
Çfarë ndodhi me sheshin Hasan Prishtina?
Shkruan: Bujar Dugolli
Nëse dikush do të organizonte një takim ose një pikënisje për një aktivitet te Sheshi Hasan Prishtina, përballë Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, do të shkaktohej konfuzion, sepse tani ai nuk ekziston. Kryetari i komunës së Prishtinës, ka vendosur të heqë emrin e veprimtarit të shquar dhe një nga figurat më të ndritura në historinë e Kosovës, Hasan Prishtina, dhe ta zëvendësojë me emrin e Erhard Busek, një politikan dhe diplomat austriak.
Ndryshimi i emrit të sheshit është një veprim i paarsyeshëm që dëshmon mungesën e respektit për historinë tonë dhe për figura të tilla si Hasan Prishtina. Ky veprim mund të interpretohet si një tentativë për të minimizuar rëndësinë e personaliteteve kombëtare dhe për të kaluar në heshtje kontributet e tyre, duke i zëvendësuar me figura ndërkombëtare apo edhe kombëtare, siç ka ndodhur në disa raste të tjera në shkolla apo institucione në Kosovë.
Ky akt në Prishtinë është një thirrje e fortë për të reflektuar si shoqëri dhe shtet. Duhet të angazhohemi vazhdimisht për të ruajtur dhe respektuar historinë tonë, për të ndihmuar në edukimin e brezave të rinj dhe për të pasur një mbrojtje ligjore që garanton se figurat e pakontestuara kombëtare do të mbesin të paprekura nga ndryshime të tilla të emrave që dëmtojnë identitetin tonë historik.
Shqetësimi ynë është se edhe ky akt mund të hapë një precedent të rrezikshëm për ndryshimin dhe shkatërrimin e kujtesës kolektive.
Nëse dëshirojmë t’i nderojmë dhe të kujtojmë edhe miqtë tanë nga kombe të ndryshme, që kanë ndihmuar në forma të ndryshme kombin tonë dhe shtetin, kemi rrugë dhe sheshe të reja që po ndërtohen. Ato mund të emërtohen me një procedurë të rregullt institucionale, me kritere kulturore, historike dhe teknike, e jo kështu në mënyrën më të keqe të mundshme.
Është koha që shoqëria jonë, si dhe politika, të angazhohen në mbrojtjen e trashëgimisë tonë kulturore dhe historike me ligj, për t’u siguruar që figura kombëtare si Hasan Prishtina, e shumë të tjerë, të mbeten të nderuara dhe të respektuara nga të gjithë.