Çfarë po bëjnë të gjithë ata këshilltarë qeveritarë?

11 shtator 2023 | 16:04

Milazim KRASNIQI

Qeveritarët tanë lënë përshtypjen se nuk kanë haber mbi taktikat që ka përdorë Serbia kundër Kosovës para pushtimit të saj në vitin 1912 e të cilat po i përdorë me sukses edhe sot. Prandaj edhe bien në kurthet serbe, siç ka ra sidomos qeveria Kurti.

E vërteta është se ka një përsëritshmëri të këtyre taktikave serbe, që nga fillimi i shekullit XX e deri sot, natyrisht me rënie e ngritje.

Shikojini taktikat që ka përdorë Serbia në fillim të shekullit XX dhe të cilat saktësisht i përdorë edhe sot! (Çka tregon kjo përsëritshmëri? Kjo tregon se Serbia nuk ka hequr dorë nga strategjia për ripushtimin e Kosovës.)

1.Financimi i serbëve brenda Kosovës.
2. Krijimi i bandave, grupeve të armatosura.
3. Forcimi i ushtrisë në kufi. Bashkëpunimi i fshehtë me grupet e armatosura.
4. Provokimet ndaj shqiptarëve, në mënyrë që reagimet e tyre të prezentohen në botë si zullum i shqiptarëve ndaj civilëve të pafajshëm serbë.
5.Përhapja e thashethemeve në funksion të destabilizimit të gjendjes.
6. Kremtimi i Vidovdanit (që nga viti 1904) me mesazhe për shenjtërinë e tokës së Kosovës.
7. Propagimi se Serbia do ta ruante paqen në Ballkan. (Ndërsa përgatitej për luftë.)
8. Mbajtja e Kosovës në tension të vazhdueshëm.

Nga sa u prezantua si faktografi e thatë, (burimin akademik nuk po e tregoj qëllimisht) më mbetet e paqartë se çka bëjnë ata 38 këshilltarë të Albin Kurtit dhe qindra këshilltarë të tjerë në qeveri, kur nuk arrijnë as t’i detektojnë taktikat serbe.

Aq më pak e kuptoj çka bëjnë ata këshilltarët e Besnik Bislimit, demek ekspertë të mëdhenj, ndërsa Besnik Bislimi tashmë është bërë simbol i fundosjes politike në dialogun me Serbinë.

Bile arsyeja e këtij teksti është t’u tërheqë vëmendjen në këto taktika, para takimit të 14 shtatorit, thjesht për shkak të interesit tonë shtetëror, i cili nga injoranca e qeveritarëve tanë tashmë është rrezikuar seriozisht. Pra që të kthjellohen, të koncentrohen e t’i denoncojnë si taktika dhe synime imperiale serbomëdha.

Këto shkojnë përtej kornizës së dialogut. Inskenimet në terren janë vetëm pretekste për të zbatuar strategjinë e ripushtimit të Kosovës, si në kohën e qeverisjes së mbrapshtë xhonturke. (11 shtator 2023)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Lyonit ka marrë vendim të menjëhershëm në lidhje…