Çfarë (nuk) mund të bëjë gazetari?

12 prill 2020 | 12:01

Gazetarët janë pjesëtarë të fuqisë së shtatë. Jo, edhe më mirë, ata janë pushteti i katërt. A thua vërtet? A janë gazetarët aq të fuqishëm sa flitet? A janë të identifikueshëm në rrugë saqë e marrin mishin e freskët, nën tezgë, tek kasapi apo edhe peshkun e freskët në peshkatore? Ekzistojnë edhe mendime të tjera, sipas të cilave, gazetarët janë njerëz të vlerave më të ulëta, të pabesueshëm, që nuk meritojnë respekt, që janë të korruptueshëm, manipulues, të paedukuar dhe dembelë, aq sa askund tjetër nuk do të mund të punonin.

Cila është e vërteta? Apo këto janë disa lloje të paragjykimeve që qarkullojnë përreth gazetarëve dhe mediave?

E vërteta është diçka tjetër. Gazetaria është profesion, por edhe zeje. Gazetarët duhet t’i pjekin mjeshtëritë e zejes pa të cilat nuk mund ta ushtrojnë profesionin e tyre. Por, nuk janë profesionistë sikurse janë mjekët, arkitektët dhe të tjerët; sepse “çdonjëri raporton për personat e tjerë, mbi ngjarjet dhe idetë, por gazetarët profesionistë duhet të jenë më të vëmendshëm sesa amatorët në mënyrë që mos ta shtrembërojnë të vërtetën, e thonë në sqarimin e tyre William Rivers dhe Alison Work.[1]

Gazetarja e njohur amerikane dhe profesoresha e gazetarisë, Sherry Ricchiardi, në këtë mënyrë ua sqaron studentëve profesionin e gazetarit: “Mund ta pyesni këdo për atë që dëshironi, t’i vizitoni cilado ngjarje, ta fusni hundën në punët e të tjerëve, të kërkoni biseda nga më të rëndësishmit dhe më të ndikueshmit, krejt kjo, vetëm për atë se jeni gazetarë. Për aq më shumë juve ju paguajnë që ta kënaqni kureshtjen”.[2]

Tingëllon të jetë joshës, apo jo?

 

Të drejtat e mëdha të gazetarëve

 

Po, gazetarët kanë të drejta të mëdha. Disa janë të fituara, por shumica e tyre bazohen te zgjedhjet ligjore, ndërsa një prej të drejtave më të mëdha është që të dinë. E drejta për t’iu qasur informacionit është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe bazike për ushtrimin e papengueshëm të profesionit të gazetarit.

Në shumicën e vendeve, që nga viti 2006 edhe në Kroaci, ekziston ligji mbi të drejtën e qasjes në informacion si për gazetarët, po ashtu edhe për secilin qytetar. Pandehet se secili informacion është publik, ndaj dhe nuk bën të mbetet në fshehtësi, përveçse nëse është i rregulluar me ligj si sekret shtetëror apo ushtarak. Por, asnjë pushtet nuk është i lumtur nëse detyrohet që publikisht t’i tregojë disa veprime të vetat, ndaj dhe bën përpjekje që në të gjitha mënyrat e mundshme t’i dekurajojë qytetarët, në veçanti gazetarët, që të arrijnë tek informacioni i duhur.

Jelena Berkoviq, një gazetare e re në Radio 101 nga Zagrebi, i ka kërkuar disa të dhëna nga Zyra për Informim e Qeverisë, por nuk ka arritur t’i marrë. E pakënaqur ka ushtruar padi ndaj kryetarit të Qeverisë së Kroacisë të bazuar pikërisht në Ligjin në fuqi për qasje në informata. Gjyqi ka qenë i gjatë, por pas një viti e drejta ka triumfuar. Jelena e ka fituar kontestin dhe i ka fituar një krah me dokumente të cilat i ka kërkuar. Dokumentet kanë qenë të vjetruara tashmë, më nuk kanë shërbyer për tregimin për të cilin i janë nevojitur, por e ka fituar një satisfaksion. Por jo vetëm kaq: gazetarët e kanë kuptuar se kanë të drejtë ligjore si dhe mundësi që të kërkojnë informacione, ndërsa administrata e ka kuptuar se kjo është diçka serioze, për aq më tepër kur edhe kryeministri e humbet një kontest gjyqësor.

 

Parimet e punës së gazetarit

 

Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) është organizatë kulmore dhe e strukturuar që u themelua në vitin 1926 dhe e cila i ka rreth 500 000 anëtarë të mbledhur në 162 shoqata të 116 vendeve. Një prej veprimtarive më të rëndësishme është siguria: rreth 1 000 gazetarë janë vrarë në dhjetë vjetët e fundit, ndërsa globalizimi dhe përqendrimi i pronësisë e rrezikon pluralizmin e medies.

IFJ i ka vendosur parimet bazë të profesionit të gazetarit dhe angazhohet për të drejtat themelore të gazetarëve ndaj dhe i ka sjellë parimet në bazë të të cilave gazetarët e gjithë botës duhet të sillen. Parimi më themelor i profesionit të gazetarisë është pavarësia nga cilado qoftë ideologji. Nuk ka gazetari të mirëfilltë nëse ajo zë fill në ndonjë ideologji. Ajo ideologji mund të jetë më e mira në botë, por gazetaria duhet të mbështetet në parimet e tjera. Parimi i dytë i rëndësishëm është pavarësia materiale e gazetarëve. Gazetari nuk mund të jetë i pavarur nëse punon në kushtet të cilat ia pamundësojnë jetën normale.

Parimet e punës në gazetari, sipas Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, janë:

  • Pavarësia redaktuese dhe raportuese,
  • Liria e të menduarit dhe e të shprehurit,
  • Respektimi i standardeve profesionale dhe etike,
  • Ligjshmëria: kushtet e drejta dhe të barabarta në punë.

Standardi i të vepruarit profesional në të mbledhurit, bartjen, të interpretuarit dhe të komentuarit e lajmeve dhe të ngjarjeve është përcaktuar me Deklaratën e IFJ-së, e cila është aprovuar në vitin 1954 në Kongresin Botëror, ndërsa është plotësuar në vitin 1986.

Sipas Deklaratës, detyrat e gazetarit janë:

  • Respektimi i së vërtetës dhe e drejta e opinionit mbi të vërtetën,
  • Mbrojtja e parimeve të lirisë në kolektimin e ndershëm dhe publikimin e lajmeve,
  • Raportimi vetëm në pajtim me faktet për të cilat dihen burimet si dhe mosheshtja apo falsifikimi i dokumenteve,
  • Shfrytëzimi i vetëm metodave të ndershme për mbledhjen e lajmeve dhe sajimin e tyre, të fotografive si dhe të dokumenteve,
  • Përmirësimi i çfarëdo informate e cila është e dëmshme për shkak të pasaktësisë,
  • Respektimi i fshehtësisë profesionale dhe moszbulimi i burimeve,
  • Të vetëdijshëm për rrezikun nga të diskriminuarit dhe shmangja e tij me çdo kusht, veçanërisht të atij që bazohet në diferencat racore, gjinore, gjuhësore, fetare, politike, kombëtare apo edhe atyre shoqërore.

 

Gabimet themelore profesionale

 

Gazetarët gabojnë si të gjithë të tjerët. Nuk ka të pagabueshëm. Por, gabimet gazetareske janë publike. Të gjithë i shohin, nuk mund të fshihen dhe, shumë shpesh, mund të jenë mjaft të pakëndshme si dhe mund t’u shkaktojnë dëme të pamatshme individëve dhe shoqërisë në përgjithësi. Për këtë arsye në gazetari, kujdesshëm, analizohet veprimtaria ditore, ndërsa evoluohet çdo gjë që është botuar me qëllim që të evidentohen gabimet dhe të përmirësohen ato.

Gabimet më të mëdha profesionale janë:

  • PLAGJIATURA: Marrja e paautorizuar dhe e qëllimshme e punës së tjetrit,
  • SHPIFJA: akuzat ofenduese, të pasakta dhe të pabazuara,
  • PRANIMI I RYSHFETIT: në çdo rast dhe në çdo kuptim.

Për këtë, profesioni i gazetarisë bën gjithçka është e mundshme që të ruhet dinjiteti i gazetarëve.

IFJ-ja thekson se gazetarët e denjë për atë thirrje besnikërisht do t’u përmbahen parimeve të shprehura në kuadër të ligjeve të përgjithshme në shtetet e tyre. Gazetarët, në kuptimin profesional, do ta pranojnë vetëm gjykimin e kolegëve gazetarë, në mënyrë që ta shmangin ndërhyrjen e qeverive apo edhe të qendrave të tjera të forcës. Kjo është shumë e rëndësishme ngaqë vetërregullimi i profesionit është e vetmja mënyrë e mundshme me të cilin do të mund të mënjanohen negativitetet si dhe mosrespektimi i parimeve profesionale dhe etike.

 

Edhe pushteti i ka ca të drejta

 

Të drejtat gazetareske mund t’i ngushtojë pushteti. Sa më shumë demokratik të jetë shteti, ndërsa shoqëria e hapur, aq më pak kufizohen të drejtat dhe e drejta e të menduarit, të folurit dhe e të shprehurit. Por në vendet demokratike ekziston një lloj rregullimi ligjor, dhe kështu, secili shtet e bën rregullimin e radiotelevizionit publik, ndarja e koncesioneve dhe e frekuencave gjithashtu rregullohet, ndërsa disa shtete e bëjnë edhe rregullimin e televizioneve kabllore.

Shtetet autoritare e kufizojnë atë që është e paparamendueshme në demokraci, ashtu që mëtohet edhe kufizimi i internetit. Frika e sistemeve autoritare nga të shkruarit kritik shpërfaqet edhe nëpërmjet kufizimeve ligjore. Sistemet totalitare e kontrollojnë shpërndarjen e shtypit, por edhe shtypshkronjat. Me këtë kontrollohet edhe përmbajtja, ndaj dhe nuk botohen ato përmbajtje që janë të padëshirueshme për pushtetin.

Shteti i ka disa të drejta që të kufizojë disa përmbajtje në medie. Kështu, të thuash në të gjitha vendet ndalohet reklamimi i hapur i cigareve dhe alkoolit. Arsyeja, mbi të gjitha, është e natyrës shëndetësore. Dëmi i konsumimit të cigareve dhe alkoolit është i atillë që shoqëria mbrohet përmes ndalesës së reklamimit i cili e cyt konsumimin e cigareve dhe të pijeve alkoolike. Por, të hyrat nga tatimi mbi cigaret dhe alkoolin janë të rëndësishme për arkën e çdo shteti, ndaj dhe, jo rrallë, mbyllen sytë ndaj formave të fshehura të reklamimit. Tek ne është e njohur seria e reklamave të Fabrikës së Duhanit në Rovinj, e cila, përmes “Të fala nga Rovinji”, i përkujton cigaret dhe jo qytetin e Rovinjit. Ky stil i të reklamuarit është bërë shumë i suksesshëm, ashtu që shpërfaqen edhe pinguinët simpatikë të cilët na argëtojnë. Pinguinët nuk e pinë duhanin, por na përshëndesin nga Rovinji, ashtu që mesazhi i ndërmjetësuar është se si pirja e duhanit është e mirë.

Është e turpshme pjesëmarrja e gazetarëve në veprimtaritë propaganduese. Ndaj dhe, të gjitha shoqatat e gazetarëve rreptësisht ua ndalojnë gazetarëve që, në çfarëdo mënyrë, të marrin pjesë në reklamim, por kjo qëndron vetëm në letër ngase në medie mbisundon zëdhënia e mbuluar. Gazetarët janë të kërkuar si autorë reklamash, dhe këtë e bëjnë për arsye financiare. Por, ekziston edhe një tendencë akoma më e keqe, me ç’rast redaksitë i detyrojnë gazetarët që të shkruajnë reklama të mbuluara për disa njerëz dhe ndërmarrje ngase kjo është pjesë e kontratës së reklamimit. Kështu gazetarët e humbasin kredibilitetin dhe e rrënojnë autoritetin e tyre.

Shteti e mbikëqyrë edhe një formë të masmedias, e këto janë përmbajtjet pornografike. Porno industria është e fuqishme, vepron në medie por, megjithëkëtë, është e vëmendshme ndaj disa rregullave. Mediet janë të vërshuara me femra lakuriqe, me fotografi joshëse, kryesisht të bukurosheve, shumë rrallë edhe të meshkujve, por nuk ka edhe xhirime eksplicite pornografike. Megjithëkëtë, një pjesë e mediave të shtypura janë në kufi të pornografisë. Për këtë shteti e udhëheq politikën vijuese: erotika dhe lakuriqësia kalojnë, ndërsa hard porno është i kufizuar nëpër dyqanet e specializuara.

 

A duhet të mbrohemi nga gazetarët

 

A janë gazetarët të aftë që seriozisht t’i dëmtojnë njerëzit dhe a munden që pushtetin e tyre të madh në publikim ta keqpërdorin dhe me këtë të shkaktojnë dëme të (pa)përmirësueshme? Zharko Puhovski në “Të enjten mediatike në 19”, në pranverë të vitit 2017, e ka thënë se tashmë ka ardhur koha që të mbrohemi nga gazetarët që kanë fuqi dhe mundësi të shkaktojnë dëme të mëdha individëve dhe pa asnjë lloj përgjegjësie për këtë gjë.

Vërtet, kushdo që mbi lëkurën e vet e ka përjetuar se çfarë do të thotë sulmi mbi të, mund të pajtohet me Puhovskin. Nuk ekziston asgjë më e keqe sesa kur merren me ty, për aq më tepër nëse ti as nuk e kë ngrënë hudhrën që të vijë era hudhër. Përmirësimi, përgjigjja, polemika: të gjitha këto janë post festum, dhe secila prej këtyre kuptohet si shpëlarje e mëkatit, arsyetim, ndërsa dëmi, tashmë, është shkaktuar dhe mund të bëhet përpjekja vetëm të zvogëlohet apo edhe të shpresohet se sulmi, ashtu, në heshtje do të kalojë në harresë.

Më së shpeshti gazetarët as që janë të vetëdijshëm për fuqinë e tyre dhe të kapaciteteve shkatërruese të sulmeve të tyre në medie. Disa, madje, mendojnë se detyrë e tyre e shenjtë është që dikë ta “apostrofojnë”, “ta gozhdojnë në murin e turpit”, “ta shpartallojnë”, “ta shkatërrojnë si…” Në një pjesë të qarqeve gazetareske numërohen viktimat, rirrëfehen fjalët, fotografitë dhe toni me të cilin është sulmuar dikush. Të thuash në secilin prodhim medial ekziston rubrika, emisioni apo edhe ndonjë krijimtari e ngjashme që merret me shpërfaqjen publike të “petkave të pista”, të thashethemnajave, të shpifjeve që vijnë nga burime vështirë të besueshme, por që janë gjithmonë pikante, interesante, shumë të lexuara, të dëgjuara dhe të shikuara.

Puhovski këtë e temë e ka zgjeruar edhe te sjellja e gazetarëve të cilët i kanë privatizuar mediat, e që kanë fuqi që dikujt t’i thonë se vetëm mund të ëndërrojë se kur do të gjenden më në gazetën e “tij”, në emision apo rubrikë. Shi për këtë është shumë me vend pyetja se a na nevojitet mbrojtja nga gazetarët dhe shkrimet e tilla?

Disi, në po këtë kohë, Mila Jelaviq, avokate e popullit, ligjëronte në temën “Të drejtat e fëmijëve në publik” në studimin e saj “Mediat dhe kultura e shoqërisë” në Universitetin e Dubrovnikut. Aty një student e pyeti se: a ekziston mënyra që të dënohet gazetari i cili me raportimin e tij të keq dhe joetik i ka shkaktuar dëme fëmijës për të cilin shkruan? Nuk ekziston, ishte përgjigjur hidhur ombuspersonja. Por do të duhej të kishte, komentuan studentët.

Dhe, a ka ardhur koha që të mbrohemi nga gazetarët? Derisa kjo temë është pështjelluar, ndërmjet shënimeve të mia është publikuar lajmi se është sulmuar Zheljko Malnar. Gjoja se, një shikues, pakënaqësinë e vet me emisionin e Malnarit e ka shfaqur përmes goditjes së gazetarit me një shufër të metaltë, në kokë. Malnar as që doli nga spitali, ndërsa do ta “zëvendësojë” Arsen Oremoviqi, redaktori i “Veçernji listit”, për shkak të përmendjes së kryeministrit Sanader në kontekst të papërshtatshëm. Redaksia, pa pritur reagime publike, e sanksionoi redaktorin e vet.

Gazetarët është e qartë se nuk përgjigjen për (keq)bërjet e tyre. Qoftë përmes zëvendësimit, qoftë përmes argumentit (të shufrës) në kokë.

A është kjo e mjaftueshme apo nevojiten edhe sanksione të tjera për gazetarët e papërgjegjshëm? Dhe, çfarë na qenka gazetaria e papërgjegjshme? A ka të drejtë personi të cilin e ka ofenduar gazetari apo edhe sulmuar të përgjigjet në të njëjtën mënyrë apo është ndërrimi – mos e thëntë Zoti shufra – sanksioni adekuat?

Është e padyshimtë se ka ardhur koha që të rishqyrtohen përgjegjësitë e gazetarëve, por edhe me shqyrtime serioze a munden që qendrat e fuqishme, të pakënaqura me gazetarinë, ta marrin drejtësinë në duart e veta?!

Debati është i domosdoshëm, ndërsa është fat i madh që është botuar vepra kapitale “Deontologjia e medies”, e ekspertit francez të medies, Claude-Jean Bertranda, profesorit emeritus në Sorbonë, që është promovuar edhe në Zagreb.

Gazetarët gjithmonë i shqyrtojnë parimet bazike të etikës në profesionin e tyre duke u përpjekur që t’i zbatojnë në praktikë. Bertrand këtë e quan: zhvillim i vetëdijes mbi standardet profesionale të gazetarisë së përgjegjshme me çfarë mund të shmangen shembujt e gazetarisë së keqe. E kjo, njëherësh, është mbrojtja më e mirë nga sulmet mbi gazetarët.

Edhe një rast e ka trazuar skenën mediale. Gjykimi i Domagoj Margetiqit për shkak të publikimit të dëshmitarëve të mbrojtur dhe mosrespektimit të Gjykatës së Hagës për krime të luftës i cili ka përfunduar pa shumë reagime dhe, të thuash, në qetësi si dhe dënimi prej tre muajve burg dhe 10 000 eurove duke mos shkaktuar jehonë mediatike siç mund të jetë pritur sidomos pas reagimeve të zëshme të Margetiqit para gjykimit.

Kam pritur ta shoh se a do të reagojë ndokush për këtë por, përveç Danko Plevnikut, të gjithë e kanë heshtur këtë rast. A thua, në saje të medieve kroate, Margetiqi do të mbahet mend si gazetari i parë, të cilin, e ka dënuar Gjykata për Krime të Luftës në hapësirat e ish-Jugosllavisë?

Secili gazetar do të duhej të neveritej nga fakti se Margetiqi përfshihet në këtë profesion serioz, të përgjegjshëm dhe të domethënshëm. Cilësimi i Margetiqit si gazetar menjëherë e hapë pyetjen se: kush janë gazetarët? Dhe, si bëhesh gazetar?

Në disa prej profesioneve kjo është e qartë dhe e pakontestueshme: mjek bëhet ai i cili ka diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë, arkitekt ai që ka diplomuar në Fakultetin e Arkitekturës. Në spital nuk mund të punojë dikush që ka vetëm dhunti për shërim, siç as për projektin e një ndërtese nuk mund ta fitojë lejen e ndërtimit dikush që nuk është i autorizuar.

A janë gazetarët të gjithë ata që kanë diplomuar në gazetari? S’do mend se nuk janë. A janë të gjithë gazetarët qytetarë me shkollim të lartë? S’do mend se nuk janë. Disa prej gazetarëve nuk kanë diploma dhe mezi e kanë të mbaruar shkollën e mesme. A janë të gjithë gazetarët anëtarë të Shoqatës së Gazetarëve? S’do mend se nuk janë. A janë gazetarët personat që kanë ndonjë leje të veçantë për publikimin e punës gazetareske? Po sigurisht se nuk janë!

Kush janë atëherë gazetarët? Dhe përse, atëherë, Margetiqi nuk është gazetar? Pyetja, siç e shikojmë, është shumë më e ndërlikuar sesa vetë rasti Margetiq.

Liria është themeli bazë i gazetarisë. E drejta e secilit njeri për lirinë e të shprehurit të mendimeve bazohet tek të drejtat e njeriut e që është edhe parimi kryesor mbi të cilin mbështetet veprimi i masmedias. Baza elementare e të drejtës së njeriut për të menduar dhe shprehur nuk mund të cenohet duke e përcaktuar atë se kush mund të jetë gazetar. Çdonjëri e ka të drejtën që të vijë në redaksi dhe ta ofrojë një tekst. Vetë vlera e atij teksti e përcakton atë se a do të botohet apo jo. Pra, nuk ekzistojnë kurrfarë kufizimesh mbi atë se kush mund të bëhet gazetar. Vetëm në Itali ekzistojnë licenca për gazetarë dhe kundër saj ankohet Shoqata Ndërkombëtare e Gazetarëve.

Po përse, atëherë, Margetiqi nuk mund të jetë gazetar? Për atë se nuk i ka respektuar parimet themelore të profesionit të gazetarit: raportimin e vërtetë, të saktë, të balancuar dhe të paanshëm. Margetiqi e ka lirinë e plotë në shpërfaqjen e qëndrimeve dhe të komentimit të ngjarjeve, por gazetari gjatë raportimit duhet t’i respektojë rregullat e profesionit dhe mos t’i përziejë faktet me qëndrimet personale.

Sot çdokush mund ta iniciojë uebfaqen e vet apo blogun, por kjo nuk duhet të nënkuptojë se është edhe gazetar. Sot pa kurrfarë kufizimi mund të iniciohet një gazetë, por kjo nuk e nënkupton se aty kemi të bëjmë me gazetari të vërtetë.

Gazetarët janë pjesëtarë të një profesioni serioz i cili i është ekspozuar gjykimit të opinionit dhe të cilët, nëse nuk respektohen standardet dhe etika profesionale e gazetarisë, përballen me kritika dhe konsekuenca. Detyra e medies në shoqëritë demokratike është shumë serioze që me të të merren individë të paedukuar dhe të padijshëm, të dëgjueshmit, spiunë të imtë apo edhe manipulues. Gjykimi i publikut e vlerëson se a është ndonjë produkt mediatik gazetaresk apo është fryt i sensacionalizmit apo edhe i ndonjë organizate gjysmësekrete. Disa tabloide thashethemnajash apo edhe emisione televizive gjysmëpornografike mund të jenë të lexuar apo edhe të shikuar, por ajo nuk është gazetari.

Vetërregullimi i profesionit të gazetarit është mënyra më e mirë e përcaktimit se çfarë është gazetari dhe se kush mund të shpallet gazetar. Gazetarët të cilët Margetiqin e quajtën gazetar e treguan se sa pak dinë për profesionin e tyre duke mos e respektuar etikën e gazetarisë. Dhe, nuk është Margetiqi i rëndësishëm, por shtrohet pyetja se a janë gazetarë ata që mendojnë se ai është gazetar.

(Mos)cilësia e medies është një temë e pashmangshme dhe jo vetëm në qarqet e ngushta gazetareske, por edhe në opinion. Ante Gavranoviq, një prej doajenëve të gazetarisë kroate, shkruan tek gazeta Novinar, se çështja e cilësisë së medies është e rëndësishme për atë se “mediet, mbi të gjitha ato elektronike, gjithnjë e më shumë po shfrytëzohen për krijimin e opinionit publik, pavarësisht nga pasojat. Forcimi i ndikimit të gazetarisë së varur nga kuotat e (jo)kyçjes së shikuesve dhe të dëgjuesve, si trend për përfitimin e publikut dhe (jo rrallë) për pasione të ulëta”.

Kush është përgjegjës për këtë? Gazetarët, pronarët, qendrat e veçanta të fuqisë apo skuadra e zëdhënësve, financierëve dhe magnatëve mediatikë?

Më e lehta është që të akuzohen gazetarët, të cilët, një pjesë e opinionit i përjeton si njerëz të pashkolluar dhe të padijshëm. A është kjo kështu?

Derisa po e shkruaj këtë tekst[3] në një nga klasat e shtëpisë së gazetarëve një grup prej rreth njëzet gazetarësh kroatë të gjeneratës së mesme, në mënyrë intensive punon me profesorin Bauer nga Universiteti i Vjenës. Në rrjedhë janë ligjëratat përfundimtare të projektit të madh të Tempusit Journalism Education and Training in Croatia (JETiC). Bëhet fjalë për edukimin e instruktorëve të rinj të gazetarisë, të cilët provimin përfundimtar do ta kenë në Vjenë në fund të muajit. Në të njëjtën kohë, gjenerata e parë e studentëve të Universitetit të Dubrovnikut do t’u nënshtrohet provimeve të fundit në studimet paradiplomike “Mediat dhe kultura e shoqërisë”. Këta janë studentët e parë në Kroaci të cilët po e përfundojnë fazën e parë të shkollimit sipas parimeve të Deklaratës së Bolonjës. Në vjeshtë do të duhej t’i vazhdojnë studimet diplomike.

Dhe, përderisa fushatat zgjedhore po marrin hov, madje katër grupe me nga 15 studentë do ta ndjekin seminarin nga raportimi zgjedhor të cilin e organizon Qendra Ndërkombëtare për Edukim të Gazetarëve në bashkëpunim me OSBE-në, njëzet gazetarë të rinj, të tanishëm dhe të ardhshëm janë duke dëgjuar ligjëratat e shkollës “Studime Intermediale”.

Gjykuar sipas kësaj, gazetarët shkollohen dhe përgatiten në mënyrë të denjë dhe e përhapin dijen e tyre. Ndërsa ne jemi të pakënaqur me nivelin e shkollimit të tyre dhe i shpallim si të padijshëm dhe me përçmim e tundim dorën kur debatohet mbi cilësinë e medies.

Fakti është se gazetat, radioja, televizioni dhe interneti vlojnë nga gabimet, budallallëqet, mosdija e gjërave elementare, mosnjohja e profesionit, e sidomos gramatikës dhe drejtshkrimit, e për çfarë na përkujton edhe Nives Opaçiq në hulumtimet e tij.

Kështu, a thua kemi arritur, përsëri, tek një nga paradokset e medies? Nga njëra anë prodhimet e dobëta të medies, ndërkohë që profesioni është duke u edukuar, po përsoset dhe po shkon në hap me dijet e reja?!

Trend i gazetarëve të paedukuar mjaftueshëm po vazhdon. Nga njëmbëdhjetë anëtarët e ri të pranuar në Shoqatën e Gazetarëve Kroatë, tetë prej tyre e kanë përgatitjen e mesme profesionale, ndërsa vetëm tre të lartën. Edhe më keq është situata tek anëtarët korrespodentë. Nga njëzet e një syresh, gjashtë janë me shkollim të lartë, të tjerët, katërmbëdhjetë, me shkollë të mesme.

Me këtë, pronarët, më shumë se qartazi e tregojnë se çfarë gazetarë dëshirojnë të kenë: të rinj dhe të pashkolluar mjaftueshëm. Të tillët janë nëpër redaksi, një lloj argjile e cila ngjeshet mirë sipas dëshirave dhe kërkesave të të fuqishmëve të medies. Gazetarët e rinj dhe jomjaftueshëm të edukuar nuk i njohin mjaftueshëm standardet, nuk dinë ta bëjnë dallimin mes asaj se çfarë është etike e çfarë është lëndim i privatësisë së individit, pastaj lehtë mund të binden që ta “shkatërrojnë” dikë, që të publikojnë pa menduar tekste nga një burim i vetëm, që mos t’i verifikojnë informacionet, që të mos ankohen kur redaktori ua shton ndonjë fjali, t’i rrudhin krahët nëse dikush kërkon të bëhet ndonjë përmirësim në artikull për shkak të të dhënave të pasakta.

Gazetarët me përvojë nuk janë një brumë i mirë për manipulim. Ata e dinë se çfarë është mirë profesionalisht e çfarë nuk është por, gjithashtu, kanë prirje që ta ulin kokën dhe ta lidhin kalin aty ku u thuhet. Branko Tugjen në mënyrë jashtëzakonisht e të sinqertë e ka thënë në TV: “E çfarë kam mundur të bëjë? Isha 40 vjeç!” duke aluduar në atë se sa e vështirë është që ta humbasësh punën në moshën e mesme, të mbetesh pa të ardhura e, ndoshta, t’ia nisësh nga fillimi në ndonjë profesion tjetër, e kjo vetëm për shkak të dofarë parimeve.

Pikërisht këtu fle përgjigjja në pyetjen mbi nivelin e ulët të mediave kroate si dhe për dijen dhe profesionalizmin e pamjaftueshëm. A u nevojiten të fuqishmëve të medies gazetarë kualitativë apo të dëgjueshëm? Apo, ç’nevojitet cilësia kur kërkohet sensacionalizmi, skandali, përcipshmëria, manipulimi…?

Përgjigjja nuk është vetëm te profesioni, as vetëm te pronarët, por është e një domethënie esenciale që ka të bëjë me rolin e shoqërisë civile si dhe zëri më i fuqishëm i opinionit që do të ngrihet në mbrojtje të të pavarurës, të përgjegjshmes dhe të gazetarisë kualitative.

 

Stjepan Malloviq

 

Stjepan Malloviq (Stjepan Malović) është doktor i shkencave të informimit, drejtimi i Komunikologjisë dhe profesor inordinar në Universitetin e Dubrovnikut. Është drejtor i Qendrës Ndërkombëtare për Edukim të Gazetarëve (ICEJ). Gazetar shumëvjeçar i cili iu përkushtua analizës shkencore të medies dhe të edukimit të gazetarëve. Deri më tashti ka qenë autor, bashkautor dhe redaktor i pesëmbëdhjetë librave me temën median, ndërsa ka botuar dhjetëra punime shkencore dhe profesionale për mediat. Ka marrë pjesë në 30 tubime vendore dhe 50 ndërkombëtare, në konferenca, seminare dhe tryeza shkencore.

Është koordinator i projektit “Tempus”, i cili, në bashkëpunim me Universitetin e Vjenës si dhe Shkollën e Lartë të Gazetarisë në Lil, e zhvillojnë programin për aftësimin e medies. Është një prej themeluesve të SEEMO (South East European Media Organisation), të cilën e ka iniciuar International Press Institute (IPI) në Vjenë. Ka qenë prodekan në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Zagrebit si dhe udhëheqës i Akademisë së Gazetarëve EuropaPress Holdinga. Në gazetari është që nga viti 1967, kur u regjistrua në shkollën e Vjesnikut (Vjesnik) të Zagrebit. Në Veçernji list (Večernji list) ka vepruar që nga viti 1968 deri në vitin 1991, ku ka qenë gazetar, korrespodent, së fundmi redaktor. Në periudhën nga viti 1985 deri në vitin 1990 ishte zëvendëskryeredaktor.

 

(Përktheu nga kroatishtja: Shpresë Mulliqi. Marrë nga revista “Akademia”)

[1] William Rivers dhe Alison Work, Writing for the Media, Mayfield Publishing Company, 1988, f. 235

[2] S. Ricchiardi & S. Malović, Uvod u novinarstvo, Izvori, Zagreb, 1996, f. 31

[3] Pranverë 2017

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Modelja simpatike Belinda Dragoti ka ndarë me ndjekësit një foto…