Çfarë përfiton Kosova shtet i asocuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s?
Asambleja Parlamentare e NATO-s e ka miratuar të hënën rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhgues në anëtare të asocuar.
Shumica e vendeve kanë votuar për, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar, në takimin e Asamblesë, që u mbajt Sofje të Bullgarisë.
Krerët e shtetit e quajtën një hap të rëndësishëm në integrimin euro-atlantik të vendit, përkundër fushatës së Serbisë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se NATO-ja është fati i Kosovës duke falënderuar anëtarët e AP-së që votuan në favor të avancimit të statusit të Kosovës.
“Mirënjohëse anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s që votuan në favor të avancimit të statusit të Kosovës në anëtare të asocuar. NATO-ja është fati i Kosovës dhe ky miratim do të mundësojë që zëri i popullit më pro-NATO-s të dëgjohet. Do të vazhdojmë përpjekjet me aleatët që të avancojmë drejt anëtarësimit në NATO”, ka shkruar Osmani në rrjetin social “X”.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka cilësuar si vendim të rëndësishëm avancimin e statusit të Kosovës në anëtare të asocuar.
“Me shumicë dërrmuese të votave të delegatëve nga vendet anëtare të NATO-s, Kuvendi i Republikës sonë tash ka statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s”, ka shkruar Kurti në Facebook.
“Në prag të 25-vjetorit të çlirimit, Sofja, kryeqyteti i shtetit që 25 vjet më parë hapi hapësirën e vet ajrore për aeroplanët e NATO-s në fushatën kundër Serbisë, sot ishte vendtakimi në të cilin bëmë një hap të rëndësishëm në integrimin euro-atlantik, përkundër fushatës së Serbisë”, ka shkruar ai.
“Përgëzime të gjithë zyrtarëve të shtetit që punuan për këtë arritje, e shumë urime qytetarëve të Republikës. Falënderim dhe mirënjohje për të gjithë miqtë e partnerët që me votën e tyre sot i dhanë mbështetje avancimit të statusit të Kosovës në Asamblenë e Parlamentare të NATO-s dhe që i qëndrojnë përkrah Kosovës përherë”, shkroi Kurti.
E Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se me këtë vendim, Kosova do të ketë të drejtën e propozim komentimit të çdo procesi që trajtohet nga Asambleja.
Sipas Maqedoncit, Kosova tashmë është një hap larg anëtarësimit me të drejta të plota në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, gjë që siç thotë ai do të ndikojë në stabilitetin e Ballkanit.
“Pra nga tani, Kosova do të ketë të drejtë propozimi e komentimi të çdo procesi apo dokumenti që trajtohet nga Asambleja e NATO-s. Me këtë vendim Kosova është vetëm një hap larg anëtarësimit me të drejta të plota në asamblenë parlamentare të NATO, gjë që sigurisht se do të ndikoj në stabilitetin e Ballkanit”, ka shkruar Maqedonci.
Cilat janë përfitimet e Kosovës si shtet i asocuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s?
Që nga viti 2014 Kosova kishte statusin e anëtares vëzhguese ndërsa me ngritjen e statusit, parlamentit të Kosovës i lejohet të marrë pjesë në të gjitha veprimtaritë e Komiteteve dhe nënkomiteteve, seancat plenare ku mund të paraqesë rezoluta dhe ndryshime në rezoluta si dhe në seminaret Rose-Roth, në të cilat pjesëtarët e parlamenteve nga vendet anëtare dhe ato partnere të NATO-s takohen me zyrtarë qeveritarë, organizata të tjera ndërkombëtare, ekspertë nga universitete, grupe kërkimore dhe Organizata joqeveritare, për të diskutuar një çështje specifike të sigurisë me interes të përbashkët.
Anëtarët e asocuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asocuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.
Megjithatë, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.
Pavarësisht këtyre kufizimeve, anëtarësimi i asociuar u ofron këtyre vendeve mundësi të vlefshme për dialog dhe partneritet me vendet anëtare të NATO-s. U lejon atyre të krijojnë marrëdhënie me ligjvënës nga vendet e NATO-s, duke nxitur besimin dhe bashkëpunimin për çështjet e sigurisë.
Për më tepër, anëtarësimi i asocuar mund të shërbejë si një hap për vendet që aspirojnë të bëhen anëtarë të plotë të NATO-s. Kjo u jep atyre mundësinë për t’u njohur me strukturat, procedurat dhe vlerat e NATO-s duke shfaqur përkushtimin e tyre për sigurinë kolektive.
Aktualisht, anëtare të asocuara janë nëntë – në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Kuvendi i Kosovës, prej vitesh, është delegacion vëzhgues me dy ulëse. Tani, me avancimin e statusit do të mund të zgjerohet edhe delegacioni pjesëmarrës kosovar.