Çfarë thoshte për pushtimin rus të Ukrainës vajza e mikut të Putinit që u vra
E bija e teoricienit dhe këshilltarit më të ngushtë të presidentit rus Vladimir Putin ka humbur jetën mbrëmjen e së shtunës në periferi të Moskës.
Sipas raportimeve, vajza e aleatit të ngushtë të Putinit ndërroi jetë, kur makina me të cilën po kthehej në shtëpi shpërtheu në flakë.
Babai i viktimës, Alexander Dugin, doli vetë në vendngjarje. Ai është ideolog i shquar ultranacionalist që besohet të jetë i afërt me presidentin rus. Alexander Dugin u sanksionua nga ShBA-ja në vitin 2015 për përfshirjen e tij të dyshuar në aneksimin rus të Krimesë.
Vajza e tij Darya Dugina ishte gazetare e njohur në Rusi, që mbështeti me zë pushtimin rus të Ukrainës.
Shkrimet e Dugin vlerësohen se kanë një ndikim të thellë në botëkuptimin e Vladimir Putinit dhe ai konsiderohet të jetë arkitekti kryesor intelektual i ideologjisë ultranacionaliste së cilës i përmbahen shumë në Kremlin.
Në maj Darya e përshkroi luftën si një “përplasje qytetërimesh” në një intervistë dhe shprehu krenarinë për faktin se ajo dhe babai i saj ishin sanksionuar nga Perëndimi.
Edhe pse ende nuk ka informacion se kush mund ta ketë vendosur eksplozivin në makinën e saj, kreu i DPR në Donetsk, Denis Pushilin, fajësoi “terroristët” ukrainas për shpërthimin.
“Terroristët e regjimit ukrainas tentuan ta vrasin Aleksandër Dugin dhe vranë vajzën e tij në një makinë”, shkroi ai në “Telegram”. Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë koment zyrtar nga autoritetet ruse në lidhje me ngjarjen.