Çfarë mund të ndodhë me aktakuzat e Speciales ndaj Thaçit dhe Veselit?
Gjykata Speciale ende nuk e ka bërë të ditur vendimin për aktakuzën e propozuar të Prokurorisë Speciale ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-Kryeparlamentarit Kadri Veseli.
Për këtë arsye kanë filluar të diskutohen një numër skenarësh që mund të rezultojnë nëse aktakuza konfirmohet apo jo.
“Një aktakuzë e konfirmuar më së voni do të bëhet publike në paraqitjen fillestare të të akuzuarit para gjykatës”, ka thënë për “KlanKosova”, zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle.
Megjithatë, ai potencon se edhe nëse Gjykata Speciale i hedh poshtë këto aktakuza ndaj Thaçit dhe Veselit, kjo nuk e ndalon Prokurorinë e Specializuar që të nisë procedura të reja.
“Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave, gjyqtari i procedurës paraprake mund t’i konfirmojë ose t’i hedhë poshtë plotësisht apo pjesërisht akuzat e përfshira në një aktakuzë”.
“Ligji dhe Rregullat e Procedurës parashikojnë që mos-konfirmimi i cilësdo akuzë përbrenda një aktakuze të mos e parandalojë Prokurorin Special që më pastaj të mos e paraqesë një aktakuzë të ndryshuar, ose ta përfshijë të njëjtën akuzë në një aktakuzë të mbështetur nga materiali i ri provues”, ka deklaruar Doyle.
Avokati Arianit Koci për klankosova.tv konsideron se nuk është e drejtë të ketë një aktakuzë tjetër derisa deri më tash këto pretendime janë hetuar pesë herë.
“Çdoherë kur ka prova të reja mund të ngritet një aktakuzë e re. Por, sa është reale të ketë prova të reja kur e dimë që rastet e krimeve të pretenduara të luftës janë hetuar dhe gjykuar nga Tribunali i Hagës, UNMIK-u, EULEX-i, gjykatat vendore, dhe tash nga Dhomat e Specializuara?”.
“Pra, tani po bëhen pesë herë të hetimit të krimeve të pretenduara të luftës që kinse i kanë kryer disa ish-pjesëtarë të UÇK-së”.
Derisa Doyle në përgjigjet për Klan Kosovën përmend mundësitë për aktakuza të reja, këto ditë para derës së zyrës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prishtinë papritur u shfaqën mijëra “dosje sekrete”.
Avokati Koci e vlerëson të papranueshme këtë ngjarje, duke e kontekstualizuar me qëndrimet e ithtarëve që thoshin se vendi ynë është i pafuqishëm për ta krijuar një gjykatë të tillë.
“Incidenti me 4000 dosje është i papranueshëm dhe i shkon për shtati përkrahësve të idesë se Gjykata Speciale është dashur patjetër të bëhej jashtë Kosovës, për shkak se te ne, sipas tyre, vazhdimisht është ndërhyrë në drejtësi dhe janë kërcënuar dëshmitarët”.
“Tani faturën e paguan krejt Kosova. Për më tepër, me këtë veprim më së shumti janë dëmtuar vetë të dyshuarit. Sidoqoftë, nuk e dimë a janë dosjet autentike”.
Ai shton se hetuesit duhet ta gjejnë personin e maskuar që solli dosjet dhe të hetohet cili ka qenë qëllimi i tij.
Ndërkaq, lidhur me këtë çështje, Prokuroria Speciale e Kosovës bën të ditur se Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë është duke e hetuar çështjen e dërgimit të 4000 dokumenteve në zyrën e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka pranuar pyetje të shumta nga mediat lidhur me hetimin rreth dërgimit të dokumenteve në Organizatën e Veteranëve të UÇK-së, të cilat dokumente potencialisht ndërlidhen me Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Aktualisht, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë është duke e hetuar këtë çështje”.
Meqë vendimet për rastet e krimeve të pretenduara në luftën e Kosovës janë akoma në procedurë, Doyle e ka komentuar edhe mandatin e Dhomave të Specializuara.
“Është e parashikuar në ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës që mandati i Dhomave të Specializuara të Kosovës të vazhdojë derisa Këshilli i Bashkimit Europian ta njoftojë Kosovën se hetimet kanë përfunduar dhe se çdo procedurë nga Dhomat e Specializuara ka përfunduar”.
Ai nuk ka dashur të flasë për disa tendenca të herëpashershme për zhbërjen e Gjykatës Speciale, por ka shtuar se për jetëgjatësinë e këtij institucioni ndërkombëtar të drejtësisë vendos vetëm Këshilli i Bashkimit Europian.