Çfarë thotë Rregullorja e Kuvendit për shpenzimet e udhëtimit të deputetëve
Rregullorja e Kuvendit të Kosovës e miratuar në prill të vitit 2010 parasheh edhe të drejta shtesë të deputetit përfshirë mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit brenda dhe jashtë vendit me detyrë zyrtare.
Rregulla 6.1 thotë që deputeti i cili udhëton zyrtarisht jashtë ose brenda vendit – jashtë vendbanimit të tij, qoftë individualisht ose në përbërje të delegacionit që e përfaqëson Kuvendin ose trupat e tij, i takon kompensimi i shpenzimeve të qëndrimit, të udhëtimit si dhe mëditja.
Dje është publikuar lista e dhjetëra deputetëve që janë kompensuar për shpenzimet e derivateve për arsye të udhëtimit nga qytetet e tjera për të marrë pjesë në seancat e Kuvendit.
Sipas raportit, për periudhën nëntor-dhjetor të vitit 2021, një deputet ka shpenzuar deri në 870 euro për karburante.
Pas reagimeve të shumta, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se deputetët e kësaj partie do të tërhiqen nga kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit.
Kusari-Lila ka thënë se do të kërkojnë rishikimin e vendimit për kompensimin e deputetëve nga Kryesia e Kuvendit.