Çfarë thanë Lajçaku, Bislimi dhe Petkoviqi për takimin e djeshëm në Bruksel?
Dje në Bruksel janë takuar kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq. Takimi zgjati më shumë se 6 orë, fillimisht pati takime bilaterale, ndërsa u përmbyll me atë trilateral.
Pas takimit, dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se kanë diskutuar një mori çështjes dhe kanë rënë dakord për një sërë hapash vijues.
“Sapo përfunduan më shumë se shtatë orë takime në nivelin e kryenegociatorëve. Me Besnik Bislmin dhe Petar Petkoviqin. Ne diskutuam një gamë të gjerë çështjesh dhe ramë dakord për një sërë hapash vijues”, ka shkruar Lajçak në “X’.
Ndërsa Bislimi tha se pala serbe ishte e interesuar vetëm për asociacionin.
“Pika e vetme e agjendës në të cilën ne duhej të shënonin përparim ishte diskutimi i finalizimit të planit të sekuencimit. Megjithatë nga pala serbe u bë e qartë prej fillimit se ata duan të zbatojnë vetëm pjesë të Marrëveshjes Bazë, që janë në harmoni me vijat e tyre të kuqe. Ne nuk i kemi parë kurrë ato vija të kuqe. Petkoviq nuk ishte i interesuar as të bisedojë për planin e sekuencimit”, tha Bislimi për gazetarë pas takimit.
Petkoviq, ndërkohë, i cilësoi takimet si “të vështira, dhe shtoi se ai nguli këmbë në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Dialogu është vendi i vetëm për zgjidhje kompromisi, ndryshe nga java e kaluar kur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte i gatshëm për bisedime, ndërsa Kurti refuzoi të bisedonte,” tha Petkoviq për gazetarët pas takimeve.
Lidhur me takimin, mbrëmë Qeveria e Kosovës ka dalë me një njoftim.
Në njoftim thuhet se në këtë takim u diskutua mbi formalizimin e Marrëveshjes Bazike, si element kryesor dhe i parë për zbatim të sekuencuar të marrëveshjes, bashkë me aneksin e Ohrit, mbi Planin e Sekuencimit, zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë, rreth mungesës së përparimit në zbatimin e Deklaratës për personat e zhdukur me dhunë, si dhe zbatimin e një numri marrëveshjesh të tjera, përfshirë IBM, si dhe atë për vizitat e zyrtarëve.
Tutje, thuhet se Serbia refuzoi të pranojë Marrëveshjen Bazike në tërësi dhe nuk pranon të zbatojë pjesën e saj.
“Pala serbe refuzoi të përfshihet në diskutim për dakordimin e planit të sekuencimit si dhe në arritjen e formalizimit të marrëveshjes, bazuar në garancat e kërkuara në takimin e liderëve javën e kaluar. Diskutimi rreth çështjes së personave të zhdukur ekspozoi sërish që pala serbe është duke e sabotuar procesin, duke nxjerrë vazhdimisht kërkesa të reja me qëllim të bllokimit të procesit.
Ndërkohë, zvarritje në zbatim nga ana e Serbisë janë evidentuar nga kryenegociatori i Kosovës edhe në Marrëveshjen e Energjisë”.