës: Një lider i fortë për një epokë të re të Trump
Debatet e brendshme politike, pasojat nga një reagim global ndaj inflacionit, emigracionit dhe elitave qeverisëse, po pengojnë Gjermaninë dhe Francën
Jim Tankersley dhe Aurelien Breeden – New York Times
Rikthimi i Donald J. Trump në presidencën amerikane mund të shënojë një kthesë të rrezikshme për Europën, e cila tashmë është e zhytur në një krizë ekonomike dhe është tronditur nga lufta në pragun e saj lindor. Ky është momenti që liderët europianë të bien dakord dhe të kërkojnë një udhëheqje të fuqishme nga dy ekonomitë më të mëdha të kontinentit.
Franca dhe Gjermania – të cilat janë gjithashtu vendet më të rëndësishme të Bashkimit Europian – po përpiqen t’i përgjigjen thirrjes. Por, ato vetë po bien viktimë e të njëjtave forca politike që e ndihmuan Trump-in të fitonte popullaritet mes konservatorëve dhe votuesve të lëkundur në Shtetet e Bashkuara.
Partitë kryesore politike nuk kanë më mbështetjen e dikurshme. Populistët dhe nacionalistët janë rritur.
Pas muajsh luftimesh për taksat, shpenzimet dhe për mënyrën më të mirë për të rigjallëruar ekonominë e Gjermanisë, kancelari Olaf Scholz shkatërroi koalicionin e tij qeverisës duke shkarkuar ministrin e Financave. Vendi duket se po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme, të cilat sipas treguesve mund të rrëzojnë Scholz-in nga pushteti.
Një parti e ekstremit të djathtë dhe një parti e re populiste fituan terren në zgjedhjet e fundit rajonale dhe fitorja e Trump-it mund të rrisë më tej kredibilitetin e tyre ndaj partive kryesore.
Në Francë, presidenti Emmanuel Macron ka parë rënien e fuqisë së tij si pasojë e një vendimi katastrofik për të mbajtur zgjedhje të parakohshme këtë vit. `Francës iu deshën muaj për të formuar një qeveri pas atij votimi, i cili solli një koalicion të lëkundshëm në pushtet.
Pasiguria nga Parisi në Berlin ka krijuar një hapësire që mund të trimërojë Rusinë në luftën e saj në Ukrainë. Kjo kërcënon të pengojë aftësinë e Europës për t’iu përgjigjur një lufte tregtare globale, nëse Trump vendos taksa të larta mbi importet në Shtetet e Bashkuara.
Ka të ngjarë të vështirësojë më tej përpjekjet e liderëve evropianë për të krijuar një politikë të përbashkët industriale për të mbrojtur industritë nga një rritje e importeve kineze me kosto të ulët.
Dhe kjo mund të komplikojë detyrën tashmë të vështirë për rritjen e shpenzimeve evropiane për ushtrinë, për të cilën liderët dhe analistët bien dakord se do të marrë një urgjencë të re mes kërcënimeve të përhershme të Trump-it për t’u tërhequr nga NATO.
Ka udhëheqës të tjerë, më të qëndrueshëm, rolet e të cilëve në Europë mund të rriten për të përballuar krizën. Por ata kanë ndërlikimet e tyre.
Keir Starmer, i cili u zgjodh kryeministër i Britanisë këtë verë, tashmë është goditur nga protestat publike për dhuratat që ai dhe gruaja e tij pranuan – dhe vendi i tij nuk është në Bashkimin Evropian.
Giorgia Meloni, kryeministrja italiane, është një populiste që mund të krijojë një marrëdhënie të ngushtë me Trump. Por qasja e saj relativisht centriste ndaj çështjeve ndërkombëtare dhe mbështetja për Ukrainën është në kundërshtim me pozicionet e vetë Trump-it.
Analistët pajtohen se sinjalet për të udhëhequr një Europë më të pavarur dhe më muskulore duhet të vijnë nga Berlini ose Parisi, pikërisht vendet më të trazuara tani.
“Ekziston një krizë shumë e qartë e lidershipit franko-gjerman që po intensifikohet me rënien e koalicionit gjerman dhe me Francën e prekur nga ndarjet e saj të brendshme politike”, tha Alexandra de Hoop Scheffer, presidentja e Fondit Gjerman Marshall në Paris. “Dhe ky është një handikap në skenën europiane dhe ndërkombëtare”.
Jörn Fleck, një drejtor i lartë me Qendrën e Europës në Këshillin Atlantik në Washington, tha se Franca dhe Gjermania po vuanin nga kriza politike “të vetëshkaktuara”.
“Ne po shohim një marrëdhënie shumë më sfiduese,” tha ai. “Gjërat mund të përkeqësohen shpejt përpara se të përmirësohen”.
Macron dhe Scholz e pranuan këtë vështirësi javën e kaluar, por ofruan pak të dhëna se si mund të vepronin për ta përballuar atë.
“Trump u zgjodh nga populli amerikan dhe ai do të mbrojë interesat e popullit amerikan – kjo është legjitime dhe një gjë e mirë”, tha Macron të enjten, në hapjen e një samiti të liderëve europianë në Budapest. “Pyetja është, a jemi ne gati të mbrojmë interesat e europianëve?”
Bota është e përbërë nga barngrënës dhe mishngrënës, shtoi ai, dhe “nëse vendosim të mbetemi barngrënës, mishngrënësit do të fitojnë”.
Scholz, duke iu drejtuar gazetarëve të enjten, pranoi kohën sfiduese të vendimit të tij për të shkatërruar koalicionin e tij duke dëbuar ministrin e Financave, Christian Lindner.
Në vend që të qëndrojnë në detyrë gjatë zgjedhjeve të planifikuara vjeshtën e ardhshme, Scholz dhe koalicioni i tij ndoshta do të përballen me votuesit në mars — dhe Scholz duket se ka të ngjarë të humbasë postin.
“Do të kisha dashur t’ju kisha kursyer nga ky vendim i vështirë veçanërisht në këto kohë të pasigurta”, tha Scholz. Por, ai shtoi se “ne duhet të qëndrojmë së bashku në Europë”.
Për vite me radhë, Macron i ka kërkuar vazhdimisht Europës që të jetë më e bashkuar dhe më e pavarur ushtarakisht, ekonomikisht dhe teknologjikisht – më pak e lidhur me tekat e administratave të njëpasnjëshme të SHBA-ve dhe e pajisur më mirë për të konkurruar me dominimin industrial dhe tregtar të Kinës.
Por ai tani është në një pozitë shumë më të dobët se sa ishte gjatë mandatit të tij të parë.
Qeveria franceze është zhytur në debatet parlamentare mbi një buxhet që është shumë i nevojshëm për të frenuar deficitin dhe borxhin në rritje.
Është ende e paqartë nëse qeveria do të jetë në gjendje të sigurojë shkurtimet e thella të shpenzimeve dhe taksat më të larta që po kërkon deri në fund të vitit.
Një debat i ndryshëm, por jo më pak përçarës, për buxhetin shfaqet këtë javë në Gjermani.
Udhëheqësit do të duhet të bien dakord për hapat për të mbyllur një vrimë buxhetore dhe për të përmbushur atë që është në thelb një mandat kushtetues për buxhete të balancuara jashtë kohëve të jashtëzakonshme. Mosmarrëveshja se si të bëhet kjo ndihmoi në nxitjen e ndarjes në koalicionin e Scholz.
Një luftë edhe më e madhe mund të jetë afër qoshes.
Trump ka kërkuar që Gjermania të shpenzojë më shumë për ushtrinë e saj, gjë që do t’i kërkonte Berlinit të rriste buxhetin e mbrojtjes dhe që do të vinte me rreziqet e veta.
Kjo do t’i detyronte liderët të ndërmarrin hapa të rinj për të marrë hua – ose të mendojnë për shkurtimet e dhimbshme të shpenzimeve të brendshme. Gjë që mund të nxisë zemërimin e votuesve dhe të ndihmojë partitë e ekstremeve në votime. Scholz ka shprehur një preferencë për huamarrje dhe ka refuzuar kompromiset e shpenzimeve. Favoritët më të mëdhenj për të udhëhequr qeverinë e ardhshme janë Kristian Demokratët.
Ata do të ndryshonin disa politika, por do të mbeten mbështetës të fortë të Ukrainës. Nëse ata ose një parti tjetër kryesore është në gjendje të formojë një qeveri, thonë analistët, kjo mund t’i japë fund paralizës së politikës së Berlinit – të paktën për një kohë.