Challandes: Duam fitore ndaj Maltës
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes dhe mesfushori Hekuran Kryeziu janë paraqitur sonte në konferencë për media në Valeta në prag të ndeshjes së nesërme kundër Maltës, e cila zhvillohet në orën 18:00 në kuadër të Ligës së Kombeve.
Si përzgjedhësi Challandes, ashtu edhe Kryeziu kanë thënë para mediave malteze dhe atyre nga Kosova se kjo ndeshje është mjaft e rëndësishme për Kosovën, duke pasur parasysh faktin se qëllimi është që të ruhet pozita e parë në grup, e cila siguron kualifikimin në ‘play-off’ të Ligës D, si dhe ngjitjen në Ligën C për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.
“E filluam këtë edicion për të bërë paraqitje sa më të mira dhe jam i kënaqur me atë që kemi dhënë deri tani. Në këtë pikë po shohim se kemi gjasa reale për ta mbyllur edicionin në vendin e parë të grupit, ndaj u kam kërkuar lojtarëve përqendrim, për të marrë maksimumin. E dimë se nuk do të jetë e lehtë ndaj Maltës, por ne jemi përgatitur që fillimisht të bëjmë një ndeshe të mirë dhe shpresojmë të marrim edhe 3 pikët”, ka theksuar Challandes.
Ai ka theksuar se mentaliteti në Kosovë është i tillë që të gjithë duan lojë sulmuese dhe fitore, por ka thënë se në futboll nuk ka ndeshje të lehtë.
“Unë e pranoj që shikuesit në Kosovë mendojnë se ne po luajmë kundër Maltës dhe do të jetë shumë e mundshme të arrijmë fitore, por unë si trajner asnjëherë nuk mendoj në atë formë dhe këtë e kam për detyrë t’ua bëjë të qartë edhe lojtarëve se nuk ka ndeshje të lehtë dhe duhet angazhim i madh për fitore. Malta është skuadër shumë e fortë, sidomos kur luan në shtëpi. Jam befasuar me paraqitjen e Maltës kundër Azerbajxhanit, pasi atje shkuan dhe barazuan vetëm tri ditë pas ndeshjes sonë. Unë e kam parë atë ndeshje dhe për këtë arsye kam respekt kaq të madh për Maltën”, ka nënvizuar Challandes.