Çfarë nuk u tha në Serbi për rastin e Radoiçiqit?
I lirë, por pa pasaportë, kështu mund të përshkruhet tani për tani statusi i Millan Radoiçiqitnë Serbi, pasi gjykata në Beograd e liroi nga paraburgimi më 4 tetor.
Një ditë më parë, policia e dërgoi atë për t’u investuar në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd, në lidhje me sulmin e armatosur ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator.
Në sulm mbeti i vrarë rreshteri kosovar, Afrim Bunjaku.
Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.
Vetë Radoiçiq, përmes avokatit, e mori përgjegjësinë për sulmin, të cilin Kosova e cilëson si akt terrorist dhe tentativë të Serbisë për përmbysjen e rendit kushtetues.ra
Por, Serbia, e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe institucionet e saj, i cilëson veprat kriminale ndryshe nga Prishtina zyrtare.
Në mesin e veprave që Radoiçiqin e ngarkojnë në Serbi, nuk ka terrorizëm, as vrasje të policit.
Sipas Prokurorisë serbe, Radoiçiq dyshohet për disa vepra penale që kanë të bëjnë me blerje të paligjshme të armëve dhe “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.
Avokati nga Beogradi, Bozho Prelleviq, thotë se procedura kundër Radoiçiqit “nuk ka të bëjë me ligjin”.
Prelleviq thotë se deklaratat e prokurorisë dhe gjykatës nuk duken si të shkruara nga profesionistët, por “ekspertët e marketingut”.
“Radoiçiq del e thotë se ai e organizoi sulmin dhe grupin, e veprat me të cilat ngarkohet janë ndryshe”, thotë Prelleviq.
Në letrën e hapur për publikun, Radoiçiq pranoi se kishte organizuar një grup të armatosur dhe se ishte në Banjskë më 24 shtator.
Me çka e ngarkon Serbia Radoiçiqin?
Sipas njoftimit të Gjykatës së Lartë në Beograd, Radoiçiq ngarkohet me disa vepra penale.
E para ka të bëjë me prodhim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve dhe lëndëve shpërthyese.
Prokuroria e ngarkon atë edhe për armëmbajtje pa leje.
Sipas saj, Radoiçiq dyshohet se nga janari i vitit 2023 deri më 24 shtator ka siguruar armë, municione dhe mjete shpërthyese të fuqisë së madhe shkatërruese nga Tuzlla në Bosnje dhe Hercegovinë.
Për këtë vepër penale, dënimi me burgim është nga dy deri në dymbëdhjetë vjet.
Prokuroria serbe beson, gjithashtu, se Radoiçiq është “udhëheqës” i grupit që ka kryer vepër penale – për çka dënimi me burg shkon deri në tetë vjet.
Megjithatë, sulmuesit në Banjskë nuk i trajton si grup të organizuar kriminal dhe as Radoiçiqin si organizator të tij.
Radoiçiq ngarkohet edhe për një vepër të rëndë kundër sigurisë së përgjithshme, gjegjësisht shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, pas të cilit “ka ndodhur vdekja e një ose më shumë personave”. Dënimi maksimal për këtë vepër është, gjithashtu, 12 vjet burg.
Radoiçiq, siç u njoftua më 3 tetor, e mohoi fajësinë për të gjitha këto akte, edhe pse paraprakisht e pranoi përgjegjësinë për sulmin në Banjskë.
Në ditët e para të hetimeve, autoritetet në Prishtinë e identifikuan Radoiçiqin si pjesëmarrës dhe organizator kryesor të grupit të armatosur dhe më pas prezantuan prova që, sipas tyre, e vërtetojnë këtë.
Përveç pamjeve nga dronët, u prezantua edhe një arsenal i madh me armë dhe pajisje të tjera të kapura në Banjskë.
“Procedura kundër Radoiçiqit për shkak të presionit nga Perëndimi”
Sipas avokatit Prelleviq, Serbia ka nisur procedura kundër Radoiçiqit për shkak të “paraqitjes së jashtme politike”.
Bashkimi Evropian kërkoi nga Beogradi që të bashkëpunojë në hetimin e sulmit në veri të Kosovës, duke theksuar se mandati për këtë hetim i takon policisë së Kosovës.
Më 3 tetor, Parlamenti Evropian e dënoi ashpër sulmin në Banjskë dhe Perëndimi pajtohet me cilësimin e autoriteteve të Kosovës si “terrorist”.
Avokati Prelleviq thotë se Serbia është dashur ta arrestojë Radoiçiqin për të thënë se ai nuk ka qenë pjesë e atij sulmi dhe se po “lufton kundër tij”.
Sipas tij, e gjithë procedura zhvillohet për shkak të presionit të Perëndimit, por, në anën tjetër, “për shkak të zgjedhjeve të mundshme, Radoiçiq nuk duhet të jetë në paraburgim”.
“Mbajtja në burg e Radoiçiqit – anëtarit të Listës Serbe, dikujt që deri dje thuhej se është hero nga Kosova – nuk është një veprim i zgjuar për rrethanat e brendshme politike. Andaj, ishte një arrestim i shpejtë me lirim të shpejtë”, thotë Prelleviq.
Në letrën e hapur, më 29 shtator, Radoiçiq tha se e organizoi sulmin në Banjskë pa dijeninë e autoriteteve. Po atë ditë tha se jep dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe – partisë udhëheqëse të serbëve të Kosovës, e cila gëzon mbështetjen e Beogradi zyrtar.
“Marrëveshje me autoritetet”
Prelleviq thotë se kjo sjellje e Radoiçiqit i duket si “marrëveshje [me autoritetet në Serbi]”.
“Ai doli [para prokurorisë] që të mos fajësohet presidenti i Serbisë [për sulmin në Banjskë]. Prandaj, duhet ta pranojë se ka organizuar gjithçka, por këtë nuk mund ta thotë në prokurori, sepse në atë rast nuk do të mund të lirohej [nga paraburgimi]”, thotë Prelleviq.
Në reagimin e parë pas sulmit në Banjskë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se sulmuesit ishin serbë vendas nga Kosova, “të cilët nuk mund ta duronin më terrorin e [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti”.
Rreth një javë më vonë, më 2 tetor, ai tha se të gjithë ata që morën pjesë në sulmin ndaj policisë së Kosovës, do të mbajnë përgjegjësi para institucioneve dhe se këtu përfshihet edhe përgjegjësia e Radoiçiqit.
Në disa raste, Vuçiq e mohoi përgjegjësinë e Serbisë.
Lirohet pavarësisht kërkesës së prokurorisë
Pas refuzimit të kërkesës së prokurorisë për ndalimin e Radoiçiqit, Gjykata e Lartë në Beograd, më 4 tetor, ia ndaloi atij të largohej nga vendbanimi dhe ia konfiskoi pasaportën.
Atij iu ndalua edhe shkuarja në Kosovë.
Prokuroria tha se do ta apelojë vendimin e gjykatës.
Radoiçiq e bëri deklaratën e tij të parë para institucioneve të Serbisë “në cilësinë e qytetarit”, më 30 shtator – një ditë pasi e mori publikisht përgjegjësinë për Banjskën.
Nuk është e qartë se çfarë tha atë ditë në polici.
Tri ditë më vonë u ndalua dhe dha deklaratë si i dyshuar.
Sipas deklaratës së Prokurorisë së Lartë Publike të Serbisë, të datës 3 tetor, Radoiçiq e mohoi kryerjen e veprave penale me të cilat ngarkohet.
Avokati i tij mbrojtës, Goran Petronijeviq, tha atë ditë se Radoiçiq ka mohuar se ka kryer vepra penale, por jo edhe gjendjen faktike.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet përgjegjëse, përmes partnerëve ndërkombëtarë, do të kërkojnë ekstradimin nga Serbia në Kosovë “të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e aksionit terrorist” në Banjskë.
Tash për tash, nuk dihet se si do t’i përgjigjej Serbia një kërkese të tillë kur do t’i dërgohej, pasi nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe nuk ka marrëveshje ekstradimi me të.