Çfarë thonë familjarët e Triumf Rizës pas arratisjes së Enver Sekiraqës

19 maj 2024 | 22:11

Policia e Kosovës nuk arriti ta zbatonte vendimin e Gjykatës së Apelit, për ta kthyer në paraburgim, Enver Sekiraqën. Ky i fundit u arratis ani pse vetëm 3 jave më parë, u dënua me 25 vjet burgim për nxitje në vrasjen e policit, Triumf Riza. Fajtor për këtë, po shihet vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, të cilët pasi e dënuan Sekiraqën për vrasje të rëndë, e lanë të mbrohej në liri.

Më 3 maj, Gjykata Themelore, e shpalli fajtor për vrasje të rëndë.

Kësisoj, Enver Sekiraqës për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza, iu shqiptua ky dënim.

Agim Kuqi – kryetar i trupit gjykues
0:51 – I njëjti gjykohet me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 25 viteve.

Por pas kësaj, kryetari i trupit gjykues, Agim Kuqi, dha një tjetër njoftim.

Agim Kuqi – kryetar i trupit gjykues
1:40.

Të akuzuarit me vendim të veçante do t’i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak.

E mbrojtjen në liri të dënuarit me 25 vjet burgim, vendosi t’ia ndërpresë Gjykata e Apelit.

Kjo e fundit përmes një aktvendimi vendosi që Serkiraqa të kthehet në paraburgim.

Por, këtë urdhëresë të gjykatës, nuk arriti ta zbatonte Policia e Kosovës.

Këta të fundit, Enver Sekiraqën nuk e gjetën në shtëpinë e tij.

Tëvë 1, të shtunën ka raportuar ekskluzivisht për arratisjen e Sekiraqës.

Për arratisjen e të dënuarit, babai i Triumf Rizës, fajtor po e lë Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Vendimi i Gjykatës ishte krejtësisht i gabueshëm në këtë rast. Një person për një vepër kaq të rëndë, për një vrasje kaq të rëndë, nuk ka qenë dashur që të lirohet në arrest shtëpiak nga paraburgimi. Ne kemi kundërshtuar si palë e dëmtuar nuk jemi pajtuar edhe prokurori nuk është pajtuar dhe si pasojë e saj, e shihni çfarë ka ndodhur”, thotë Shefqet Riza, babi i Triumf Rizës

E të habitur me vendimin e 3 majit të Gjykatës Themelore, po shprehen edhe njohësit e çështjeve ligjore.

“Në ditën kur është publikuar aktgjykimi, e kam parë me habi vendimin e trupit gjykues se si është e mundur në rrethanat e rastit kaq kompleks kur është shqiptuar një dënim me burgim prej 25 vitesh dhe në bindjen time kanë ekzistuar shkaqet e përcaktuara në dispozitat përkatëse Kodit të Procedurës Penale neni 366 të ndërlidhura edhe me nenin 181 për vazhdimin e masës së paraburgimit  për sigurimin e prezencës të pandehurit në procedurë derisa aktgjykimi të bëhet i formës së prerë. Unë dua të besoj që është bërë një lëshim, në të kundërtën vlerësoj që mbase mekanizmat përkatës duhet të ndërmarrin veprime hetimore”, thotë Bajraktari.

Për arratisjen e Serkiraqës, ka reaguar edhe e para e drejtësisë në vend, Albulena Haxhiu.

Kjo e fundit  ka thënë se ky rast ngre dyshime për përfshirje në korrupsion.

“Caktimi i masës së arrestit shtëpiak, e mosndryshimi i asaj mase, është skandal i madh. Madje kjo arratisje në fakt indirekt ishte paralajmëruar në seancën e shpalljes së aktgjykimit për Sekiraqën kur ai nga seanca u njoftua se do t’i ndërpritej me një vendim tjetër masa e arrestit shtëpiak. Duket që sistemin ynë gjyqësor për shkak të përvojës së mbrapshtë në mungesë të dënimit të peshqve të mëdhenj po vazhdon të mos këndellet nga gjendja e vet duke toleruar kështu arratisje e përsëritje të veprave kriminale”, kishte reaguar Haxhiu.

Në lidhje me arsyet e vendimit të trupit gjykues në këtë rast, Tëvë1 ka pyetur edhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Por, këta të fundit të dielën nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndryshe, Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën dorasi Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg.

(foto kallxo.com)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Finalja e madhe e ‘Big Brother Vip Albania’ është afër.…