Çfarë i ndodhi digës Kahovka në Ukrainë?
Ukraina ka akuzuar Moskën për hedhjen në erë të një dige të madhe në lumin Dnjepër, që kalon nëpër rajonin Herson, të pushtuar nga Rusia. Të kërcënuar nga përmbytjet masive, dhjetëra mijëra njerëz në rrjedhën e poshtme të digës Nova Kahovka u urdhëruan të evakuohen
Një digë e madhe, e periudhës sovjetike, në lumin Dnjepër, është shkatërruar të martën, duke vërshuar një pjesë të konsiderueshme të territorit.
Diga i ndan forcat ruse dhe ato ukrainase në jug të Ukrainës.
Ukraina ka thënë se Rusia e ka shkatërruar atë, derisa zyrtarët rusë kanë bërë deklarata kundërthënëse – disa kanë thënë se ajo është shkatërruar nga bombardimet ukrainase, të tjerë kanë thënë se është shkatërruar për shkak të një dëmi paraprak.
Diga Kahovka, me lartësi prej 30 metrash dhe gjerësi prej 3.2 kilometrash, është ndërtuar më 1956 në lumin Dnjepër, në kuadër të hidrocentralit Kahovka.
Ky rezervuar e furnizon me ujë Gadishullin ukrainas të Krimesë, të cilin e ka aneksuar Rusia më 2014, si dhe centralin bërthamor në Zaporizhja, i cili, po ashtu, është nën kontrollin rus.
Rezervuari ka ujë në sasi prej 13 kilometrash kub – sasi e përafërt me Liqenin e Madh të Njelmët në shtetin amerikan, Utah.
Çfarë ka ndodhur?
Ukraina, e cila e ka komentuar e para situatën, ka thënë se Rusia është përgjegjëse. “Terroristët rusë. Shkatërrimi i hidrocentralit në Kahovka vetëm ia konfirmon gjithë botës që ata duhet të dëbohen nga secili cep i tokës ukrainase”, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në aplikacionin për mesazhe Telegram. “Rezervuari në Kahovka është hedhur në erë nga forcat pushtuese ruse”, ka thënë komanda jugore e ushtrisë ukrainase.
“Shkalla e shkatërrimit, shpejtësia dhe dëmet janë duke u vlerësuar”.
Disa zyrtarë të instaluar nga Rusia e kanë fajësuar Ukrainën.
Administrata e Hersonit, e instaluar nga Rusia, ka thënë se Ukraina e ka bombarduar digën rreth orës 23:00, duke ia dëmtuar valvulet hidraulike. “Të martën, më 6 qershor, forcat e armatosura ukrainase e kanë goditur digën e hidrocentralit Kahovski, dhe si rezultat është dëmtuar pjesa e sipërme e strukturës hidraulike”, është thënë në deklaratë.
Të tjerë zyrtarë të instaluar nga Rusia, kanë thënë se nuk ka ndodhur asnjë sulm.
Vladimir Rogov, zyrtar rus i instaluar në Zaporizhja, ka thënë se diga është shembur, për shkak të një dëmi paraprak si dhe presionit të ujit.
Agjencia shtetërore e lajmeve në Rusi, TASS, ka raportuar ngjashëm.
Ndikimi te banorët
Teksa nivelet e ujit sa shkojnë e rriten, disa mijëra njerëz besohet se do të përballen me situatën. Evakuimet e civilëve nga të dyja anët, veçse kanë nisur.
Besohet se 22.000 njerëz që jetojnë në 14 vendbanime në rajonin e Hersonit, në jug të Ukrainës, rrezikojnë të përballen me vërshime, kanë thënë zyrtarë të instaluar rusë.
Ata u kanë thënë njerëzve që të bëhen gati për evakuim.
Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, ka thënë se 80 vendbanime rrezikojnë të vershohen.
Guvernatori i përkrahur nga Rusia në Krime, ka thënë të martën se ekziston rreziku që nivelet e ujit në Kanalin Verior të Krimesë – i cili e dërgon ujin në gadishull, përmes lumit Dnjepër – mund të rriten edhe më shumë, pas shembjes së digës.
Gadishulli i Krimesë është i varur prej këtij uji.
Ukraina, paraprakisht i ka bllokuar furnizimet me ujë të pijshëm në Krime, pasi Rusia e ka aneksuar gadishullin më 2014, duke rezultuar me mungesë uji në rajon.
Centrali bërthamor
Centrali bërthamor në Zaporizhja – më i madhi në Evropë – e merr ujin e ftohtë nga rezervuari.
Ai gjendet në anën jugore, që tani është nën kontrollin rus.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Çështje Bërthamore, ka thënë në “Twitter” se është duke e vëzhguar situatën nga afër, por nuk ekziston “rrezik i menjëhershëm i sigurisë në central”.
Agjencia shtetërore ruse për çështje bërthamore, Rosatom, ka thënë të martën se nuk ekziston asnjë rrezik për centralin bërthamor të kontrolluar nga Moska. /rel