Çfarë tha në Gjykatë i dyshuari për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit?
Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Dragisha Viqentijeviqit, i arrestuar nën dyshimin se ka marrë pjesë në sulmin terrorist të kryer kundër kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në zonën e Zubin Potokut më 29.11.2024.
Caktimin e masës së paraburgimit e ka konfirmuar mbrojtësi i të pandehurit, avokati Millosh Delloviq.
Në një konferencë për media pas përfundimit të seancës në Gjykatën e Prishtinës, avokati Delleviq tha se klienti i tij nuk e ka pranuar fajësinë.
Sipas avokatit, i pandehuri ka thënë se në kohën kur ka ndodhur sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit ka qenë në një vend krejt tjetër dhe se për këtë ka shumë dëshmitarë.
“Fakti se dikujt në shtëpi i janë gjetur çizme të lagura e të papastra dhe armë nuk mund të jenë dëshmi të mjaftueshme për të mbështetur akuzat për kryerje të këtyre veprave të rënda penale. Në atë kohë, ai ka qenë në një vend krejtësisht tjetër, ku ka pasur shumë dëshmitarë”, tha avokati Delloviq.
Avokati tha se beson që pafajësinë e Dragisha Viqentijeviqit do ta dëshmojë gjatë procesit hetimor.
Po ashtu, avokati Delloviq tha brenda afatit ligjor do të ankohen ndaj vendimit për masën e paraburgimit. Ndryshe, në mbrëmjen e 29 nëntorit, në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, në veri të vendit, ka ndodhur një shpërthim që ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Nuk pati viktima, por kanali ka pësuar dëme, kurse banorë nga Mitrovica nuk kanë pasur ujë për gati 24 orë pas shpërthimit.
Pas riparimit të përkohshëm, furnizimi me ujë është rikthyer.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.