Challandes: Lojtarët e Kosovës luajnë me zemër

23 mars 2018 | 10:54

Trajneri Bernard Challandes ka premtuar se do të krijojë një ekip me mentalitet fitues, kurse për lojtarët ka thënë se janë të talentuar dhe luajnë me zemër.

Trajneri zviceran i Kosovës, Bernard Challandes, ka mbajtur katër stërvitje me Përfaqësuesen e Kosovës. Pas kësaj përvoje, ai ka lavdëruar lojtarët, duke thënë se janë të talentuar dhe luajnë me zemër. “Përfaqësuesja ka lojtarë të talentuar individualisht dhe lojtarë që dinë të luajnë futboll. Puna ime është që prej tyre të krijoj një ekip me mentalitet fituesi. Lojtarët luajnë me zemër, për fitore dhe luftojnë për Kosovën. Ata janë një ekip që thonë ‘unë jam Kosova’ dhe do të vrapoj e të luftoj shumë për fitore. Dua të krijoj një ekip që funksionon si një familje, që nuk dorëzohet dhe nuk lejon të pranojë shumë gola”, ka thënë Challandes, i cili ka treguar se i ka shikuar të gjitha ndeshjet e përfaqësueses në kualifikimet për Kupën e Botës “Rusi 2018”.

“I kam shikuar të gjitha ndeshjet e Kombëtares së Kosovës gjatë kualifikimeve për Kupën e Botës. Ajo që kam parë është se lojtarët gjatë kualifikimeve e kanë bartur fanellën e Kosovës, kanë luajtur futboll, kanë luajtur korrekt dhe kaq, asgjë më tepër. Por tani jemi një nivel tjetër ku duhet të fillojmë ta ndërtojmë katin e dytë”, ka shtuar ai.

Trajneri zviceran debutimin si trajner i Kosovës do ta bëjë më 24 mars në miqësoren ndaj Madagaskarit. Challandes kundërshtarin e së shtunës e ka vlerësuar maksimalisht, duke treguar edhe për rezultatet që ka arritur në vazhdimësi. “Kjo nuk do të jetë një ndeshje e lehtë. Ne as nuk duhet e as nuk jemi në pozitë për ta nënçmuar asnjë ekip. Secili ekip që vihet përballë nesh është një ekip që e meriton respektin më të madh. Madagaskari të mërkurën ka luajtur një lojë shumë të mirë kundër Togos. Kam qenë i befasuar me cilësinë e lojës. Ne ndoshta mendojmë se ai është një vend i vogël, por ka një ekip shumë të mirë. Ka lojtarë që luajnë në Francë, Belgjikë dhe nëpër botë. Ai është një ekip që ka arritur deri në fazën finale të Kupës së Afrikës dhe kjo nuk është e lehtë. Ne duhet të bëjmë një lojë shumë të mirë për të pasur sukses”, ka deklaruar Challandes.

Ujkani e Zhegrova, optimistë për miqësoret e marsit

Kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës, Samir Ujkani, ka deklaruar se përvoja e deritashme gjatë kualifikimeve e ka rritur dhe e ka pjekur ekipin. Sipas tij, Kosova, pavarësisht se do të luajë ndeshje miqësore, do të jetë shumë e kujdesshme dhe e vëmendshme gjatë ndeshjes. “Ekipet kundër të cilave do të luajmë i respektojmë. Burkina Faso nuk është aspak ekip i lehtë. Por, me përvojën e deritashme, jam optimist se do të luajmë një lojë të mirë dhe ekipi do ta shfaqë fuqinë e vet. Duhet pasur parasysh se fuqia e ekipit nuk janë talentet si individë të veçantë. Fuqia e ekipit vjen në shprehje kur këta talentet individuale koordinohen në një mënyrë të atillë që të funksionojnë si një trup i vetëm. Kam besim se ekipi ka arritur një nivel të lartë të koordinimit”, ka thënë Ujkani.
Ndërsa Edon Zhegrova ka deklaruar: “Nuk është se e njoh shumë mirë lojën e dy ekipeve kundër të cilëve do të luajmë, por duhet të jemi shumë të vëmendshëm gjatë gjithë ndeshjes. Jam optimist se do të luajmë një lojë shumë të mirë”.

(Veton ZYMBERI)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se institucionet e…