Çfarë thanë SHBA-ja dhe Rusia pas takimit në Arabinë Saudite

18 shkurt 2025 | 18:56

Zyrtarët të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe të Rusisë u takuan të martën në Arabinë Saudite për të diskutuar mbi përmirësimin e marrëdhënieve dhe negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë- bisedime që pasqyruan një ndryshim të madh dhe të shpejtë të politikës së jashtme amerikane nën drejtimin e Presidentit Donald Trump.

Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, Këshilltari për Siguri Kombëtare, Mike Waltz dhe i Dërguari për Lindjen e Mesme, Steve Wikof u takuan për afro 4 orë e gjysmë me ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov dhe Yuri Ushakovin, ndihmës i lartë i udhëheqësit Vladimir Putin, pas një bisede telefonike javën e kaluar mes Presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump dhe udhëheqësit rus Vladimir Putin.

Asnjë zyrtar ukrainas nuk ishte i pranishëm në takimin që u zhvilluar, ndërsa Ukraina po humbet terren pak nga pak, por në mënyrë të vazhdueshme, përballë një numri më të lartë të trupave ruse, në luftën që nisi thuajse tre vjet më parë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka deklaruar se Kievi nuk do të pranojë rezultatin e bisedimeve të kësaj jave në rast se nuk merr pjesë në bisedime. Aleatët evropianë kanë shprehur shqetësimin se janë mënjanuar.

Rubio: Për paqen në Ukrainë do të duhen lëshime nga të gjitha palët

Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio tha pas bisedimeve se për t’i dhënë fund luftës së Rusisë ndaj Ukrainës do të jetë e nevojshme që të bëhen lëshime nga të gjitha palët.

Kur u pyet mbi sanksionet ndaj Rusisë, zoti Rubio vuri në dukje se masat janë vënë si rezultat i sulmit të Rusisë dhe se sanksionet nuk ishin vënë vetëm nga ana e Shteteve të Bashkuara. Ai shtoi se “Në një moment Bashkimi Europian do të jetë në tryezën e bisedimeve, sepse edhe ata kanë vendosur sanksione”.

Rubio tha se Presidenti Trump dëshiron të veprojë me shpejtësi për t’i dhënë fund luftës dhe se objektivi është një marrëveshje e drejtë, afatgjatë dhe e qëndrueshme.

Mes shqetësimeve në Ukrainë dhe aleatëve europianë mbi përpjekjet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, Sekretari Rubio tha se objektivi ishe një marrëveshje “që është e pranueshme nga të gjitha palët e përfshira, dhe kjo padyshim përfshin Ukrainën, por po ashtu edhe partnerët tanë në Europë, dhe natyrisht edhe palën ruse”.

Këshilltari për Siguri Kombëtare, Mike Waltz u tha gazetarëve se nuk është caktuar një datë për një takim mes Presidentëve Trump dhe Putin.

Lavrov: Ramë dakord për një proces për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov tha se në një konferencë pas bisedimeve, se në takim ishte rënë dakord për një proces për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.

Ai tha se bisedimet ishin të dobishme, delegacionet ruse dhe amerikane kishin dëgjuar njëri-tjetrin dhe ishin pajtuar që të krijonin kushtet për rikthimin e plotë të bashkëpunimit.

Ai tha se anëtarësimi i Ukrainës në NATO ishte i papranueshëm, sikurse ishte e papranueshme dhe prania e trupave të NATO-s në Ukrainë.

“I shpjeguam kolegëve tanë atë që Presidenti Putin ka nënvizuar vazhdimisht, se zgjerimi i NATO-s, përfshirja e Ukrainës në NATO është një kërcënim direkt për interesat e Federatës Ruse dhe sovranitetit tonë”, tha i Lavrov.

DASH: SHBA dhe Rusia ranë dakord të nxisin përpjekjet për paqe në Ukrainë

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia ranë dakord të martën që të trajtojnë çështjet “shqetësuese” në marrëdhëniet SHBA-Rusi dhe të nisin punën për një udhë drejt fundit të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës, tha Departamenti amerikan i Shtetit, duke e bërë të qartë se përpjekjet janë në fazat e para.

Ata diskutuan mbi vendosjen e mekanizmave për të trajtuar “çështje që shqetësojnë marrëdhëniet dypalëshe” me objektivin për të normalizuar marrëdhëniet diplomatike, tha përmes një deklarate zëdhënësja e DASH-it, Tammy Bruce.

Dy palët caktuan delegacione të nivelit të lartë të cilët do të punojnë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë “sa më parë të jetë e mundur, në mënyrë afatgjatë, të qëndrueshme dhe të pranuar nga të gjitha palët”, tha ajo.

Departamenti i Shtetit tha se takimi ishte një hap i rëndësishëm në një proces që është në fazat e para të tij.

“Një bisedë telefonike e pasuar nga një takim nuk është e mjaftueshme për të vendosur paqe afatgjatë”, tha zëdhënësja Tammy Bruce pas takimit në Arabinë Saudite.

Zelensky: Bisedimet nuk duhen mbajtur “pas shpinës” së Ukrainës

Presidenti i Ukrainës njoftoi se kishte shtyrë për në 10 mars, vizitën e tij në Arabinë Saudite, e cila ishte planifikuar për të mërkurën, në 19 shkurt, duke shtuar se nuk mund të mbahen bisedime pas “shpinës së Ukrainës” për dhënien fund të luftës. Ai tha se për arritjen e paqes në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe Evropa duhet të marrin pjesë në bisedime për garancitë e sigurisë për Kievin.

Zelensky i bëri komentet pas takimit që zhvilloi të martën në Ankara, me Presidentin turk Tayyip Erdogan. Erdogan tha se integriteti territorial dhe sovraniteti i Ukrainës janë të padiskutueshme për Ankaranë, në periudhën në vazhdim, duke shtuar se Turqia mund të ishte një vend i përshtatshëm për bisedime të mundshme paqeje që do të përfshinin Rusinë. Gjatë konferencës së përbashkët për shtypin me homologun Zelensky ai tha se nisma e fundit diplomatike e Presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump për dhënien fund të luftës ishte në linjë me politikën turke që nga fillimi i konfliktit tre vite më parë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Hisen Berisha  Pas rizgjedhjes së presidentit Donald Trump në…