Çfarë qëndron pas trazirave të fundit në Britani?

15 gusht 2024 | 16:39

Autoritetet britanike po përpiqen të identifikojnë shkaqet e protestave të dhunshme të së djathtës ekstreme që shpërthyen në gjithë vendin në fillim të muajit. Disa fajësojnë racizmin dhe përhapjen e lajmeve të rreme në rrjetet sociale, të tjerë fajësojnë problemet e thella ekonomike dhe sociale në vend.

Britania u trondit nga dhuna shtatëditore, që u shoqërua me plaçkitje dhe djegie ndërtesash publike. Në shënjestër ishin bizneset e pronarëve nga grupet e pakicave. Xhamitë u bënë objekt sulmesh në valën e dhunës kundër myslimanëve. Protestuesit dogjën hotelet ku mendohet se strehoheshin azilkërkuesit.

“Duam që të marrë fund ardhja ilegalisht e njerëzve me varka nga vende të sigurta”, thotë Karina, një protestuese kundër emigracionit.

Më shumë se një mijë individë janë arrestuar.

Shkak për dhunën u bë një sulm me thikë në një klasë vallëzimi për fëmijë në Southport pranë Liverpool-it, që rezultoi në vdekjen e tre vajzave, gjashtë, shtatë dhe nëntë vjeç.

Njoftimet e rreme të shpërndara fillimisht nga një faqe e panjohur interneti e quajtur ‘Channel3 Now’ e identifikuan gabimisht vrasësin si një azilkërkues mysliman që kishte mbërritur me varkë. Lajmi i rremë u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale. Në Southport shpërtheu dhuna dhe brenda pak orëve u përhap edhe në qytete të tjera.

“Dhuna fillestare nisi nga një gënjeshtër. Në një farë mase mendoj se është mjaft e drejtë të fajësosh mediat sociale”, thotë Anand Menon, profesor në Universitetin “King’s College”.

Shumë analistë fajësojnë ndarjet e thella sociale.

“Tensione të ngjashme po ndodhin në shumë vende, deri diku edhe në Shtetet e Bashkuara, ku po shfaqen ndjenja nacionalizmi, një ndjenjë se njerëzit po përbuzen”, thotë Stephanie Alice Baker, sociologe në Universitetin e qytetit të Londrës.

Kritikët akuzuan për nxitjen e dhunës disa politikanë të krahut të djathtë, veçanërisht Nigel Farage, kreun e partisë Reforma, që është kundër imigracionit. Zoti Farage e mohon me forcë akuzën.

Në kanalin e tij në YouTube, zoti Farage ka bërë publike më parë hotelet që strehojnë azilkërkuesit. Demonstrata shumë më të mëdha kundër të djathtës ekstreme janë zhvilluar që atëherë në të gjithë Britaninë dhe trazirat janë zbutur.

Mbi një mijë individë janë arrestuar dhe qindra janë dënuar për vepra të lidhura me trazirat. Ndaj shumë të tjerëve janë ngritur akuza për shkelje në lidhje me postimet në mediat sociale.

Pronari i rrjetit X, Elon Musk, është përballur me kritika për lejimin e postimeve të tilla. Vetë ai shkroi për protestat e ekstremit të djathtë duke u shprehur se “lufta civile është e pashmangshme”.

“Pajtohem që pas kësaj trazire, ne duhet t’i shikojmë më në thellësi mediat sociale”, tha Kryeministri britanik Keir Starmer.

Qeveria ka paralajmëruar se dhuna mund të shpërthejë sërish.

“Mbretëria e Bashkuar, gjatë 10-15 viteve të fundit, ka pasur rritje ekonomike shumë të vogël dhe nuk ka bërë sa duhet për shumë njerëz që janë në vështirësi ekonomike. Kjo nuk e justifikon dhunën në asnjë mënyrë apo formë. Mendoj se është absolutisht e përshtatshme të mendohet, duke pasur parasysh atë që ka ndodhur, a ka arsye që i bëjnë njerëzit të ndihen kaq të dëshpëruar saqë janë më të prirur (për revolta) se të tjerët? ”, shtron pyetjen profesori Anand Menon me Universitetin King’s College.

Dhuna i ka shtuar dhimbjet për familjet e fëmijëve të vrarë në qytetin Southport. 17-vjeçari Axel Muganwa Rudakubana, i lindur në Britani, akuzohet për vrasjen e tre vajzave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i ka…