Çfarë thuhet në dosjen e Prokurorisë për zëvendëssekretarin e MMPHI-së, Izedin Bytyqi?
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh, Izedin Bytyqit- zëvendëssekretar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas dosjes së Prokurorisë që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi” Bytyqi po dyshohet se ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare dhe me dashje ka tejkaluar kompetencat e tij, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për ujërat e Kosovës si dhe udhëzimin për strukturën e pagesave ujore, duke e anashkaluar në tërësi raportin e grupit ministror i cili ishte formuar me qellim të përllogaritur borxhin për ambalazhuesve ndaj ARPL, sipas të cilit raport vlera e përgjithshme e borxheve të krijuara nga këta operatorë ekonomikë është 19,297,447.47 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tutje, sipas dosjes së Prokurorisë, i dyshuari Bytyqi pa bazë ligjore, si dhe pa verifikuar faktet ka nxjerrë vendime të kundërligjshme për zvogëlimin e borxhet të disa operatorëve ekonomikë me qellim të përfitimit të kundërligjshme për vete apo për persona të tjerë dhe shkaktimit të demit të buxhetit të shtetit.
Në dosjen e prokurorisë thuhet se i pandehuri Bytyqi më 07.09.2021 ka nxjerr vendim financiar për përllogaritjen e detyrimit financiar për operatorin ekonomik “Fluidi”, të cilit për periudhën kohore prej janarit 2009 deri në qershor 2021, i cakton si detyrim financiar vetëm shumën prej 13 mijë e 72.30 euro, ani pse ky operator ekonomik vetëm për periudhën kohore prej vitit 2008-2013, sipas grupit ministror të vitit 2014, detyrohej për borxhin prej 4,458,24.00 euro, e po që se do të llogaritej edhe periudha kohore prej vitit 2014 e tutje, borxhi do të jetë shumë herë më i lartë.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri, Izedin Bytyqi gjithashtu më 31.08.2021 ka nxjerr vendim financiar për përllogaritjen e detyrimit financiar për operatorin ekonomik “Frutti”, të cilit për periudhën kohore prej janarit 2017 deri në qershor 2021, i cakton si detyrim financiar vetëm shumën prej 39,81 euro, ani pse ky operator ekonomik si ambalazhues dhe përllogaritja e detyrimit për ujin e shfrytëzuar është dashur t’i llogaritet për litër të shitur e jo metër kub pasi që kjo është në kundërshtim me udhëzimin administrativ nr.02/2016, neni 4 par.2, pika 2.1.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, zëvendës-sekretarit të MMPHI-së, më 11.03.2022, ka nxjerr vendim financiar për përllogaritjen e detyrimit financiar për operatorin ekonomik “Frutex”, i cili aktivitet ka prodhimin dhe ambalazhimin e lëngjeve freskuese, të cilin për periudhën kohore prej muajt korrik të vitit 2019 deri në dhjetor të 2021-ës i përcakton si detyrim financiar prej 127.40 euro.
Më tej, në dosjen e Prokurorisë thuhet se, i pandehuri Izedin Bytyqi, duke shkelur detyrën zyrtare si rezultat i përllogaritjes së borxheve në mënyrë të kundërligjshme të disa operatorëve ekonomik, në muajin dhjetor të vitit 2023, i ka mundësuar operatorit ekonomik “Frutti” vazhdimin e lejes ujore pa i plotësuar kushtet ligjore dhe në kundërshtim me kriteret e caktuara në lejet paraprake, dhe këtë e ka arritur pasi që është ushtruar presion tek zyrtarët e MMPHI-së, B.B dhe M.K, të caktuara për të shqyrtuar kërkesat për vazhdimin e lejeve ujore, e të cilat janë kërcënuar nga Naser Hafizi se po që se nuk do të vepronin sipas kërkesave të tij, do të inicionte procedura disiplinore për largim nga puna.
Gjithnjë sipas Prokurorisë, i pandehuri Bytyqi, në cilësinë e sekretarit të Përgjithshëm të MMPHI-së, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, me dashje ka tejkaluar kompetencat e tij, ashtu që gjatë vitit 2022-2023 ua ka mundësuar përfitimin e kundërligjshëm prej 10 për qind të pagës bazë për punë të kryera brenda orarit të punës zytareve B.B dhe M.K, të cilat nën presionin e të pandehurit Naser Hafizi kanë përgatitur dosjet e operatorëve ekonomik dhe kanë hartuar vendimet e kundërligjshme për zvogëlimin e borxheve dhe vazhdimin e lejeve ujore ani pse operatorët ekonomik nuk i kanë plotësuar kushtet e kërkuara.
Ndryshe, Bytyqi u ndalua të martën pas një aksioni të PSRK-së në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, aksion ky që u zhvillua në objektin e MMPHI-së.
Prokuroria të martën njoftoi se i pandehuri tjetër- Naser Hafizi, që dyshohet për “Keqpërdorim të detyrës e autoritetit zyrtar”, “Shpëlarje të parave” dhe “Mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë të të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”, nuk është gjetur në vendbanimin e tij.
Në komunikatën e PSRK-së është thënë se gjatë bastisjes janë sekuestruar një revole e tipit “Mauser-Werkr” me dy karikatorë e shtatë fishekë, 34 dokumente të ndryshme, tre telefona, 17 USB, tre laptopë, 4 shtëpiza të kompjuterit, e po ashtu dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore. Po ashtu, është lëshuar urdhër i përkohshëm ndalimi për 6 banesa me lokacione në Prishtinë e Fushë-Kosovë.