Javën e kaluar një numër mediash dhe portalesh ‘dënuan’ me 99 goditje kamzhiku futbollistin Cristiano Ronaldo. Sipas tyre, Ronaldon e priste ky dënim në Iran sepse ai përqafoi një fanse. Në fakt, qeveria e Iranit ka mohuar se ndonjë gjykatë e vendit ka dhënë një dënim të tillë.
Mediat dhe portalet shqiptare kanë parashikuar një fat të frikshëm për futbollistin portugez Cristiano Ronaldo pas takimit të tij me një numër fansash në Iran.
Artikujt raportojnë se Ronaldo rrezikon kamzhikun për shkak se, gjatë një takimi me fansat, “përqafoi dhe puthi” piktoren me aftësi të kufizuara Fatemeh Hamami, e cila kishte pikturuar portretet e Ronaldos dhe personave të tjerë duke e mbajtur penelin me këmbë.
Takimi i Ronaldos me Fatimën është postuar në Twitter edhe nga vetë llogaria e klubit të Ronaldos, Al Nassr FC, e cila duket se është e gatshme ta sakrifikojë lojtarin e tyre yll për pak reklamë të mirë.
Fatmirësisht, parashikimet e mediave dhe portaleve ishin të nxituara.
Më 13 tetor, ambasada e Iranit në Spanjë ka mohuar këto raportime, duke drejtuar vëmendjen tek lufta në Gaza. Në një postim në Twitter, ambasada ka sqaruar:
“Mohojmë fuqishëm lëshimin e ndonjë vendimi gjykate ndaj çfarëdo atleti ndërkombëtar në Iran. Është shqetësuese që publikimi i këtyre lajmeve të pabaza mund të eklipsojnë krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës kundër kombit të shtypur palestinez. Vlen të përmendet se Cristiano Ronaldo udhëtoi në Iran më 18 dhe 19 shtator për të luajtur në një ndeshje zyrtare futbolli dhe u prit shumë mirë nga njerëzit dhe autoritetet. Takimi i tij i sinqertë dhe human me Fatemeh Hamami u vlerësua dhe admirua gjithashtu si nga populli dhe nga autoritetet sportive të vendit.”
Kështu, mund të flini të qetë! Cristiano Ronaldo është i sigurt!
Megjithatë, këtë vit, gjykatat iraniane kanë dënuar të paktën 117 aktivistë me 7404 goditje kamzhiku në total. Këtu përfshihet aktivistja Zeinab Kazemi, e cila protestoi kundër hixhabit të detyrueshëm dhe Mina Yaghoubi, e cila u arrestua gjatë protestave në Arak, sepse kishte hedhur gurë në një varrezë.