Challandes: Jam i befasuar me kritikat e shumta
Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, ka thënë se është i befasuar me kritikat e shumta që kanë ardhur ndaj skuadrës dhe lojtarëve për rezultatet jo të mira së fundi.
Në konferencën për medie, para ndeshjes me Greqinë, ai ka treguar për problemet me të cilat po prrallet Kosova. “Unë nuk dua të humbas, por nuk është turp të humbim nga Greqia. Është ekip me traditë e me lojtarë të mirë dhe që ka prodhuar lojtarë të mëdhenj. Ne luajmë në Ligën C dhe nuk mund të themi se mund të fitojmë gjithsesi ndaj Sllovenisë dhe Greqisë. Të shënosh ndaj Sllovenisë nuk është e lehtë. Asnjëherë nuk mund të fitosh lehtë as kundër Moldavisë. Ne nuk mund të themi se mund ta fitojmë Ligën C dhe të kalojmë në Ligën B. Jam goxha i befasuar me kritikat e tepërta që i kemi pasur. Unë nuk jam trajner që dua të humb, por duhet t’i merrni parasysh mungesat që i kemi”, ka thënë Challandes.
Ai ka bërë me dije se duhet pasur të qartë se skuadra ka pasur shumë probleme me lëndime. “Kemi pasur shumë probleme në skuadër, veçanërisht me lëndimet e lojtarëve. Rezultatet nuk janë të mira. Ka qenë zhgënjim i madh pas Maqedonisë, nuk ishte lojë e lehtë ndaj Sllovenisë e nuk është as ndaj Greqisë. Duhet të qëndrojmë skuadër. Duhet të qëndrojë një trajner me skuadër, që ta ndihmojë skuadrën. Nuk kemi kaluar periudhë të mirë. Ta bëjmë më të mirën e mundshme”, ka deklaruar Challandes.