Çfarë janë kroato-filët politikë ndër shqiptarë?
Nga Ylli Pata
Ka ngjallur mjaft polemika qëndrimi i një personazhi të njohur të Vetëvendosjes, Rron Gjinovci, i cili u shpreh se nuk i kuptonte shqiptarët e Kosovës që të nxirrnin gurmazin për Shqipërinë. Gjinovci shtonte se ai ishte një përkrahës i Kroacisë.
Në portalin e gazetës TemA, e cila është thuajse e vetmja media shqiptare që i lë komentet e lira, komentuesit i janë mveshur keqas. E pritshme.
Megjithatë, rasti nuk është thjesht i izoluar, pasi kemi të bëjmë me një fenomen politik, që në këtë atmosferë europiani ja vlen diskutimi.
Gjinovci nuk se është i vetmi, pasi të shohësh në rrjete sociale, ka mjaft “konservatorë” shqiptarë të Malit të Zi, që nuk uronin para ndeshjes që të fitojë Shqipëria, por “më i miri”.
Pak muaj më parë, një diplomat i njohur europian, theksonte se Albin Kurti, ka marrëdhënie më të mira, apo dëgjon më shumë Zagrebin, sesa Tiranën.
Në fakt nuk se është ndonjë problem i madh e gjitha kjo. Kroacia është një aleat i afërt i shqiptarëve, i Shqipërisë padyshim, në të gjitha qeveritë. Madje Edi Rama, ka pasur si këshilltar të afërt, para shumë vitesh, presidentin aktual të Kroacisë, Zoran Milanoviç.
Sali Berisha, një natë më parë, nuk la gjë pa thënë për një kroate, e cila e ka lënë pa gjumë; Romana Vlahutin, gazetare dhe diplomate, e cila përfaqësoi BE-në në kohën e reformës në drejtësi në Shqipëri.
Të gjitha këto tregojnë realisht se sa peshë ka në rajon, një vend që është i madh sa Shqipëria, e si komb kroatët janë mjaft më pak. Sot, në Kroaci, studiojnë një numër i rëndësishëm vajzash e djemsh nga Shqipëria, kryesisht në dy universitetet amerikane në Zagreb dhe Dubrovnik.
Ndërkaq, elita politike dhe mediatike e Kosovës, ka mbi 30 vjet që mburret se ka studiuar në katedrat kroate të arsimit të lartë.
Albanologët e parë kanë ardhur nga Kroacia, ku spikat i madhi Milan Shuflaj, i cili u vra nga serbët, pikërisht për tezën e tij se shqiptarët ishin populli autokton i këtyre trojeve.
Megjithatë, përtej imazheve seksi të ish-presidentes kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç në rrjete sociale, që në shumicën e rasteve i ngatërrojnë me një tjetër personazh, rasti politik është aty.
Që ka një influencë të rëndësishme të Zagrebit, sidomos sot në politikën shqiptare. Në Prishtinë, Albin Kurti, edhe sipas autoriteteve europiane, aty merr lobimin por edhe udhëzimin sesi të luajë politikën në rajon.
Në vitin 1994, Presidenti i atëhershëm i Kroacisë, Franjo Tugjman, arriti një lobim të fortë ndër shqiptarë, për të nisur nga Kosova frontin e jugut të luftës në ish-JUgosllavi. Front të cilin e ndaloi në mënyrë të prerë Ibrahim Rugova. i cili sapo kishte nisur partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ka mjaft zëra që thonë se Albin Kurti është një zgjedhje gjermane, por që në rastin më të mirë është një lobim kroat.
Një shtet krejt i ri i Ballkanit, por mjaft i fuqishëm dhe autoritar që në ditët e para. Me miq të deklaruar e të fuqishëm si gjermanët e austriakët. E kërkon që interesat e tij politike, ekonomike e strategjike t’i realizojë në mënyrë të zgjuar. Duke qenë vend i NATO-s, Kroacia është një vend aleat i Shqipërisë, duke pasur një problem të madh me serbët historikisht ka armiq të përbashkët me shqiptarët. Por a mund të zëvendësojë Zagrebi, Tiranën për Prishtinën, apo shqiptarët e Malit të Zi?
Dikur Ibrahim Rugova nuk mendoi kështu, edhe pse kishte mjaft përplasje me udhëheqjen komuniste të Shqipërisë me në krye Ramiz Alinë. Sot Albin Kurti, Zagrebin e ka aleat më të ngushtë sesa Tiranën. E ndjekësit e tij e thonë këtë edhe publikisht…