Çfarë ndryshime ligjore u bënë për forcimin e kontrollit të kufirit?
Krahas masave në terren, Kosova ka bërë edhe ndryshime ligjore për ta forcuar kontrollin e kufirit shtetëror.
Qeveria ka ndryshuar dhe plotësuar Ligjin për këtë çështje rreth tre muaj pas sulmit terrorist serb në Banjskë.
Në parim, kjo nismë legjislative që tani është në fazën e projektligjit, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, do të rregullojë çështjet që kanë të bëjnë me kontrollin kufitar, kompetencat e policisë brenda shtetit dhe bashkëpunimin ndërmjet organeve shtetërore të cilat kanë kompetencë menaxhimin kufitar.
Ndër risitë në projektligj është shtimi i një paragrafi të ri në nenin që flet për përcaktimin dhe shënjimin e vijës kufitare, i cili i jep edhe një detyrë Ekzekutivit.
“Qeveria e Kosovës me akt nënligjor miraton mënyrën e shënjimit dhe mirëmbajtjen e vijës kufitare të Republikës së Kosovës”.
I pandryshuar ka mbetur neni i cili flet për njësitë dhe mjetet policore për mbikëqyrjen e kufirit.
“Mbikëqyrja e kufirit mund të kryhet edhe me mjete teknike, duke përfshirë edhe mjetet elektronike. Gjatë kryerjes së mbikëqyrjes së kufirit Policia e Kosovës është e autorizuar që të shfrytëzojë qen kufitar dhe të vendosë pengesa me të cilat pamundësohet kalimi ilegal i kufirit shtetëror”.
Miratimi i këtij projektligji, MPB thotë se është paraparë në planet strategjike dhe operacionale të Qeverisë për periudhën 2021-2025.
“Projektligji për Kontrollin e Kufirit është ndryshuar për disa qëllime kryesore, ku kryesore ka qenë avancimi i harmonizimit të Projektligjit me acqui të BE-së. Në këtë drejtim janë përcaktuar rregullat për Informacionin Paraprak për Udhëtarë (IPU) dhe për Regjistrin me Emrat e Udhëtareve (REU)”, thuhet nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Pas futjes se sasive të mëdha të armatimit nga terrori i Serbisë dhe sulmit terrorist në Banjskë, me kërkesë të Kosovës NATO ka përforcuar kontrollin e brezit kufitar me këtë shtet.
Kosova e Serbia kanë rreth 350 kilometra vijë kufitare, e ndër vite, nuk kanë qenë të pakta incidentet në zonat përreth tij, me forcat serbe që shumë herë kanë shkelur brenda territorit kosovarë e kanë kryer edhe akte si rasti i fundit i kidnapimit të tre policëve në mes të muajit qershor.