Challandes: Jam krenar me ekipin tim, përgjegjësia për humbje është e imja
Bernard Challandes e ka marrë mbi supet e veta përgjegjësinë për humbjen e Kosovës kundër Anglisë në ndeshjen kualifikuese për Euro 2020, por ka këmbëngulur se është krenar me skuadrën e tij.
Anglia e mundi Kosovën 5:3 të martën në Southampton, duke e forcuar vendin e parë në Grupin A me pikë maksimale nga katër ndeshje.
Kosova e pësoi humbjen e parë pas plot dy vjetëve dhe të parën pas 14 ndeshjeve nën drejtimin e trajnerit zviceran Bernard Challandes.
Kombëtarja dardane bie në pozitën e tretë në grup me një pikë më pak se Republika e Çekisë, pas humbjes ndaj anglezëve për të cilën përgjegjësinë e mori Challandes.
“Anglia ka bërë lojë të përkryer me lojtarë teknikë dhe të shpejtë. Anglia është ndër ekipet më të mira në botë. Ne kemi rrezikuar. Ata ishin efikas në pjesën e parë, ai është nivel i lartë i futbollit. Nuk jam i kënaqur me pjesën e parë. Por unë marr përgjegjësinë sepse i kam thënë skuadrës të provojë dhe të shkojë përpara”, tha Challandes pas ndeshjes.
Ai beson se humbja me Anglinë do të jetë mësim për Kosovën.
“Ne mundem të mësojmë nga niveli i lartë i kësaj ndeshje. Rezultati ishte befasuese sepse nuk është normale që Anglia të shënojë në kundërsulme. Ne dëshironim të luanim për fitore dhe nëse e shohim pjesën e dytë mund të jemi krenarë sepse kemi bërë lojë të mirë. Ju thashë të mos dorëzohemi dhe ata nuk u dorëzuan në pjesën e dytë. Jam krenar me skuadrën time sepse rezultati nuk është edhe i keq”, shtoi ai.